Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri ka njoftuar se i është rikthyer normalisht punëve pas kufizimit të disa aktiviteteve të saj, të cilat erdhën për shkak të mungesës së një marrëveshjeje për miratimin e buxhetit federal.
Përmes një njoftimi në rrjete sociale, ambasada njofton më tej se një muaj më parë ka pritur Drejtorin për Çështjet e Europës Perëndimore Qendrore, Mark Fleming.
Mësohet se Fleming u takua me udhëheqës të ndryshëm nga politika, përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, me qëllim theksimin e bashkëpunimit SHBA-Shqipëri, si dhe përforcimin e gatishmërisë së NATO-s për goditjen e organizatave kriminale ndërkombëtare.
“Pas përfundimit të mbylljes së qeverisë për shkak të fondeve buxhetore, jemi gati të vazhdojmë punën tonë normalisht! Në rast se e keni humbur, patëm kënaqësinë të mirëprisnim muajin e kaluar Drejtorin për Çështjet e Europës Perëndimore Qendrore, Mark Fleming, në Shqipëri. Drejtori Fleming u takua me udhëheqës nga i gjithë spektri politik, si dhe me institucione të drejtësisë dhe të zbatimit të ligjit, për të theksuar partneritetin e fortë SHBA–Shqipëri, për të përforcuar gatishmërinë e NATO-s dhe për të goditur organizatat kriminale ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.







