HomeTe tjera“Do ta v*as…”- Zotimi i Kadri Hazbiut pas rebelimit të Bilal Xhaferrit...

“Do ta v*as…”- Zotimi i Kadri Hazbiut pas rebelimit të Bilal Xhaferrit më 1968! Fati tragjik i shkrimtarëve çamë

Advertismentspot_img

Hyqmet Zane/ Takimet e mia me shkrimtarin e anatemuar nga diktatura Bedri Myftari kanë qenë fat, se nga ai njeri i letrave kamë dëgjuar histori tronditëse për sjelljen e regjimit ndaj Bilal Xhaferrit dhe atij personalisht. Nuk i kemi të shumtë shkrimtarët e niveleve të atilla që kanë lënë gjurmë në historinë e letërsisë shqiptare dhe çuditërisht të lënë në harresën e kalendave greke. Kam qenë së fundmi me Bedri Myftarin në një ditë kur në një nga gazetat shqiptare doli një shkrim që fuste në hullinë e mashtrimeve të njohura nga segmentet e sigurimit të shtetit.

Në atë moment Bedriu më rrëfeu se ishte i fundit që e takoi dhe e shoqëroi Bilalin para se ai të arratisej dhe që la një letër trishtuese kur kaloi kufirin për në Greqi e më pas në SHBA. Për mua dhe ata që e njohën nga sferat e ndryshme të vendit, Bedri Myftari ishte një meteor fluturues në letërsinë dhe publicistikën shqiptare. Ndarja nga jeta në moshën 75 vjeçare, kur ai ishte një potencial letrash shqipe, ishte një trishtim jo vetëm për familjen, motrën dhe vajzat e tij, po aq sa edhe nipat e mbesat e tij. Veçanërisht për miqtë dhe për tërë Çamërinë dhe kontributet e tij në demokraci janë kujtesa e vlerave për njeriun që në jetën e tij provoi gjenocidin grek dhe ferrin në burgjet e diktaturës. Nuk u besova fjalëve kur miqtë e mi të 15-katëshit Muharremi Nuredini nga Çamëria dhe Bedri Alimehmeti më thanë se Bedriu flutouroi në përjetësi.

NJOHJA ME SHKRIMTARIN

Njohja ime me Bedri Myftarin ishte e hershme dhe në fushën e gazetarisë. Unë e dija rrugëtimin e tij blasfemik nga ferri i dantesk i diktaturës e deri në tranzicionin demokracisë. E kisha pritur edhe në shtëpinë time dhe atë natë kishim ngrënë edhe llapsana që dinë t’i gatuajnë dhe servirin enkas çamët që i njohin lakrat e egra për vlerat e tyre. Kisha bërë edhe emisione si gazetar i TV “Dardan” me Bedriun e gazetarin e shkrimtarin Jaho Margjekën, por ishim edhe luftëtarë të kauzës sonë të Çamërisë kur Bedriu u bë kryetar i shoqatës Çamëria.

E kundroja me ënaqësinë e veçantë kur ky personalitet i gazetarisë bëhej prezent në konferencat e shtypit të Sali Berishës dhe që pati kurajën ta pyeste drejtpërdrejt Micotaqesin për çështjen çame. Bederiu ishte një guximtar dhe një njeri antikonformist që nuk pranonte lëshime për hir të rehatisë, sa edhe u bë pjesë e burgimit politik për shkak të bindjeve të tij demokratike. Bedri Myftari ka qenë një nga të fundit dëshmitarë të asaj mbledhjeje të Lidhjes së Shkrimtarëve në atë vit 1968 kur diskutohej romani “Dasma” i Ismail Kadaresë dhe kur Bilal Xhaferri theu heshtjen e konformizmit në letërsi, duke dalë si një hero para plagjiaturës së kohës, në atë kohë kur Fadil Paçrami dirigjonte në emër të partisë diktatoriale së bashku me ish-kryetarin e Lidhjes, Dhimitër Shuteriqin për t’u bërë parzmore ndaj Kadaresë, që në fakt nuk e dëshironte një gjë të tillë.

Ishte kjo arsyeja madhore që me Bedri Myftarin na lidhnin edhe histori të pazakonta që ndodhin një herë në shekull. Pikërisht për këtë rast ndoshta edhe intervista e fundit e Bedri Myftarit, që më ka dhënë mua për fatin e madh për Bilal Xhaferrin në fund të muajit gusht 2013. Ndoshta ka shumë e shumë për të thënë për këtë meteor që iku fluturimthi në atë botën e tij për t’u shndërruar në një mit për penën e tij të artë. Ajo që do të doja të shënoja para se të jap këtë intervistë të fundit të Bederiut tonë, do të doja të thosha edhe faktin se në bisedë me të, ishte i shqetësuar që nga zyrat burokratike të ministrisë që ndante pensionet e veçanta, ky pension nuk iu dha në kohën e duhur. Pas 23 qershorit ai shprehej me trishtim “tashti unë e di që Rama do ma japë, por unë nuk e dua nga Edi Rama”. Dhe ai vdiq, iku në përjetësi si edhe intervista e tij brilante me të vërtetat për atë mbledhje tronditëse edhe për mikun e tij të ngushtë të letrave, Bilal Xhaferrin, të cilin e donte shumë.

KONFLIKTI MES DY SHKRIMTARËVE

Çfarë më tha Bedri Myftari për Bilal Xhaferrin: “Mërzitja ime e parë me Bilalin ishte për arsyen e romanit ‘Dasma’ të Ismail Kadaresë. Unë i thashë që të mos fliste, por ai nuk më dëgjoi, foli dhe si përfundim, pas asaj që ndodhi, edhe vetë Bilali e kuptoi që nuk kishte bërë mirë që foli. ‘E prisha’ – më tha ai. Ndërsa unë i thashë, ‘Ik, s’ke punë më me mua’. Unë i thashë mos fol se do të kesh pasoja, se babain ai e kishte të pushkatuar nga regjimi, por ai nuk më dëgjoi. Që aty ku ishim te Lidhja e Shkrimtarëve ku u diskutua për romanin ‘Dasma’, ne na rrethuan ata të Sigurimit. Unë nuk isha dakord se ky ishte edhe një kurth për ne të gjithë, se unë isha caktuar që të bëja edhe artikullin në gazetë. Isha bashkë me Liri Lubonjën. Bile Liria tha ‘bobo ç’bëri ai, nuk e di se çfarë do ndodhë’. Tha kështu se Todi (Lubonja) e kishte përkrahur shumë Bilalin.

Që Bilali iku, mua më tha Namik Mane, se tek ky rrinte ai. Namiku më tha që të më jepte poezitë që kishte lënë që ti ruaja, ndërsa unë i thashë do vij që t’i marr, por për neglizhencë nuk vajta dhe bëra mirë që nuk vajta se nuk i dihej se çfarë mund të ndodhte. Se pyetja e parë që më bënë në hetuesi kur më arrestuan edhe mua më pas, ishte se ku i ka lënë poezitë Bilali. Baza e hetuesisë sime kur më arrestuan, ishte për Bilalin, më thoshin ku e ke çuar me shërbim, kur unë nuk kisha asnjë mundësi që të çoja njeri me shërbim, aq më tepër në një situatë të mbikëqyrur. Bile te gazeta ku punoja, më çuan vetë me shërbim në Konispol. Unë vajta dhe nuk mora vesh që kishte ikur”.

BISEDA QË ÇOI NË ARRESTIM

Kur më arrestuan, më thanë se përse vajte në Konipol që bëre edhe 340 kilometra, kot i bëre ti? Dhe unë për të shpëtuar nga kjo, u tregova bisedën që kisha bërë me Bilalin tek i ashtuquajturi “Parku Miqësia” ku është parlamenti sot, “o Bilal çfarë bëjnë këta me kinezët do të lidhen që hanë krimba?”. Ai mbylli gazetën e më tha “Ti do merresh me politikë apo me letërsi. Unë kam vajtur 30 e ca vjeç e nuk kam lexuar një herë ‘Zërin e Popullit’. Ua tregova enkas hetuesve për tu thënë se unë nuk kisha dorë në ikjen e tij. Dhe më pas kjo ishte baza e akuzës që Bedri Myftari e bëri armik Bilalin me këto fjalë. Bilali iku me të vërtetë vetë i tretë dhe akuzat që ngre një farë Meto Kondi nuk janë të vërteta, se Bilali të gjitha shkrimet dhe gazetat që ka bërë i ka bërë kundër regjimit dhe Enver Hoxhës, duke shkruar se koka e Enver Hoxhës është bërë si oturak i atyre se shkon nga Beogradi në Moskë e më pas në Pekin e kthim. Është absurditet thënia se e ka çuar sigurimi. Këtë gjë nuk e ka thënë njeri deri më sot. Bile, se ata të sigurimit nuk do të më bënin gjithë atë hetuesi mua për Bilalin. Bile u arrestuan edhe të gjithë ata që ishin shokë të Bilalit unë e Sadri Ahmeti etj..

