Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) ka organizuar një mbrëmje miqësore dhe mirënjohjeje në nder të Drejtorit të Përgjithshëm të Intesa Sanpaolo Bank Albania, z. Alessandro D’Oria, me rastin e përfundimit të mandatit të tij në Shqipëri. Z. D’Oria mbante postin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv dhe Anëtarit të Bordit Drejtues të bankës që prej shtatorit 2021.
Gjatë eventit, anëtarët e Bordit Mbikëqyrës të AAB dhe kolegë të z. D’Oria nga Intesa Sanpaolo Bank Albania shprehën vlerësimin e tyre për kontributin e tij të çmuar në forcimin e bashkëpunimit brenda sektorit bankar, si dhe për qasjen e tij profesionale e bashkëpunuese gjatë katër viteve të fundit në Shqipëri. Me një karrierë prej 38 vitesh në sistemin bankar, në Itali dhe në tregjet ndërkombëtare, z. D’Oria u vlerësua për lidershipin e tij të qetë, përkushtimin ndaj ekselencës dhe për kontributin e tij në zhvillimin e tregut vendas.
Në mbrëmje ishte i pranishëm edhe pasardhësi i tij, z. Giuseppe Giampietro, Drejtori i ri i Përgjithshëm Ekzekutiv i Intesa Sanpaolo Bank Albania. Ai sjell në këtë pozicion mbi 25 vite përvojë ndërkombëtare brenda Grupit Intesa Sanpaolo, ku ka mbajtur role të rëndësishme në fushën e bankingut korporativ dhe atë të investimeve.
Pjesëmarrësit në mbrëmje i uruan mirëseardhje në Shqipëri dhe shprehën besimin se përvoja e tij e pasur do të vijojë të kontribuojë në forcimin e sektorit bankar dhe në rritjen e mëtejshme të marrëdhënieve midis bankave anëtare të AAB.







