HomeOP EDHarta e Besës, nga 3% mosbesim te një Shqipëri që i beson...

Harta e Besës, nga 3% mosbesim te një Shqipëri që i beson vetes! Nga Arian Galdini

Advertismentspot_img

Nga Arian Galdini
Kjo hartë më doli përpara si një lloj EKG-je e fshehtë të botës. Aty janë vizatuar shtete e kontinente, ndërsa në të vërtetë maten pulset e besimit mes njerëzve. 

Të dhënat vijnë nga një seri sondazhesh globale, Integrated Values Surveys, ku mijëra qytetarë në çdo vend u përgjigjen të njëjtës pyetje të thjeshtë, sa besim kanë te shumica e bashkëqytetarëve të tyre. 

Visual Capitalist dhe Our World in Data e kanë kthyer këtë bazë të dhënash në një atlas të besimit shoqëror, ku çdo përqindje shënon sa njerëz ndihen të qetë t’ia besojnë fjalën tjetrit.

Në njërin skaj të këtij atlasi shfaqen vende ku më shumë se gjysma e shoqërisë e ndien tjetrin të besueshëm. 

Në skajin tjetër paraqitet Shqipëria me vetëm tre për qind. 

Kjo shifër flet për kontrata të lexuara me ankth, për sportele ku marrëdhënia nis me dyshim, për investime që hezitojnë të afrohen. 

Pikërisht ky kontrast, kjo pamje botërore ku vendi ynë mbetet në zonën e mosbesimit ekstrem, më shtyn të reflektoj dhe të shkruaj këto radhë për një hartë të re të besës.

Harta për të cilën po shkruaj sot, nuk vizaton male e lumenj, ajo mat gjendjen e zemrave. Tre për qind. Tre njerëz nga njëqind pohojnë se shumicës së bashkëqytetarëve mund t’u besohet (sipas matjeve të World Values Survey/European Social Survey, me pyetjen standarde dhe metodologjinë e publikuar). 

Kjo shifër nuk qëndron si numër i ftohtë në një tabelë, ajo rreh si një puls i përbashkët, që shpjegon përse kontratat zvarriten, përse nënshkrimet shumohen pa nevojë, përse investimi heziton, dhe përse një sportel i vetëm e rëndon një ditë të tërë. 

Mosbesimi, në fund të fundit, nuk shfaqet si mendim i lirë, por si kosto që prek jetën e përditshme.

Rrënjët e kësaj gjendjeje duken të thella. 

Për shumë vite, një regjim i mbështetur te vëzhgimi i përhershëm i mësoi njerëzit të flasin me nëntekst, të mbajnë fjalën të kursyer dhe të dyzojnë qëndrimet. 

Më pas, një tranzicion i gjatë dhe i pabarabartë solli ligje pa prestigj dhe institucione pa kujtesë, një ekonomi që u rrit më shpejt se etika që duhej ta shoqëronte, një liri që mbeti shpesh pa busull. 

Brenda këtij peizazhi u formua, pa bujë, njeriu i dyshimit të zakonshëm, i mençur për t’u vetëruajtur, por i varfër në besë.

Megjithatë, kjo tablo nuk e mbyll horizontin. 

Qytetet tona mbartin kujtime besëlidhjesh të mëdha, ndërsa gjuha jonë ruan fjalën që nuk e pjesëtojnë as rrebeshet sociale, as stuhitë ekonomikë e as tufanet politike, e kjo fjalë është, besa. 

Prej këtej mund të fillojë një shteg i qartë. Familja e ushqen karakterin e njeriut, ligji ia mbron dinjitetin, besa i lidh njerëzit në një fjalë të përbashkët. 

Kjo triadë, e thjeshtë në dukje dhe e thellë në kuptim, mund të bëhet bosht i një politike që e kthen hartën e mosbesimit në hartë të ndërmarrjeve e zotimeve të mbajtura. 

Pa familje, ligji ftohet, pa ligj, familja mbetet e pambrojtur, pa besë, fjala e humbet qendrën e saj. 

Kur këto tri shtylla takohen, shifra nuk mbetet më përcaktim fati, por bëhet pikënisje për një rrugë që e vendos dinjitetin në zemër të jetës së përbashkët.

