HomeKryesoreShqipëria çel gjithë grup-kapitujt me BE. Rama pret tortën. Kos: Ky është...

Shqipëria çel gjithë grup-kapitujt me BE. Rama pret tortën. Kos: Ky është çmimi real. Begaj: Fazë e re reformash, vjen urimi i Vjosa Osmanit

Advertismentspot_img

Dje me 17 nëntor 2025, Shqipëria çeli të gjithë grup-kapitujt e negociatave me Bashkimin Evropian! Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, theksoi se “tanimë mbyllja e tyre është çmimi real për vendin tonë”. Ndërsa Ministrja daneze për Çështjet Evropiane, Marie Bjerre, tha se “Tirana duhet të vijojë kështu, në rrugën e reformave”.
Kryeministri Edi Rama, u shpreh besimplotë se “faza e parë u finalizua dhe qëllimi kryesor mbetet anëtarësimi i plotë në vitin 2027”. Nuk munguan dhuratat dhe surprizat në konferencën e tyre të përbashkët

Vjosa Osmani uron Shqipërinë: Po sjell gjithë rajonin më pranë BE-së

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka uruar këtë të hënë, më 17 nëntor, Shqipërinë për çeljen e të gjithë grup-kapitujve të negociatave me Bashkimin Evropian.

Në një postim në rrjetet sociale ajo shkruan: “Urime Presidentit Bajram Begaj, Kryeministrit Edi Rama dhe qytetarëve të Shqipërisë për hapjen e pesë kapitujve të fundit të negociatave me BE-në, një hap historik që dëshmon angazhimin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë drejt integrimit evropian. Ky është një hap që i sjell qytetarët e Shqipërisë, si dhe rajonin tonë, edhe më pranë Bashkimit Evropian. Qytetarët e Kosovës festojnë sot bashkë me ju, teksa vazhdojmë të punojmë pandalur për ta avancuar edhe më tej rrugën e vendit tonë drejt BE-së.“

Urime Presidentit @BajramBegajAL, Kryeministrit @ediramaal dhe qytetarëve të Shqipërisë për hapjen e pesë kapitujve të fundit të negociatave me BE-në, një hap historik që dëshmon angazhimin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë drejt integrimit evropian.

Ky është një hap që i sjell…— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) November 17, 2025

Begaj: Fazë e re reformash më të thelluara

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka përshëndetur momentin historik të çeljes së gjashtë grup-kapitujve të Shqipërisë në negociatat me Bashkimin Evropian.

“Hapja sot e Grup-Kapitullit të fundit shënon një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ky hap konfirmon progresin e qëndrueshëm të vendit tonë dhe çel një fazë të re reformash më të thelluara në bujqësi, sigurinë ushqimore, zhvillimin rajonal dhe menaxhimin e burimeve”, shkruan Kreu i Shtetit.

Nga Coca-Cola te torta me numrin 6!

Komisionerja për Zgjerimin Marta Kos, i solli sot, 17 nëntor, kryeministrit Edi Rama “Coca-Cola”-n që ka të skicuar logon shqiptare, nga vetë kreu i qeverisë. Por jo vetëm kaq, këtë herë, edhe një tortë me po atë skicë dhe numrin 6, për çeljen e të gjashtë grup-kapitujve.

Megjithatë, Ramën, siç e theksoi vetë ai, “Brukseli nuk e impresionon dot kur vjen puna te ëmbëlsirat”.

Në shenjë mirënjohjeje ai u dhuroi Kos dhe Ministres daneze të Çështjeve Evropiane, Marie Bjerre, nga një shishe verë autoktone.

Sigurisht, torta u pre, nga të tre, moment të cilin Rama e komentoi kështu:

Kjo është për mua, por nuk është e drejtë t’u fryj këtyre qirinjve vetëm… (Thërriti ministret Dhuka e Pirdeni)

Tani na duhet dora e një vikingu për të prerë tortën!

Rama: Asgjë s’do na ndalë të ecim përpara drejt BE-së

Kryeministri Edi Rama, gjatë konferencës për mediat në Bruksel, deklaroi se Shqipërinë asgjë nuk do e ndalë që të ecë në rrugën drejt BE-së.

Ai tha se vendi ynë ka qenë pjesë e disa perandorive, por se integrimi në BE, është diçka që nuk vjen me imponim, siç ka ndodhur më herët, por me dëshirën e shumicës së shqiptarëve. 

