HomeRajoniFaza përgatitore për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, delegacioni i Grupit Rajonal të...

Faza përgatitore për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, delegacioni i Grupit Rajonal të Koordinimit dhe Këshillimit (RCAG) vizitë në Kosovë

Advertismentspot_img

Përfaqësuesit e Grupit Rajonal të Koordinimit dhe Këshillimit (RCAG), kompania fituese për hartimin e projektit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, zhvilluan nga 4 deri më 6 nëntor vizitën e tyre të parë në terren në kryeqytetin e Kosovës.

Sipas agjencisë KosovaPress, qëllimi i vizitës ishte nisja e bashkëpunimit praktik në fazën përgatitore të projektit dhe krijimi i një kuptimi të përbashkët mes palëve për drejtimin e punës dhe pritshmëritë që lidhen me organizimin e ngjarjes.

Gjatë vizitës, delegacioni i RCAG inspektoi disa prej objekteve sportive dhe lokacioneve kryesore që pritet të përfshihen në Lojërat Mesdhetare, përfshirë stadiumin “Fadil Vokrri”, Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, bulevardet e Prishtinës (ku do të mbahen garat e 3×3 basketbollit), kompleksin e planifikuar olimpik të notit, Parkun e Gërmisë, zonën e parashikuar për Fshatin e Sportistëve, Qendrën e Komitetit Olimpik të Kosovës dhe hotelet e dedikuara për “Games Family”.

Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Aliti, tha se vizita kishte dy qëllime kryesore: planifikimin e operimeve dhe shërbimeve që do t’u ofrohen pjesëmarrësve në Lojërat Mesdhetare, si dhe vlerësimin e infrastrukturës sportive që duhet të krijohet. Ai shtoi se një ndër temat kyçe është përfshirja e burimeve njerëzore vendore, me synimin që mbi 500 të rinj nga Kosova të angazhohen në nivele të ndryshme të menaxhimit të organizimit.

Nga ana tjetër, Fidan Shatri nga Ministria e Sportit bëri të ditur se rekomandimet e dala nga kjo vizitë do të përfshihen në masterplanin e përgjithshëm të Lojërave Mesdhetare.

Vizita shënoi fillimin e fazës së parë të projektit, të njohur si faza “Discover”, e cila synon bashkërendimin e punës mes ekspertëve ndërkombëtarë dhe Komitetit Organizator të “Prishtina 2030”. Gjatë qëndrimit, u mbajtën diskutime mbi çështje kyçe si struktura organizative dhe qeverisja e Lojërave, menaxhimi i projektit, planifikimi i programeve sportive, masterplani i objekteve, si dhe menaxhimi i burimeve dhe rreziqeve.

Në përbërje të delegacionit të RCAG-së ishin Rob Clarke, Egemen Onen, Erin McEvoy, Neil Carney dhe Dave Berry, ndërsa Ben Emerson ndoqi zhvillimet në mënyrë virtuale. Në takime morën pjesë edhe përfaqësues të Komitetit Organizator “Prishtina 2030” dhe institucioneve vendore.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, njoftoi se drafti i parë i masterplanit do të përgatitet në bashkëpunim me ekspertët e huaj dhe do të prezantohet në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), që do të mbahet në fund të nëntorit në Portugali.

“Sot kemi parë draftin e parë të planit, i cili do të shqyrtohet nga ICMG. Delegacioni i RCAG-së do të vazhdojë vizitat në disa objekte sportive në Prishtinë dhe Mitrovicë, përfshirë Qendrën e Studentëve, Pallatin e Rinisë dhe amfiteatrin e Gërmisë. Deri në asamblenë e fund-nëntorit do të jemi gati për të prezantuar punën dhe përgatitjet tona”, deklaroi Krasniqi.

Vizita u përmbyll me përgatitjen e një plani të detajuar pune dhe përcaktimin e hapave të ardhshëm drejt fazës së dytë të organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular