Grupi i biznesit BALFIN do të zgjerojë angazhimin e tij në sektorin financiar nëpërmjet investimit në një institucion financiar të pagesave.
BALFIN ka ngritur kompaninë Happy Pay, që do të ketë si objekt aktiviteti emetimin e parasë elektronike dhe një spektër të gjerë të shërbimeve të pagesave.
Megjithatë, ky institucion nuk është licencuar ende zyrtarisht nga Banka e Shqipërisë. Happy Pay do të jetë institucioni i dytë financiar i grupit BALFIN, pas bankës tregtare Tirana Bank.
Tregu i parasë elektronike ka tërhequr një interes të lartë nga investitorët pas vitit 2020, kohë që përkon me miratimin e ligjit të ri “Për shërbimet e pagesave”.
Ky ligj transpozoi Direktivën e Dytë Europiane të Pagesave (PSD 2), duke krijuar terrenin për një zgjerim të konkurrencës në sektorin e pagesave, nëpërmjet parimit të open banking (bankingut të hapur).
Aktualisht, në Shqipëri rezultojnë të licencuara 10 institucione financiare të parasë elektronike. Megjithatë, depërtimi i modelit të mirëfilltë fintech ngelet ende i kufizuar. Volumet e veprimeve me para elektronike ende dominohen nga institucionet që ofrojnë shërbime të pagesave fizike në sportel nëpërmjet një rrjeti të gjerë të agjentëve të tyre.
Më tej, këto pagesa shlyhen tek ofruesit e shërbimit nëpërmjet llogarive të parasë elektronike. Ky model ka rezultuar mjaft i dobishëm për lehtësimin e pagesave utilitare dhe institucionet e konsoliduara në këto shërbime vazhdojnë të dominojnë tregun.
Shifrat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vitin e kaluar, numri i veprimeve me para elektronike shënoi rritje më të ngadaltë krahasuar me vitet e mëparshme. Ai arriti në 14.8 milionë, në rritje me 5% krahasuar me një vit më parë.
Përfaqësuesit e sektorit shprehen se ka qartazi edhe një zhvendosje të klientëve nga shërbimi në sportelet e këtyre operatoreve drejt aplikacioneve smart përkatës, por, pikërisht për shkak të mungesës së statistikave, kjo tendencë nuk mund të ilustrohet me shifra të sakta. Madje, në vlerë, pagesat me para elektronike pësuan rënie në 86.9 miliardë lekë, në rritje me 5% më pak krahasuar me vitin 2023.
Deri tani, fokusi kryesor i institucioneve të reja të pagesave fintech ka qenë kryesisht krijimi i portofolave elektronikë nëpërmjet të cilave klientët mund të kryejnë një spektër të gjerë pagesash, të qendërzuara në aplikacionet e tyre. Shërbimet e pagesave përfshijnë pagesën e faturave dhe utiliteteve, transfertat e parave, blerjet online ose në pikat e shitjes, etj.
Megjithatë, disa prej institucioneve të parasë elektronike po e gërshetojnë konceptin e fintech edhe me instrumentet më klasike të pagesave, si kartat, për të krijuar një urë me infrastrukturën e sektorit bankar dhe operatorëve globalë të sistemeve të pagesave, si Visa apo Mastercard./ Monitor







