Parashikimet hidrometeorologjike tregojnë për një situatë të përkeqësuar atmosferike në basenin e lumit Drin gjatë datave 17 – 23 nëntor, me reshje intensive që pritet të arrijnë kulmin në datat 18 -19 dhe 22 nëntor. Zonat më të prekura do të jenë Theth–Valbonë dhe Shkodër–Pukë. Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, sasitë e reshjeve pritet të arrijnë deri në 150–200 mm në Fierzë, ndërsa në Koman dhe Vau i Dejës parashikohet një maksimum deri në 300 mm. Po ashtu, sipas MIE “Korporata Elektroenergjetike Shqiptare është duke monitoruar situatën në kohë reale, ndërsa operimi i kaskadës së Drinit po kryhet brenda kushteve teknike dhe kuotave të përcaktuara nga rregulloret në fuqi”.
Ndërkaq, ministria apelon për kujdes të shtuar nga qytetarët që jetojnë në zonat përreth, për shkak të rrezikut të shtuar që sjellin reshjet me intensitet të lartë gjatë kësaj periudhe.
NJOFIM PËR MEDIA
Sipas parashikimeve të fundit hidrometeorologjike, në basenin e lumit Drin gjatë datave 17–23 Nëntor priten reshje me intensitet të lartë, me kulme më 18–19 dhe 22 Nëntor, kryesisht në zonat Theth–Valbonë dhe Shkodër–Pukë.
👉Reshjet e pritshme arrijnë deri në:
• Fierzë: 150–200 mm
• Koman–Vau i Dejës: deri në 300 mm
🟢KESH po monitoron situatën në dinamikë dhe operimi i kaskadës po kryhet brenda
kushteve teknike dhe kuotave të lejuara nga rregulloret në fuqi.
⚠️Ftojmë qytetarët e zonave përreth të tregojnë kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe me reshje intensive.
Ministria e Mbrojtjes, përmes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, sot më 16 nëntor 2025, ka paralajmëruar për një situatë të rënduar meteorologjike gjatë javës, duke theksuar se “priten reshje me intensitet të lartë në të gjitha qarqet e vendit, të shoqëruara me shtrëngata dhe në disa zona me dëborë”.
Sipas IGJEO dhe SHMU, dita e hënë, 17 nëntor do të sjellë reshje mesatare deri intensive në Shkodër, Lezhë dhe Vlorë, ndërsa qarqet Kukës, Dibër, Durrës, Tiranë dhe Gjirokastër do të përballen me reshje të dobëta deri mesatare. Ministria thekson se “intensiteti pritet të rritet në orët e pasdites”.
Situata rëndohet të martën, ku “reshjet do të shtohen në të gjithë territorin”, me zona si Shkodra, Kukësi, Vlora dhe Gjirokastra që do të përfshihen nga reshje intensive deri shumë intensive. Edhe të mërkurën parashikohet mot i rënduar, me reshje të dendura në të gjithë vendin, ndërsa në disa qarqe ato do të prekin nivelin “lokalisht shumë intensive”.
Autoritetet paralajmërojnë edhe për reshje dëbore mbi 400 metra lartësi, në Veri, Lindje dhe Juglindje, çka rrit rrezikun e ngricave dhe vështirësive në qarkullim. Po ashtu, sipas vlerësimeve hidrometeorologjike, në basenin e Drinit mund të regjistrohen deri në 300 mm reshje, veçanërisht në zonën Koman–Vau i Dejës.
Ministria e Mbrojtjes u kërkon strukturave vendore dhe qendrore të qëndrojnë në gatishmëri të plotë, të marrin masa për shmangien e përmbytjeve dhe të sigurojnë “koordinim të ngushtë ndërinstitucional për menaxhimin e situatave emergjente”.
AKMC ka kërkuar gjithashtu ngritjen e nivelit të gatishmërisë në bashki për shkak të rrezikut të shtuar të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dherave. Qytetarët ftohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ditëve me reshje intensive, ndërsa strukturat e emergjencave do të vijojnë të përditësojnë publikun për çdo zhvillim.