Ligji si rit i mbajtjes së fjalës

Kur një shoqëri flet për ligjin, në thelb flet për mënyrën se si mban fjalën me vete dhe me tjetrin. 

Çdo gjykatë shfaqet si një altar i vogël ku fjala e dhënë, kontrata e nënshkruar, liria e cenuar apo e kërkuar, futen në një rrugëtim kohe deri te vendimi. 

Koha që zgjat ky rrugëtim tregon sa peshë ka fjala në atë vend, sa respekt gëzon njeriu i zakonshëm përballë sistemit dhe sa siguri ndjen se e vërteta gjen strehë.

Pikërisht këtu hyn “Koha e Drejtësisë” si instrument i ri matës. 

Çdo muaj, për secilën gjykatë civile e penale, shfaqet harta e kohëzgjatjes së çështjeve, si një EKG e dukshme e ritmit të drejtësisë. 

Vëmendja përqendrohet te çështjet me vlerë nën 10 000 euro, aty ku hyjnë borxhet e thjeshta, kontratat e vogla të punës, dëmet e përditshme që prekin mijëra familje. 

Nëse ne të gjithë do të punonim për shkurtimin me 20 – 30 për qind të kohës së tyre do të krijonim ndjesinë se shteti afrohet me ritmin e jetës reale dhe se marrëdhëniet ekonomike mbështeten në besim të kthyeshëm, jo në lodhje procedurash.

Çdo vendim gjykate do të duhet të  shoqërohet me arsyetim të plotë të publikuar brenda afatit, si një rrëfim i qartë për arsyen, provat, ligjin dhe masën e dhënë. 

Ky arsyetim nuk shërben thjesht për dosjen, ai bëhet tekst i hapur që mund të lexohet nga qytetari, avokati, studiuesi i së drejtës, sipërmarrësi që kërkon të kuptojë klimën gjyqësore të vendit. 

Sa më i kthjellët ky arsyetim, aq më e lexueshme bëhet ndërgjegjja juridike e shoqërisë.

Shpërndarja elektronike e çështjeve me short të audituar siguron largësi të njëjtë nga palët, shmang lidhjet e fshehta dhe mbron idenë se drejtësia mbështetet te parimi, jo te rasti. 

Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, gjykatat dhe prokuroritë do të duhet të marrin mbi vete pronësinë e këtij ritmi të ri. 

Dhe nëse do të kishim realisht një sistem politik normal dhe shërbestar ndaj shtetit, qytetaëve e shoqërisë, në vend të Reformave Shtetkapëse, sot do të ishim duke folur e diskutuar për këto çështje e shërimin e tyre. 

Sot do të ishim duke folur sesi mund të ishin vendosur afate që brenda një viti synohet të arrihet të paktën 25 për qind ulje e kohëzgjatjes mesatare për çështjet e vogla dhe të paktën 85 për qind e vendimeve të kenë arsyetim të publikuar brenda tridhjetë ditësh. 

Këta tregues shndërrohen në termometrin etik të sistemit, në provë të heshtur se ligji shërben besën dhe fjala që jepet merr dritë.

Integritet i verifikueshëm.

Integriteti i verifikueshëm do të niste nga një parim i thjeshtë, çdo dorë që prek financën publike të shihet qartë, me emër, me përgjegjësi dhe me gjurmë të lexueshme deri në qindarkën e fundit. 

Arkitektura e këtij parimi do të mbështetej mbi një regjistër të hapur të konflikteve të interesit, ku vendimmarrësit, anëtarët e komisioneve dhe drejtuesit e çdo enti buxhetor do të shfaqeshin me lidhjet e tyre familjare, profesionale e pronësore, në mënyrë që publiku të kuptojë se kush flet, nga cili pozicion dhe me çfarë interesash të ndërthurura.

Për kontratat me vlerë mbi pesëdhjetë mijë euro do të dëshirohej një regjistër i posaçëm i pronësisë përfituesve, ku të shfaqeshin pronarët realë të kompanive dhe jo vetëm emrat formalë në letra. 

Një hartë e tillë pronësie do t’i jepte kuptim fjalës “përgjegjësi”, sepse çdo fitim nga paraja publike do të kishte fytyrë, adresë dhe histori.