Rama: Ndihem i frymëzuar nga mbështetja e fortë në ribashkimin e Europës

Kryeministri Edi Rama e nisi fjalën e tij me retrospektivë, duke kujtuar kohën kur as nuk imagjinohej që Shqipëria do të arrinte në këtë pikë.

“I gjithë ai rrugëtim na bëri më të fortë, më të vetëdijshëm për gjithë procesin dhe na bëri më të pjekur. Ja ku jemi sot këtu, me atë që deri 1 vit më parë ishte një ëndërr, e sot është transformuar në një plan pune”, tha kreu i qeverisë shqiptare.

Më tej, tha se përtej protokolleve, “ndihet i frymëzuar nga muajt e fundit dhe mbështetja e fortë në procesin e ribashkimit të Evropës”.

“Sot Shqipëria del me krenari nga kjo fazë e parë, e madje me një ndjenjë më të madhe përgjegjësie. Ne nuk përfaqësojmë këtu parti apo pikëpamje politike, por një komb të tërë që mbështet si askush tjetër anëtarësimin në BE, më shumë se sa 90% e qytetarëve tanë. Jam i sigurt se ata shumë pak që janë në atë përqindjen e vogël që mbetet, thjesht s’do kenë qenë ditë e mirë kur është bërë sondazhi, sepse vështirë është që një shqiptar të mendojë se anëtarësimi në BE nuk është horizonti drejt të cilit duhet të synojmë për fëmijët tanë.

Dua të shtoj se qoftë ajo mënyra e fortë e ajo e butë me të cilën jemi përballur, na mësuan një gjë të rëndësishme, mos merr asgjë të mirëqenë në Bruksel! Ajo buzëqeshja mund t’ju zhduket nga fytyra sa hap e mbyll sytë, kështu që puno fort dhe përgjigju në çdo rrethanë me përulje”, deklaroi Rama.

Sipas kryeministrit, pas 2027-ës, qëllimi është të vazhdohet me fazën e anëtarësimit të plotë

Marta Kos: Mbyllja e grup-kapitujve është çmimi real

Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, falenderoi presidencën daneze për mbarëvajtjen e të gjitha proceseve së fundmi.

“Suksesi i Shqipërisë është rezultat i punës së autoriteteve shqiptare në bashkëpunim me faktorë të tjerë për zbatimin e reformave. Reformat sjellin ndryshime në ekonomi, politikë dhe shoqërinë shqiptare”, u shpreh ajo në konferencën e përbashkët.

Shtoi se tanimë mbyllja e grup-kapitujve është “çmimi real” për Shqipërinë, duke theksuar se hapi i radhës është përmbushja e piketave të ndërmjetme.

“Nuk do të jetë e lehtë, por ju keni mbështetjen më të gjerë publike, më shumë se 90% e shqiptarëve e duan Shqipërinë në BE. Komisioni do të vazhdojë t’ju mbështetë”, i tha Kos kryeministrit Edi Rama.

“Ju mbështes të ndërtoni një të ardhme të begatë për shqiptarët!”, deklaroi ajo.

Ministrja daneze: Shqipëria do anëtarësohet shpejt në BE

Ministrja daneze e Çështjeve Evropiane, Marie Bjerre, deklaroi se Shqipëria po përmbush reformat dhe se shumë shpejt do të jetë në BE.

Ajo tha se Tirana duhet të vijojë kështu, në rrugën e reformave, që të çojnë në BE.

“Vazhdoni kështu dhe do jeni pjesë e BE-së. Shqipëria ka bërë një përpjekje të fortë për të pasur reforma, për të hyrë në BE. Reformat e Shqipërisë po vazhdojnë me hap të qëndrueshëm. Të gjitha grup-kapitujt janë hapur brenda presidences daneze e kjo është shpejtësi rekord. Shqipëria vazhdon që të ece përpara në reformën në drejtësi dhe në luftën kundër korrupsionit. Anëtarësimi do arrihet shumë shpejt”, tha ajo

Konferenca e 7-të Ndërqeveritare, Rama mbërrin në Bruksel

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Bruksel për Konferencën e 7-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE.

Rama shprehet se sot më 17 nëntor, vendi ynë hap grup-kapitullin e fundit të negociatave me Bashkimin Europian, në një kohë rekord

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular