Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se është i gatshëm të flasë “në një moment” me presidentin venezuelian Nicolás Maduro, në një periudhë kur prania e shtuar ushtarake e SHBA pranë brigjeve të Venezuelës ka rritur tensionet mes Uashingtonit dhe Karakasit.
“Dikur do të flas me të,” u tha Trump gazetarëve nga Zyra Ovale, duke shtuar se Maduro “nuk ka qenë i mirë me Shtetet e Bashkuara”. I pyetur nëse përjashton mundësinë e dërgimit të trupave amerikane në Venezuelë, Trump u përgjigj: “Jo, nuk e përjashtoj. Nuk përjashtoj asgjë.”
Trump akuzoi qeverinë venezueliane se ka dërguar drejt SHBA-ve “mijëra kriminelë nga burgjet e saj”, duke e cilësuar këtë një çështje që duhet trajtuar urgjentisht.
Uashingtoni e akuzon Madurosin dhe qeverinë e tij se drejtojnë një kartel trafiku droge me destinacion tregun amerikan. Më herët këtë vit, SHBA dyfishoi në 50 milionë dollarë shpërblimin për informacion që çon në arrestimin e presidentit venezuelian.
Nga ana tjetër, Karakasi i refuzon kategorikisht akuzat, duke i cilësuar si përpjekje të SHBA për “ndryshim regjimi” dhe për të vënë dorë mbi rezervat e mëdha të naftës së Venezuelës.







