Koloneli e diplomati britanik, ka pasur një kontribut të madh, në lirinë e pavarësinë e Shqipërisë. E Ngarkuara me punë e Ambasadës Britanike në Tiranë Julia Sutherland vlerësoi rolin e tij.
“Kolonel Herbert besonte thellësisht në të drejtën e kombeve për vetëvendosje dhe dinjitet. Në një kohë kur zëri i Shqipërisë ishte i brishtë, ai e dha të vetin, i udhëhequr jo nga interesi, por nga bindja dhe dhembshuria. Trashëgimia e tij na kujton se diplomacia nuk është vetëm arti i negociatave, por akti i mirëkuptimit, i të qëndruarit pranë të tjerëve në ndjekjen e lirisë dhe identitetit të tyre”, tha Sutherland.
Si mbrojtës i kauzës së shqiptarëve në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, Herbert dhe fondacioni që mbante emrin e tij ka lënë gjurmë edhe në qytetin e Kavajës. Kreu i bashkisë foli për vlerësim të figurës së tij.
“Në vitin që vjen kemi 100 vjetorin e shkollës dhe do të kujtojmë edhe figurën e Herbert dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm ne Qerret në Kavajë”, tha Fisnik Qosja.
Ndërsa ai ndërroi jetë në moshë të re, misionin e tij e vijoi e ëma, Leidi Karnavon. Historianë e studiues vunë në dukje, se si nënë e bir në kohë të ndryshme ndihmuan shqiptarët dhe refugjatët nga Kosova. “Ai ka pritur delegacionin Shqiptar në Konferencën e Londrës, ka pritur Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin.
Ai i ka pritur dhe ka ngritur komitetin që loboi për pavarësinë e Shqipërisë në Londrës. Duke qenë se ai vdiq i ri, e ëma, Lady Carnavon, themeloi një fondacion me emrin e të birit dhe pati shumë fonde për të ndërtuar shkolla e spitale në disa qytete të Shqipërisë”, tha studiuesi Bejtullah Destani.









