Shqipëria do të çelë më 17 nëntor 2025 grupkapitullin e fundit në lidhje me procesin e negociatave. Bëhet fjalë për pesë kapituj në Klasterin 5, “Bujqësia Kohezioni dhe Burimet”.
Kryeministri Edi Rama reagoi në rrjetet sociale me këtë rast duke e konsideruar rekord absolut dhe një arritje që për Shqipërinë ishte e pamendueshme.
“Shqipëria e arriti të pamendueshmen, të gjithë kapitujt e negociatave të hapur brenda 12 muajsh – rekord absolut në procesin e integrimeve europiane”, shkroi Rama.
Ai thekson se asgjë nuk e ndal qeverinë drejt objektivit madhor që është mbyllja e negociatave brenda vitit 2027. Rama nënvizon se pavarësisht vështirësive dhe pengesave Shqipëria po forcohet muaj pas muaji.
“Asgjë nuk na dal dot drejt majës së Shqiperisë 2030 në BE. Askush nuk na ndal dot drejt objektivit madhor të mbylljes së negociatave brenda 2027. Sepse përtej vështirësive, pengesave, dëmtimeve të pashmangshme apo baltës së pandashme, në ngjitjen e kësaj të përpjete historike, ne po e rrisim e forcojmë muaj pas muaji Shqipërinë, me një ekonomi që po rritet; me pensionet që po rriten; me pagën minimale që po rritet; me pagat e tjera që po rriten; me investimet e brendshme e të huaja që po rriten; me mbështetjen për më të dobëtit e për të sëmurët me kancer që po rritet; me investimet e brendshme e të huaja që po rriten; pa rritur asnjë taksë dhe duke përmirësuar hap pas hapi punën e institucioneve të shtetit. Shqipëria punon dhe fiton përditë e më shumë respekt”, tha Rama.
Me rastin e çeljes së grupkapitullit të fundit reagoi edhe ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali. Ajo e konsideron një fazë historike për Shqipërinë dhe një premtim të realizuar.
“Pak kush e besonte. Por sot, ai që dukej angazhim i pamundur, është bërë realitet. Më datë 17 nëntor 2025, Shqipëria do të hapë bisedimet për 5 kapitujt e përfshirë në Klasterin 5 – “Bujqësia, Kohezioni dhe Burimet”. Një fazë historike për Shqipërinë, një gur kilometrik në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe një moment krenarie për çdo shqiptar, brenda dhe jashtë vendit. Kjo është ajo që sjellin reformat, vullneti i palëkundur politik, përkushtimi dhe bashkëpunimi i ngushtë me institucionet dhe vendet anëtare të Bashkimit Europian”, shkroi ajo në rrjetet sociale.
Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE nisi zyrtarisht në korrik të vitit 2022 me Konferencën e parë Ndërqeveritare. Deri më sot janë mbajtur gjashtë konferenca të tjera, ku janë hapur kapituj të rëndësishëm që përfshijnë ekonominë, tregun e brendshëm, konkurrueshmërinë, arsimin, politikat sociale, marrëdhëniet e jashtme, transportin, ndërveprueshmërinë, energjinë dhe mjedisin.







