Numri i të vetëpunësuarve është zgjeruar me tej në 3-mujorin e dytë 2025 duke arritur në nivelin më të lartë që nga 3-mujori i tretë i vitit 2022 referojnë të dhënat zyrtare.
Në prill-qershor të këtij viti vetëpunësimi arriti në 31.3% të totalit të të punësuarve, nga 30.6% që ishte në të njëjtën periudhë të v2024.
Vetëpunësimi në vendin tonë vijon të jetë “punëdhënësi” më i madh në ekonomi dhe me nivelet më të larta në Rajon dhe në Europë, e dyta pas Turqisë, sipas Eurostat.
Të dhënat tregojnë se gati një e treta e punonjësve shqiptarë punojnë për llogari të tyre, ndërsa në Eurozonë kjo shifër zakonisht varion nga 7 deri në 12%, në varësi të vendeve.
Edhe shtetet që njihen për traditë të lartë të vetëpunësimit, si Greqia apo Italia treguesi nuk kalon kufirin 15 %, çka e bën Shqipërinë një rast të veçantë në kontinent.
Shumica e të vetë-punësuarve shqiptarë janë të angazhuar në bujqësi, shitje me pakicë apo shërbime familjare dhe pak më shumë se gjysma e tyre paguajnë sigurime shoqërore.
Një pjesë e madhe e aktivitetit zhvillohet në sektorin informal, pa mbrojtje ligjore, pa pension të garantuar dhe shpesh me të ardhura të ulëta.
Të vetëpunësuarit në vendin tonë kanë nivele të ulëta të arsimit dhe shpesh është një zgjedhje e detyruar nga mungesa e alternativave për punësim.
Në Bashkimin Europian shumica e vetë-punësuarve kontribuon rregullisht në sigurimet shoqërore dhe gëzojnë mbrojtje shëndetësore. Ata operojnë në sektorë me vlerë më të lartë, shpesh në profesione të lira ose në teknologji, dhe kanë arsim të lartë.
Teksa në Europë vetëpunësimi është shpesh zgjedhje profesionale e qëndrueshme, në Shqipëri është kryesisht mjet mbijetese.
Megjithëse vetë-punësimi mbetet një pjesë e rëndësishme e tregut të punës, pesha e tij nuk është më ajo e viteve të kaluara, ndërsa prirja afatgjatë mbetet në rënie.
Sektori bujqësor mbetet një nga punëdhënësit kryesorë në Shqipëri. Shumica e fermerëve punojnë në parcela të vogla familjare dhe konsiderohen vetë-punësuar, duke rritur automatikisht peshën e këtij grupi në totalin e punësimit.
Ndryshe nga vendet e industrializuara, Shqipëria ka pak sektorë të mëdhenj që ofrojnë punësim masiv formal.
Ky boshllëk kompensohet nga një mori aktivitetesh të vogla vetëpunësimi. Mbyllja e një serie biznesesh në industrinë e prodhimit te veshjeve dhe këpucëve ka rritur sërish vetë-punësimin./Marrë nga Monitor