Tenderët e mëdhenj, me vlerë mbi një milion euro, do të shoqëroheshin me pakte integriteti të nënshkruara nga institucionet, kompanitë dhe shoqëria civile, ku palët angazhohen paraprakisht për transparencë, konkurrencë të ndershme dhe refuzim të çdo marrëveshjeje të fshehtë. 

Vetë kontratat do të hartoheshin në formate të lexueshme për njeriun dhe për makinat, XML apo JSON, me nënshkrim elektronik të verifikueshëm, në mënyrë që të mund të analizohen, krahasohen dhe monitorohen lehtësisht.

Sistemi i e-faturimit do duhej të hapej me një API publike, që studiuesit, gazetarët, organizatat dhe vetë qytetarët të mund të shohin ritmin e pagesave, afatet e shërbimeve dhe rastet e anulimeve. 

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ILDKPKI, AKSHI dhe të gjitha entet buxhetore do të duhej ta mbanin së bashku këtë arkitekturë të ndriçuar, me objektivin që të paktën nëntëdhjetë e pesë për qind e faturave të paguheshin brenda tridhjetë ditësh, çdo tender i madh të kishte pakt integriteti dhe çdo kontratë mbi pesëdhjetë mijë euro të kishte pronarët përfitues të deklaruar. 

Të dhënat mujore të hapura do të ktheheshin në një kronikë të gjallë të sjelljes së shtetit ndaj parasë së përbashkët, në mënyrë që integriteti të mos mbetet cilësi morale abstrakte, por gjendje e verifikueshme e financës publike.

Edukim me shërbim.

Edukimi që rrit besën do të kishte nevojë të lidhej gjithnjë e më shumë me shërbimin. Shkolla dhe universiteti do të shiheshin si vende ku rriten njerëz të formuar për përballjen me jetën, jo vetëm mbartës diplomash. 

Në këtë vizion, çdo nxënës e student do të kalonte së paku tridhjetë orë në vit në veprimtari konkrete shërbimi ndaj komunitetit. 

Kujdesi i përditshëm për të moshuarit, leximet me fëmijët në biblioteka lagjesh, pastrimi i një segmenti lumi, rregullimi i një këndi leximi a i një parku do të kthenin përemrin “ne” nga fjalë gramatike në përvojë të ndjerë në trup e në mendje.

Në klasë do të duhej të hynte me dinjitet etika e fjalës. 

Mësuesit dhe pedagogët do të duhej të trajtonin premtimin, kontratën dhe fjalën e dhënë si tema po aq të rëndësishme sa matematika, letërsia apo fizika. 

Nëse vihemi sot të gjithë në lëvizje për këtë vizion, nxënësit do të shihnin se çfarë pasoje sjell një premtim i pambajtur, se si një kontratë e respektuar krijon urë besimi, se si fjalët ndërtojnë ose rrënojnë marrëdhëniet. 

Çdo detyrë shërbimi në terren do të lidhej me reflektim në klasë, me ditarë personalë dhe biseda të hapura ku të rinjtë tregojnë se çfarë kanë mësuar për veten dhe për shoqërinë.

Ministria e Arsimit dhe e Sportit, së bashku me bashkitë, do të merrnin përgjegjësi të përbashkët për këtë kurrikulë të shërbimit. 

Çdo vit shkollor do të përmbyllej me një raport kombëtar ku tregohet sa orë shërbimi janë zhvilluar, cilat komunitete janë prekur, cilat histori ndryshimi kanë lindur nga takimi i të rinjve me lagjen e tyre. 

Kënaqësia e komunitetit do të matet me pyetje të drejtpërdrejta ndaj banorëve, sa e vlerësojnë praninë e nxënësve, sa besim fitojnë te brezi i ri, sa janë gati ta mbështesin një program të tillë. 

Një nivel vlerësimi mbi +40 në këtë shkallë besimi do të tregonte se edukimi me shërbim ka filluar të kthehet në rit të ri të jetës sonë qytetare, ku mësimi, besa dhe veprimi ecin së bashku.

Rit i së vërtetës

Riti i së vërtetës do të kishte si themel idenë se kujtesa e një kombi nuk mbyllet në korniza fotografish, në pllaka përurimi a në ceremoni formale. 

Ajo merr frymë përditë dhe kërkon ritëm të vetin. Në një Shqipëri që dëshiron të shërojë plagët e së shkuarës totalitare dhe të tranzicionit të palexuar, kjo kujtesë do të merrte formën e një kalendari edukativ gjatë gjithë vitit. 

