Qeveria shqiptare do të financojë kontratën koncensionare me Partneritet Publik-Privat (PPP) për ndërtimin e inceneratorit fantazmë të Tiranës edhe 30 milionë euro për periudhën 2026-2028, sipas të dhënave zyrtare në projektbuxhetin e vitit 2026.
Edhe pse impianti nuk po ndërtohet, qeveria vijon të kryejë pagesat me një korrektësi të lartë, nga të gjitha kontratat e tjera të investimeve publike.
Këto pagesa vijnë në një kohë kur nuk është bërë asnjë investim për impiantin, ndërsa mbetjet e kryeqytetit vazhdojnë të depozitohen në landfillin ekzistues të Sharrës.
Ministria e Financave më parë justifikoi vazhdimin e financimeve me nevojën për të respektuar detyrimet kontraktuale dhe për të shmangur penalitetet, duke pranuar dobësitë e kontratës ku fondet disbursohen pa kuotat e punimeve. Kjo ndodh edhe pse ligji organik i buxhetit dhe një seri udhëzimesh nuk lejojnë pagesa buxhetore pa një situacion punimesh.
Deri në 22 tetor 2025, buxheti ka dhënë mbi 8,9 miliardë lekë ose mbi 90 milionë euro për ndërtimin e objektit që nuk ekziston, sipas të dhënave nga Open Data Albania.
Ndërkohë, Bashkia e Tiranës përfshin çdo vit në planifikimet buxhetore shuma të konsiderueshme për shërbimin e pastrimit dhe menaxhimin e mbetjeve, ndërsa kontrata e inceneratorit parashikohet të përfshijë edhe fazën e djegies me prodhim energjie, fazë që ende nuk ka nisur dhe deri tani ka djegur vetëm fondet publike.
Qeveria Shqiptare në vitet 2016-2017 planifikoi ndërtimin e 3 incineratorëve në Elbasan me kapacitet 140 ton/ditë, në Fier me kapacitet 200 ton/ditë dhe Tiranë me kapacitet 920 ton/ditë.
Incineratorët në Elbasan dhe Fier janë financuar me skemën e Partneritetit Publik – Privat (PPP), tashmë janë jashtë funksionit pasi rezultuan tërësisht kontratat korruptive të vërtetuara nga hetimet e SPAK.







