HomeKultureElegancë dhe poezi vizuale: Sukses i piktorit shqiptar Gentian Zeka para publikut...

Elegancë dhe poezi vizuale: Sukses i piktorit shqiptar Gentian Zeka para publikut rumun

Advertismentspot_img

Ekspozita “Gjurmë dhe shenja” në Bibliotekën Kombëtare të Rumanisë
Biblioteka Kombëtare e Rumanisë, në bashkëpunim me Shoqatën Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR), organizoi të enjten, më 13 nëntor 2025, në orën 18:00, çeljen e ekspozitës së grafikës dhe vizatimit „Amprente și semne / Gjurmë dhe shenja” të artistit të njohur shqiptar Gentian Zeka. Ekspozita u hap në sallën “Dealu Spirii” dhe u prit me interes të veçantë nga komuniteti kulturor, studiuesit, artistët dhe dashamirësit e artit.
​Në ceremoninë e hapjes përshëndetën parlamentari rumun dhe përfaqësuesi i pakicës së shqiptarëve të Rumanisë, Bogdan Alin Stoica, si dhe Dr. Radu Săvulescu, kryetar i ALAR-it. Të dy theksuan rëndësinë e bashkëpunimit kulturor rumuno-shqiptar dhe mbështetjen e vazhdueshme për promovimin e krijuesve shqiptarë në Rumani.
​Gentian Zeka, lindur në vitin 1957 në Pogradec, është një nga artistët më të shquar të artit bashkëkohor shqiptar. Ai ka përfunduar studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, ndërsa veprat e tij janë paraqitur në Austri, Gjermani, Rumani, Maqedoninë e Veriut, Suedi, Shqipëri dhe vende të tjera. Krijimet e Zekës gjenden në koleksione private në SHBA, Angli, Francë, Australi, Itali, Rumani dhe shumë vende të tjera. Gjatë karrierës së tij është vlerësuar me çmime të rëndësishme, ndër të cilat Çmimi II “Vangjush Mio” (2006) dhe Çmimi I “Vangjush Mio” (2008), në kuadër të Konkursit Kombëtar të Arteve Pamore në Shqipëri.
​Grafikat e Zekës janë konsideruar si bizhuteri formash, linjash, aluzionesh dhe sugjerimesh, të frymëzuara nga pasuria e formave të natyrës dhe të realizuara me një finesë, elegancë dhe hijeshi të rrallë. Në ekspozitën „Amprente și semne”, artisti eksploron shprehësinë e vijës dhe të formës, duke ofruar një udhëtim delikat e poetik në memorien vizuale dhe shpirtërore të njeriut bashkëkohor. Kritika e ka cilësuar artin e tij si një “poezi të dritës”, ku estetika ndërthuret natyrshëm me reflektimin filozofik dhe dimensionin e thellë shpirtëror.
​Në hapjen e ekspozitës morën fjalën edhe Luiza Emilia Persu, piktore dhe përfaqësuese e Unionit të Artistëve Vizualë të Rumanisë, si dhe piktori Nicolae Ionescu, kuratori i ekspozitës, dhe kritiku i artit Luan Topçiu. Ata vlerësuan lart shprehjen artistike të Zekës, duke e cilësuar si një mjeshtër të rafinuar, të dalluar për elegancën, sqimën, forcën krijuese dhe thellësinë e mesazhit—një artist i madh i artit bashkëkohor.
​Ekspozita u zhvillua në kuadër të edicionit të VII-të të Ditëve të Kulturës Shqiptare në Rumani, program kulturor i organizuar nga Shoqata Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR), i cili synon të forcojë dhe pasurojë dialogun kulturor mes Shqipërisë dhe Rumanisë.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular