Gjykata e Posaçme nisi gjykimin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj për dosjen “Buka”, ku është marrë i pandehur për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.
Në këtë seancë, Ahmetaj u përfaqësua nga avokati Henrik Ligori. Prokurori Elvin Gokaj lexoi para gjyqtares kërkesën për gjykimin e ish-zëvendëskryeministrit, duke parashtruar se procedimi në fjalë është regjistruar në 2022, pas kallëzimit të një qytetari mbi procedurën e privatizimit të shoqërisë “Buka Sha”.
Sipas SPAK, Ahmetaj ka firmosur një urdhër për privatizimin e firmës, edhe pse kishte disa vendime gjykate që e ndalonin këtë gjë.
SPAK kërkoi po ashtu pyetjen e disa dëshmitarëve në këtë proces, i cili po zhvillohet me procedurë të zakonshme.
Gjykata e Posaçme lexoi në seancë edhe shkresën e Interpolit për kërkimet ndaj ish-ministrit, i cili ndodhet në Zvicër.Ministria e Drejtësisë ka dorëzuar zyrtarisht në Zvicrës kërkesën për ekstradimin e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj.
Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha raporton se gjyqtarja Irena Gjoka lexoi përgjigjet e zyrës së Interpol Tirana.
Ky fakt u bë me dije gjatë relatimit të fakteve në procesin në themel për dosjen “Buka”, ku u vendos të vijojë procesi në mungesë për ish numrin dy të qeverisë.
Avokati i Ahmetajt, Henrik Ligori deklaroi se: “ Për këtë dosje, z.Ahmetaj nuk ka asnjë masë sigurie. Masa është për efekt të një procedimi tjetër”.
Për dosjen “Buka”, Ahmetaj akuzohet për shpërdorim detyre me dëm ekonomik 7 miliard lekë.
Prokurori i SPAK Elvin Gokaj lexon kërkesën për gjykim ku kërkon të pyeten si dëshmitarë 14 persona, ndër to edhe ish-ministri Shkëlqim Cani.
“Kemi rënë në kontakt me një shumë të madhe parash që janë transferuar nga Shqipëria në një vend të Bashkimit Europian që po verifikohet”-deklaron prokurori i SPAK.
“Prokurori po thotë që po na doli gjë nga kjo, do ngremë akuzë, nëse ka hetime të tjera për këtë çështje, prokurori nuk kishte ngutje të mbyllte hetimet, nuk mund të jetë proces i rregullt me akte surprizë, nëse ka prova të tjera prokurori t’i paraqesë”-u shpreh avokati.
“Këtë akuzë e kishim të detyruar ta njoftonin për shkak të afateve të parashkrimit, çështja është ndarë për shkak të akteve që kane ardhur nga Austria”-tha prokurori.