Çdo muaj do të lidhej me një ngjarje, një dosje, një emër, një vend ku ka ndodhur padrejtësi, qëndresë, kompromis apo guxim qytetar.

Nxënësit e klasave të teta deri në të dymbëdhjetën do të përfshiheshin në një modul të posaçëm me titull “Memoria Civile”. 

Në këtë modul do të shiheshin dokumente origjinale, fletë-aresti, procese gjyqësore, ditarë personalë, fotografi e regjistrime, gjithmonë të shpjeguara me kujdes pedagogjik. 

Qytetari i ri nuk do të mbështetej te thashethemet a rrëfimet e mjegullta, po te emri, data, fakti i dokumentuar. 

Kështu, e shkuara e vërtetë do të bëhej mësuese e karakterit, jo burim i pafund hamendjesh.

Ministria e Kulturës dhe MSA ministria përgjegjëse për arsimin e mesëm e të lartë, do të mbanin së bashku përgjegjësinë për këtë rit. 

Synimi do të ishte që të paktën tetëdhjetë për qind e nxënësve të kalojnë çdo vit nëpër këtë modul dhe çdo shkollë e vendit të hartojë një raport vjetor zbatimi ku tregohet çfarë u lexua, cilat vende u vizituan, cilat biseda u hapën.

Shoqëria që arrin të shpjegojë me qetësi se çfarë ka ndodhur dje, fillon ta shohë të nesërmen me më pak frikë dhe me më shumë besim. 

Riti i së vërtetës kthehet kështu në një puls të butë, që rreh nëpër klasa, biblioteka dhe muzeume, e i kujton çdo brezi se besa lind edhe nga mënyra se si trajtohet kujtesa.

Besa Index, të masim besimin.

Besa do të kishte edhe një numër përkrah fjalës. Ky numër mund të quhej “Besa Index”, një shkallë nga zero deri në njëqind që tregon sa të besueshme ndihen marrëdhëniet mes qytetarit dhe shtetit. 

Ai do të lindte nga katër rrjedha konkrete të jetës institucionale dhe financiare, të mbledhura në një tregues të vetëm, të kuptueshëm edhe për njeriun më pak të mësuar me statistika.

Pjesa më e madhe e peshës, rreth tridhjetë për qind, do t’i takonte përqindjes së kontratave publike të përfunduara në afatin e rënë dakord. 

Çdo punë e kryer në kohë do të shënonte një pikë të vogël besimi, çdo vonesë do të ulte temperaturën e këtij treguesi. 

Një tjetër shtyllë, me peshë njëzet e pesë për qind, do të ishte koha mesatare e rimbursimit tatimor për bizneset dhe qytetarët. 

Sa më shpejt kthehen mbrapsht detyrimet e tepërta, aq më i fortë mesazhi se administrata trajton me respekt partnerët e saj.

Po aq peshë, njëzet e pesë për qind, do të kishte pjesa e vendimeve gjyqësore të shoqëruara me arsyetim të plotë, të botuar në afat të qartë. Ky arsyetim shfaq në dritë mënyrën si mendojnë gjyqtarët dhe si zbatohet ligji. Pjesa e mbetur, njëzet për qind, do t’i besohej auditimit të shortit elektronik në gjykata, si provë që ndarja e çështjeve kryhet me rregull dhe me drejtësi procedurale.

Ky tregues i përbashkët do të përgatitej çdo tremujor dhe do të paraqitej në një faqe të vetme me të dhëna të hapura, ku mund të hyjë kushdo që dëshiron të shohë ecurinë e besës në vend. 

Për këtë rit do të kujdeseshin disa institucione së bashku, Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili vëzhgon mënyrën si përdoret paraja publike, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, që mban pulsin e buxhetit,Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që mbikëqyrin sistemin e drejtësisë, si edhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, që njeh nga afër marrëdhënien mes shtetit dhe atyre që krijojnë pasuri. Besa Index do të kthehej kështu në një pasqyrë të përditshme të karakterit institucional dhe në një ftesë të heshtur për ta ngritur vit pas viti këtë numër, derisa besimi të bëhet trajtë e natyrshme e jetës së përbashkët.

Qytete që rikthejnë bashkësinë

Qyteti i së ardhmes që dëshiron besë e bashkësi merr formë si një trup i gjallë ku rrugët, sheshet dhe ndërtesat lidhen me një frymëmarrje të përbashkët. 

Ndërtimi i godinave, rrugëve dhe urave e sjell vetëm kornizën materiale, bashkësia lind atëherë kur njerëzit ndihen të ftuar, të mbrojtur dhe të pranishëm në të njëjtin hapësirë. 

Qyteti i besës e tregon veten nga mënyra si i mirëpret fëmijët, të rinjtë, të moshuarit dhe të gjithë ata që zgjedhin të kalojnë ditën aty.

Në këtë vizion, pesha e gjelbërimit kthehet në një gjuhë të thjeshtë mirëseardhjeje. 

Hapësirat e gjelbra, parqet e vogla dhe rripat e pemëve përgjatë rrugëve synojnë të arrijnë të paktën pesëmbëdhjetë metra katrorë sipërfaqe të gjelbër për çdo banor. 

Çdo pemë, stol dhe shteg ecjeje bëhet ftesë e heshtur që njerëzit të ndalojnë, të takohen, të bisedojnë, të ndajnë lodhjen e ditës dhe të ndërtojnë lidhje të reja. 

Gjelbërimi i rregullt përreth shtëpisë dhe vendit të punës krijon ndjesinë se qyteti mban mend trupin e njeriut dhe ritmin e tij.

Transporti publik merr rolin e enëve të gjakut që lidhin lagjet me qendrën dhe njerëzit me njëri-tjetrin. 

Linjat urbane synojnë të mbërrijnë në stacione në të paktën tetëdhjetë e pesë për qind të rasteve sipas orarit të shpallur. 

Kjo besueshmëri në minutë e bën qytetarin të ndihet i respektuar dhe i llogaritur, sepse dita e tij planifikohet mbi një shërbim që e mban fjalën. 

Autobusi që vjen në kohë nuk bart vetëm pasagjerë, bart edhe idenë se marrëveshja midis qytetit dhe banorëve të tij ka kuptim konkret.

Nga muaji prill deri në tetor, çdo javë merr formë një “javë qytetarie”, një rit i përhershëm ku librat, muzika, leximet publike, vullnetarët, kinemaja në shesh dhe arti i rrugës endin fijet e një jete shoqërore më të dendur. 

Çdo lagje përjeton net me poezi, koncerte të vogla, panaire librash, punëtori për fëmijë dhe nisma solidariteti. 

Pjesëmarrja matet me kujdes, sepse numri i njerëzve që dalin nga shtëpia për të ndarë të njëjtin hapësirë tregon sa gjallë rreh zemra e qytetit.

Bashkia e merr mbi vete rolin e kujdestarit të kësaj arkitekture të padukshme. 

Brenda pesë vitesh synon të raportojë sipërfaqe gjelbërimi për banor, ritëm të transportit në orar dhe kalendar kulturor javor me pjesëmarrje të matur për secilin sezon. 

Nëse këto shifra ecin lart, atëherë fjalia e pashkruar në hyrje të çdo qyteti tingëllon e sinqertë: këtu jetohet, këtu bashkësia ka vend dhe besa merr frymë.

Premtimi tremujor i shërbimit

Në një shtet që kërkon t’i rikthejë dinjitetin fjalës publike, çdo institucion mund të shihet si një shtëpi shërbimi me dritare të hapura. Brenda këtij vizioni, tremujori merr formën e një riti të qetë llogaridhënieje. 

Në fillim të çdo periudhe tre-mujore, secili institucion do të duhej të shpallte qartësisht njëmbëdhjetë a dymbëdhjetë objektiva konkrete, të matshëm, me afate dhe tregues të saktë. 

Jo premtime të zhdërvjellëta, por angazhime të shkruara me gjuhën e veprimit, sa rrugë do të sistemohen, sa dosje do të përpunohen, sa shërbime do të kalojnë në formë digjitale, sa ditë pritjeje do të shkurtëhen.

Në fund të tremujorit, i njëjti institucion do të ribënte para syve të publikut një rishikim të kthjellët, sa prej këtyre angazhimeve morën jetë, sa mbetën pezull dhe pse ndodhi ky pezullim. 

