Qeveria ka depozituar në Kuvend një projektligj që parashikon ndryshime në ligjin “Për sistemin e taksave vendore”, me synimin kryesor për të përjashtuar nga pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë investimet publike të financuara nga buxheti i shtetit dhe nga njësitë e vetëqeverisjes vendore. Përjashtimi do të vlejë për projektet në arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale, fusha të cilat konsiderohen prioritare për zhvillimin social të vendit.
Por referuar relacionit, aktualisht taksa e ndikimit në infrastrukturë varion nga 1 deri në 3% të vlerës së investimit për të gjitha bashkitë, ndërsa në Bashkinë e Tiranës kjo taksë arrin deri në 4%. Heqja e saj për investimet publike synon të ulë kostot e projekteve, të shpejtojë procedurat dhe të eliminojë vonesat administrative, duke krijuar kushte më të favorshme për realizimin e veprave që kanë rëndësi të veçantë për komunitetin.
Ndryshimet ligjore parashikojnë gjithashtu qartësimin e formulës së përdorur për përcaktimin e çmimit të shitjes për metër katror, i cili shërben si bazë për llogaritjen e taksës. Projektligji specifikon se referenca e çmimit do të jetë vendimi i Këshillit të Ministrave që del në zbatim të neneve përkatëse të ligjit aktual, duke synuar shmangien e interpretimeve të ndryshme nga bashkitë dhe parandalimin e praktikave të pabarabarta në vend.
Në relacion thuhet se përjashtimi nga taksa pritet të sjellë një ulje të të ardhurave të pushtetit vendor me rreth 300 milionë lekë në vit. Ky efekt financiar, sipas qeverisë, do të kompensohet tërësisht përmes rritjes së transfertës së pakushtëzuar për njësitë vendore duke nisur nga viti 2026.
Projektligji është hartuar nga Ministria e Financave dhe është konsultuar me Këshillin Tatimor, i cili nuk ka pasur komente mbi përmbajtjen. Drafti përbëhet nga dy nene dhe pritet të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa efektet e tij do të nisin nga 1 janari 2026.