NATA NË SHTËPINË TIME

Për Bilalin si shkrimtar mund të them se ishte një talent i madh. Veprën “Krastakraus” e ka shkruar në shtëpinë time. Rrinim bashkë e shkonim tek një pyll me pemë ku sot është “Don Bosko”. Ishte korrik, vapë e madhe. Bilali kishte një vullnet dhe durim të jashtëzakonshëm se m’i lexonte kapitujt dhe unë mrekullohesha. Një natë Bilali, erdhi në shtëpinë time dhe më tha që do të shkruaj një tregim për minatorët që është ai “Era shtyn mjegullat e mbrëmjes” e shkroi gjithë natën e në mëngjes më tha mua që na merre lexoje. U habita se si ndenji gjithë natën zgjuar dhe e mbaroi, por me një artistllëk të mrekullueshëm. Më vonë e bëri edhe skenar filmi atë. Ai ishte i lindur për letërsi. Pena e Bilalit lëshonte mjaltë. Reportazhet e tij janë të mrekullueshme dhe kur një herë e dërguan me shërbim në jug, thoshin se Bilalit ia shkruan ndonjë me biografi të keqe ato dhe jo vetë ai. Ishte krijuar mendim edhe në redaksinë tonë të “Zërit të Rinisë’ një herë Vath Koreshi, që ishte mik i tij dhe që nuk kishte si ta besonte një gjë të tillë, i tha që “Bilal na duhet shpejt shkrimi, ndaj duhet të të mbyllim këtu tek një dhomë, do të sjellim bukë e ujë dhe ti shkruaj”. “Mirë – tha ai – megjithëse jam shumë i lodhur”. Dhe ai shkroi një reportazh që ishte një kryevepër. Të gjithë u habitën. Bilali ishte si një meteor që ndriçoi qiellin e letërsisë shqipe dhe që la shenjën e tij. Për mua ishte i jashtëzakonshëm. Andej nuk ia dimë krijimtarinë e tij se e kanë plagosur disa herë, i kanë djegur redaksinë.

BETIMI I KADRI HAZBIUT

Në mbledhjen që ka bërë Kadri Azbiu në Lidhjen e Shkrimtarëve disa ditë pasi ai ku, ka thënë se “nëse nuk do ta vras Bilal Xhaferrin, nuk do të më tresë dheu”. Kuptohet se kush mund të ishte i interesuar për ta vrarë Bilal Xhaferrin. Kur dolëm atë ditë nga mbledhja në Lidhjen e Shkrimtarëve tek oborri doli edhe Fadil Paçrami me Ismail Kadarenë dhe Ibrahim Ruçi. Edhe aty, veç çfarë i tha në mbledhje, shtoi, pasi e pa Bilalin “ja armiku i partisë” ndërkohë që Ismaili u kthye dhe tha “mjaft se i bëmë të gjithë armiq. Ai i kishte menduar ato se edhe unë vetë do ta ribotoj romanin, do i rikthehem”. Megjithëse të gjithë shkrimtarët e donin Bilalin si talent që ishte, por për shkakun se kishte babanë e pushkatuar, ishte partia në pushtet që e urrente. Bile edhe nga fshati i tij vinin letra në redaksi se përse ia botoni reportazhet në gazetë. Qamil Buxheli është njeri nga ata që e kanë mbështetur Bilalin, e donte shumë dhe e vlerësonte penën e tij. Qamil Buxheli ia ka botuar për herë të parë krijimtarinë atij, edhe pse ishte njeriu i partisë. Unë e kam nga krahina ime, u tha Qamili atëherë.

MBËSHTETJA E TODI LUBONJËS

Todi Lubonjës ia thanë edhe në akuzë atëherë se ke përkrahur një njeri me baba të pushkatuar. Por Todi në gjyq u ka thënë se unë e di që babai i tij është nacionalist e jo të ketë vrarë shqiptarë. Bilalin e kanë ndihmuar shumë vetë, edhe Adriatik Kallulli, Trim Gjata, por në mënyrë të veçantë e kanë ndihmuar edhe Vath Koreshi, edhe Agim Cerga, si dhe Miço Verdhi, që ishte kryeredaktori, se po të mos donte Miçua nuk botoheshin ato të Bilalit. Edhe Ali Abdihosha e ka përkrahur Bilalin, sa një herë ka thënë se ky është Çehovi ynë dhe nuk ka çmim për të se po t’i japim çmim të parë, duhet të ketë shumë vende bosh e pastaj të ketë çmim tjetër. Edhe Dritëro Agolli e donte shumë, bile ka shkruar edhe një shkrim për të, edhe Ismail Kadare e donte, të gjithë e donin, nuk kishte njeri veç ata të partisë e shihnin shtrembër. Ata që hedhin insinuata për Bilalin janë njerëz anonimë të padëgjuar. Shiko se si u shua Bilali, ky është treguesi se cili ishte Bilali”. Për nder të tij në lamtumirën e fundit ku ishin të pranishëm të gjitha ata që e donin më shumë Bedri Myftarin, mes tyre edhe miku i tij si vëlla Tahir Muhedini, kryetari i Shoqatës Çamëria, Ardian Tana, e shumë e shumë të tjerë, njeriu i letrave Hakuran Halili mbajti fjalën e rastit në nderim të veprës dhe personalitetit të Bedri Myftarit që iku në fluturim si një meteor i ndritshëm. Persekutimi i shkrimtarëve të tillë me penë të artë, vetëm pse ishin nga Çamëria, do të denigroheshin dhe do persekutoheshin. Faktet janë kokëforte që e thonë këtë si në rastin e Bilalit dhe Bedritut që janë krenari për Çamërinë tonë.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular