Kryeministri Edi Rama ka shpallur rritjen historike të pagës minimale në 500 euro (500 mijë lekë), duke theksuar se masa do të shoqërohet me një lehtësim të përkohshëm për bizneset.
“Në mënyrë që punëdhënësi të ketë kohë për t’u përshtatur me këtë rritje, për 9 muajt e parë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore do t’i mbulojë qeveria për të gjithë ata që kanë pagë nën 500 euro,” – deklaroi Rama gjatë një dëgjese publike për buxhetin 2026.
Sipas tij, rritja e pagës minimale do të vazhdojë progresivisht, me synimin që brenda këtij mandati ajo të arrijë në 700 euro.
Kreu i qeverisë u ndal edhe te punëdhënësit që fshehin pjesë të pagës për të shmangur detyrimet tatimore, duke kërkuar bashkëpunim nga vetë punonjësit:
“Ka vetëm një zgjidhje: ose denoncoje, ose përtype. Shteti nuk mund t’i gjurmojë dot të gjithë punëdhënësit që bëjnë hile. Ne kemi vendosur me ligj që punonjësi që denoncon nuk mund të pushohet nga puna,” – tha Rama.
Ai shtoi se rritja e pagës minimale do të reflektohet edhe në pagat e tjera të punonjësve të shtetit, përfshirë mësuesit, policët dhe personelin shëndetësor, duke theksuar se “rritja do të ndodhë përsëri vit pas viti”.







