HomeOP EDHijet që riprodhojnë veten! nga Prof.Pal Nikolli

Hijet që riprodhojnë veten! nga Prof.Pal Nikolli

Advertismentspot_img

Nga Prof.Pal Nikolli
Në shumë prej sistemeve tona shoqërore, politike, akademike e institucionale, vërehet një dukuri e heshtur, por e fuqishme: riprodhimi i vazhdueshëm i mediokritetit. Është një cikël i mbyllur, ku drejtuesit që nuk zotërojnë aftësinë, integritetin apo vizionin e duhur, zgjedhin të rrethohen nga njerëz që u ngjajnë – servilë, të varur, të bindur, të papërgatitur, të shmangshëm ndaj përgjegjësisë dhe shpeshherë të ngarkuar me kredenciale fiktive. Në këtë mënyrë, udhëheqja humbet kuptimin e saj thelbësor: transformimin shoqëror mbi bazën e vlerave.

Kjo logjikë vetëshkatërruese mbështetet mbi një frikë të brendshme: aftësia e të tjerëve shihet si kërcënim, ndërsa paaftësia shihet si garanci mbijetese. Njeriu që nuk di, por bindet, bëhet mjeti i preferuar i një sistemi që ka humbur lidhjen me meritën. Brenda kësaj piramide të përmbysur, çdo nivel prodhon një nivel edhe më të dobët poshtë tij. Autoriteti nuk buron më nga dija, përvoja apo integriteti, por nga aftësia për të heshtur, për të duruar, për të simuluar besnikëri.

Ky proces nuk është i ri. Historia e shoqërive tregon se çdo sistem që ndërtohet mbi servilizëm dhe përjashtim të mendimit kritik, përfundon duke krijuar një kastë të mbyllur, e cila vetëushqehet me iluzione kompetence. Mirëpo ndryshimi sot është shkalla: në epokën kur dijenia është e qasshme si kurrë më parë, gjithçka ndodh më shpejt. Paaftësia nuk është më thjesht një boshllëk individual – ajo shndërrohet në kulturë organizative. Kur grada dhe diploma, të cilat duhet të përfaqësojnë vite mundi e specializimi, kthehen në objekte të trafikuara, atëherë vetë përmbajtja e institucioneve degradon. Nuk ka më dallim midis të diturit dhe të paditurit, sepse formalisht duken njësoj.

Në këtë realitet të shtrembëruar, mjafton të jesh i gatshëm të përkulësh kokën për të avancuar. Ndërsa ai që ngre zërin, që kërkon standarde, që ofron mendim profesional apo etik, shihet si rrezik dhe jo si vlerë. Është e kuptueshme, atëherë, pse heshtja shpërblehet dhe kuraja ndëshkohet. Sistemi kërkon vazhdimësinë e vet, jo përmirësimin.

Por shoqëritë nuk ndërtohen mbi ata që heshtin. Ato ngrihen mbi ata që kanë integritet të brendshëm, pavarësisht çmimit; mbi ata që ngrenë zërin jo për të rrëzuar, por për të ndërtuar; mbi ata që e dinë se vlera e njeriut matet me atë që ai jep dhe jo me atë që ai simulon.

Ky shënim nuk është thirrje për rebelim të rrëmujshëm, por për kthim te parimet. Për t’i dhënë sërish kuptim meritës, dijes, ndershmërisë, punës së vërtetë. Sepse vetëm atëherë mund të thyehet zinxhiri i errët që prodhon servirje dhe jo vizion, marrëveshje të fshehta dhe jo kompetencë, diploma të zbrazëta dhe jo dije të vërtetë.

Shpresë ka – por vetëm nëse secili prej nesh guxon të mos bëhet pasqyra e një sistemi që e di të vërtetën, por nuk ka kurajon ta pranojë. Nëse duam udhëheqës të aftë, duhet të ndërtojmë institucione që nuk kanë frikë nga aftësia. Nëse duam shoqëri të fortë, duhet të zhvlerësojmë kulturën e servilizmit. Dhe nëse duam të ardhme më të drejtë, duhet të vendosim që çdo hap, sado i vogël, të udhëhiqet nga parimi se dija dhe integriteti nuk janë kurrë kërcënim – janë kushti i parë i lirisë reale.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular