Biblioteka Kombëtare ekspozon 100 Bibla të rralla. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 19 dhjetor

0
6

 Biblioteka Kombëtare ka hapur sot ekspozitën “Koleksioni i Biblave”.

Në këtë ekspozitë shfaqen për publikun rreth 100 Bibla të rralla dhe 452 materiale me karakter biblik, të shtypura nga shekulli XV–XIX në Itali, Francë, Gjermani, Holandë, Greqi e më gjerë, së bashku me dorëshkrime dhe përkthime historike nga Buzuku, Budi, Bogdani, Kristoforidhi, Qiriazi, Fan Noli e Dom Simon Filipaj.

Në vijim të ciklit të ekspozitave që zbulojnë thesaret e fshehura të fondit të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, hapet për publikun “Koleksioni i Biblave”, një udhëtim i rrallë në botën e librave të shenjtë dhe dorëshkrimeve që kanë shënuar shekuj kulture.

Ekspozita është e ndarë në dy pjesë. Në pjesën e parë ekspozita sjell për herë të parë pranë publikut një numër mbresëlënës Biblash të rralla, mbi 100 të tilla, të shtypura në Itali, Francë, Gjermani, Holandë, Greqi e më gjerë, që datohen nga mesi i shekullit XV deri në shekullin XIX, së bashku me dorëshkrime me pjesë të Shkrimeve të Shenjta.

Pjesa e dytë ka të bëjë me përkthimet e Bibës prej Buzukut, Budit e Bogdanit, mandej rilindësve dhe figurave të mëdha, si: Kristoforidhi, Qiriazi, Fan Noli e Dom Simon Filipaj, deri tek përpjekjet e Shoqërisë Biblike Angleze në shekullin XIX, kjo ekspozitë ndërthur historinë, kulturën dhe trashëgiminë tonë të shkruar.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun çdo ditë, nga data 19 nëntor deri më 19 dhjetor 2025, nga ora 09:00-20:00.