Ndryshe nga një vit më parë, Panairi i 28-të i Librit në Tiranë ka nisur me një frymë të re, duke rikthyer pas një viti mungese edhe çmimin e letërsisë për fëmijë. Një rikthim që vjen si vlerësim për krijimtarinë e autorëve shqiptarë.
Në ditën e dytë të panairit, aktivitetet nisën pikërisht me këtë temë, ku autorët shqiptarë prezantuan botimet e tyre më të fundit, ndërkohë që mëngjeset u mbushën me praninë e fëmijëve të shkollave, të cilët vizituan stendat e Panairit të Librit.
Por, përtej festës së librit, autorët shqiptarë nuk fshehin shqetësimet për disa problematika që shoqërojnë tregun e librit për fëmijë.
“Nuk mund të pretendojmë të kemi shumë lexues të kësaj letërsie vetëm se kemi shumë tituj dhe kemi cilësi, por duhet të kemi librari, biblioteka, të kemi familje aktive. Kur të punojnë të gjitha hallkat e këtij zinxhiri, do të kemi një brez më të mirë”, tha shkrimtarja Rovena Rrozhani.
“Problematikat akoma vazhdojnë të ekzistojnë, por shoh që vit pas viti po reduktohen dhe letërsia shqiptare për fëmijë po shkon në vendin e duhur,” tha shkrimtarja Valbona Banka.
“Mendoj gjithmonë që një fëmijë nuk lexon shumë sepse ndoshta nuk ka gjetur librin e duhur. Këtu duhet të këmbëngulim edhe ne si shkrimtare, të sjellim librin e duhur për ta”, tha shkrimtarja Sevi Lami Agolli.
Megjithatë, prania e madhe e fëmijëve në panair tregoi se leximi mbetet një ritual i dashur. Ndër stendat e mbushura me ngjyra e ilustrime, ata shfletonin me kureshtje librat e rinj, duke dëshmuar se interesi për letërsinë është ende i gjallë. RTSH