Fleta e llogarisë do të mund të tingëllonte kështu, u shpallën dymbëdhjetë premtime, u përmbushën dhjetë, dy të tjerat kërkuan më shumë kohë për arsye të shpjeguara hapur. 

Kjo fjali e thjeshtë, mbase e shkruar në faqe zyrtare apo në panel të dukshëm në hyrje, do të sillte një kulturë të re, të drejtën e qytetarit për të parë udhëtimin e fjalës nga shpallja tek dorëzimi.

Për të ruajtur koherencë dhe standard të njëjtë, pranë qeverisjes qendrore do të vepronte një njësi e posaçme që merret me ndjekjen e dorëzimit, një “Njësi e Shërbimit dhe Zbatimit”, ajo që zakonisht në gjuhën teknike quhet Delivery Unit. 

Kjo njësi do të sillte në një ekran të vetëm përmbledhjen e gjithë tremujorit për të gjitha institucionet, me tabela, grafikë dhe shpjegime të thjeshta, në mënyrë që edhe qytetari i zakonshëm të kuptojë se çfarë lëviz dhe çfarë ngec.

Synimi do të ishte që së paku nëntëdhjetë për qind e angazhimeve të shpallura të ecin sipas planit dhe të shfaqen si të tillë në panele pamore tremujore. 

Kur një vend mëson të thotë me qetësi “këtë e premtuam, këtë e dorëzuam, këtu mbetëm pas dhe ja arsyeja”, besa e fjalës publike fillon të marrë formë të matur dhe të prekshme, dhe shërbimi shtetëror i afrohet gjithnjë e më shumë figurës së shërbesës ndaj qytetarit.

Objektivat e besimit (matje dhe publikim).

Një vend që e merr seriozisht hartën e besës, do të vendoste edhe shkallët e rritjes së saj, siç vendosen shenjat në mur për gjatësinë e fëmijës. 

Nga një nivel fillestar tre për qind, ku vetëm pak veta ndihen të qetë t’ia besojnë shumicës fjalën dhe nderin, synimi do të ishte të arrihej dhjetë për qind brenda dy vjetësh, njëzet për qind brenda katër vjetësh dhe tridhjetë për qind brenda pesë vjetësh. 

Këto shifra do ta përfytyronin besimin si muskul shoqëror që stërvitet me këmbëngulje, jo si dhuratë që bie nga qielli.

Matja e tij do të vinte çdo vit përmes pyetjes së njëjtë të vendosur në qendër të sondazheve të njohura ndërkombëtare. 

World Values Survey, që në shqip mund të quhet Anketa Botërore e Vlerave, dhe European Social Survey, Anketa Shoqërore Evropiane, do të kishin për Shqipërinë një zgjerim të veçantë të kampionit kombëtar, pra një përzgjedhje më të madhe të të anketuarve nga i gjithë territori. 

Ky “oversample kombëtar” do të sillte një pasqyrë më të imtësishme të gjendjes së besimit, të ndarë sipas rajoneve, moshës, gjinisë, përvojës ekonomike.

Metodologjia e këtyre matjeve do të botohej e plotë, me shpjegim të kufijve të gabimit statistikor, të mënyrës së përzgjedhjes së të intervistuarve dhe të pyetjes bazë. 

Kjo transparencë do t’u jepte studiuesve, gazetarëve dhe vetë qytetarëve mundësi të lexojnë se si është ndërtuar numri, çfarë tregon dhe si krahasohet me vitet e mëparshme.

Çdo tre muaj, panele pamore të thjeshta do të paraqisnin së bashku objektivat e vendosura dhe rezultatet e deritanishme. 

Një grafik i qartë do të tregonte ku ishte premisa fillestare, ku synohet mbërritja dhe ku gjendet në të vërtetë shoqëria në atë çast. 

Matja e rregullt, shpallja e hapur dhe korrigjimi i kursit do të formonin një rit të qetë kombëtar: herë pas here shoqëria sheh veten në sy, pranon ku qëndron, drejtimin ku dëshiron të lëvizë dhe e kthen besimin nga ndjenjë e paqartë në horizont të përbashkët që avancon tremujor pas tremujori.

Shumë zëra thonë se besimi lind vetëm në zemër dhe rrëshqet nga çdo përpjekje për t’u matur, se rruga drejt tij kalon vetëm përmes ndjenjës. 

