Në Romë do të zhvillohet të enjten takimi i parë ndërqeveritar Itali–Shqipëri. Pallati Chigi informon se takimi do të zhvillohet në orën 11:30 në Villën Doria.
Në takim pritet të marrin pjesë edhe nga 10 ministra nga secila qeveri. Në agjendë është e parashikuar që fillimisht të ketë takime bilaterale mes ministrave. Rama dhe Meloni do të kenë gjithashtu një takim tet-a-tet dhe më pas edhe një mbledhje të përbashkët të të dy kabineteve. Mes dy qeverive pritet të nënshkruhen edhe disa marrëveshje. Qeveria italiane thotë në njoftimin zyrtar se do të diskutohet mbi disa çështje.
“Takimi do të jetë një mundësi për të vlerësuar bashkëpunimin dypalësh dhe për të rënë dakord për nisma të mëtejshme që synojnë forcimin e partneritetit strategjik midis Romës dhe Tiranës, duke identifikuar disa sektorë kyç, duke përfshirë mbrojtjen dhe sigurinë, energjinë, migracionin, mbrojtjen civile, shëndetësinë, mjedisin, zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturën, me fokus në trajnimin profesional në secilin prej sektorëve të bashkëpunimit të lartpërmendur.”
Në prag të kësaj mbledhjeje, qeveria shqiptare miratoi në parim një marrëveshje për bashkëpunim strategjik me qeverinë italiane, në të paktën 10 fusha, që nga shëndetësia, energjia e mjedisi deri te industria e sigurisë.
Një marrëveshje që shihet me interes nga të dyja qeveritë është ajo që parashikon ndërtimin e linjës së re nënujore mes dy brigjeve të detit Adriatik, që do të mundësojë prodhimin dhe transferimin nga vendi ynë drejt Italisë të energjisë nga burime të rinovueshme, si era dhe dielli.
Një marrëveshje e rëndësishme ishte edhe ajo për transferimin e emigrantëve nga Italia në qendrat e ngritura në Shëngjin dhe Gjadër.
Falë bashkëpunimit mes dy qeverive, që nga 1 korriku rreth 421 mijë shqiptarë u janë njohur kontributet shoqërore për efekt pensioni.