Ky mendim bart brenda vetes një pjesë të së vërtetës, sepse besa fillon si drithërimë e brendshme, si vendim intim që njeriu merr në heshtje. 

Megjithatë historia e shoqërive tregon se fryma e brendshme merr jetë të plotë vetëm kur gjen formë jashtë vetes. 

Melodia e shpirtit ka nevojë për partiturë, ndryshe mbetet një psherëtimë që humbet në ajër. 

Besa shfaqet pikërisht në këtë çift, dritë e brendshme dhe arkitekturë e dukshme, bindje morale dhe instrumente të qarta matjeje.

Në këtë reflektim, besimi trajtohet si materie konkrete, si muskul shoqëror që stërvitet me ritëm të përditshëm. 

Koha e Drejtësisë, aftësia e shtetit për të paguar në kohë, transparenca e financave, kujtesa e shpjeguar, edukimi i lidhur me shërbimin, qytetet që rikthejnë bashkësinë dhe treguesit e besës shpalosen si pjesë të një simfonie të vetme. 

Ligji hyn në skenë jo si tekst i ftohtë, administrata shfaqet jo si aparat anonim, qytetari qëndron në qendër jo si spektator i lodhur. 

Kur këto tre shtylla fillojnë të rrahin në të njëjtin rit, fjala merr peshë, afati bëhet rit, e drejta bëhet strehë e besueshme.

Këto radhë kanë lindur pasi një hartë botërore e besimit u bë pasqyrë e imët e gjendjes sonë. 

Shqipëria në skajin e mosbesimit nuk shihet këtu si dënim, as si rast për ankesë pa fund. 

Me këtë reflektim synoj të tregoj se e njëjta hartë mund të lexohet si ftesë për një kthesë epoke. 

Në vend të një fjale që vetëm konstaton plagët, ky tekst përpiqet të ndërtojë një vizion ku reformat marrin frymë, ku statistikat bëhen kujtesë e gjallë e përpjekjes, ku çdo instrument matjeje kthehet në urë drejt një morali më të qëndrueshëm publik.

Në këtë kuptim, çfarë kam shkruar këtu, sillet më afër besëlidhjes publike sesa opinioneve të ditës. 

Shkruhet me bindjen se mosbesimi ka kosto të matshme në ekonomi, në nder, në qetësi juridike, në cilësinë e jetës së përditshme. 

Shkruhet po ashtu me besimin se e njëjta shoqëri që përjeton peshën e këtij mosbesimi, mban brenda vetes edhe energjinë për ta kthyer drejtimin. 

Matja e rregullt, publikimi i hapur, pranimi i gabimit, rishikimi i kursit, rritja graduale e objektivave shfaqen si ritual i një brezi që dëshiron të lërë pas vetes jo thjesht ndërtesa e projekte, po një temperaturë të re besimi.

Në horizontin që hapet nga ky vizion, Shqipëria shikohet si vendi ku harta e besës ndryshon ngadalë ngjyrë. 

Një brez fëmijësh imagjinohet teksa hap një atlas të ri shoqëror dhe sheh se atdheu i tyre qëndron më pranë vendeve ku shumica e njerëzve e shohin tjetrin si partner, jo si kërcënim. 

Fjala e dhënë aty merr formën e një guri themeli mbi të cilin ndërtohen marrëdhëniet, afatet e shërbimeve ritmizohen me jetën reale, ligji shfaqet si mburojë që mbron të dobëtin, familja dhe shkolla kthehen në laboratorë karakteri.

Gjithë sa kam shkruar këtu, dëshiroj të lexohet si ftesë për një kapitull të ri epokal, për një Shqipëri që i beson vetes, që e shkruan këtë besim në ligje, në procedura, në kalendarë shërbimi, në harta kujtese, në qytete që mbajnë brenda vetes frymën e bashkësisë. 

Tri për qind shihet si shenjë e një kohe që po mbyllet, jo si vulë e përjetshme. 

Vizioni që ndizet këtu sheh përpara një vend ku besa bëhet kapitali më i vlefshëm, ku fjala e përbashkët merr trajtën e një drite që udhëheq reformat dhe e bën të prekshëm premtimin e një Shqipërie më të drejtë, më të qetë dhe më të besueshme.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular