Nga Halil Teodori
Në këtë përvjetor të ndarjes së saj nga jeta, Mary Edith Durham nuk kujtohet thjesht si udhëtare, shkrimtare apo antropologe, por si një zemër e madhe që i dha zë një populli që asokohe nuk kishte askënd ta mbronte. Ajo solli dritë në një hapësirë të harruar nga bota, mbajti shënim historitë tona me ndershmëri dhe shkriu pjesë të vetes në fatin e shqiptarëve. Durham u bë mikja jonë më e sinqertë, gardiane e së vërtetës sonë dhe një zë që nuk u lodh kurrë së na mbrojturi kur padrejtësitë na rëndonin supet. Sot e nderojmë si një figurë që na deshi pa kërkuar asgjë, që na kuptoi përtej fjalëve dhe që e ktheu misionin e saj në një testament miqësie të përjetshme. Kujtimi i saj mbetet një dritë e qëndrueshme, një shenjë mirësie që na kujton se ka njerëz që i kalojnë kufijtë e kombit për të shërbyer të vërtetën dhe njerëzimin.
Edith Durham është një nga figurat më të dashura të historisë sonë, një e huaj që u bë shqiptare me shpirt, një grua që e deshi këtë vend me një përkushtim që pak prej nesh ia kemi dhënë vetë atdheut. Lidhja e saj me shqiptarët nuk ishte thjesht etnografike, as thjesht misionare. Ishte një lidhje emocionale, morale dhe njerëzore, që e ktheu në një prej zërave më të rëndësishëm të mbrojtjes së kauzës shqiptare në fillim të shekullit XX.
Kush ishte Edith Durham?
Mary Edith Durham (1863–1944) ishte një nga ato figura të rralla që historia i sjell si ura midis kulturave, popujve dhe botëve që përndryshe nuk do të takoheshin kurrë. E lindur në një familje intelektuale londineze, ajo u rrit në një atmosferë arti, muzike dhe edukimi rigoroz, ku pritej që gratë të ishin të kulturuara, por kurrë të mos dilnin jashtë kufijve të normës. Edith Durham, që në rini, e thyen këtë pritshmëri.
Fillimisht u formua si artiste. Studioi pikturë dhe vizatim në Royal Academy of Arts, ku shfaqi talent të spikatur për portretin dhe vizatimin etnografik. Për shumë vite punoi si ilustratore, kontribuoi në revista dhe u përfshi në rrethet artistike të Londrës viktoriane. Ajo ishte një shpirt i ndjeshëm ndaj bukurisë, detajit dhe finesës që kërkon arti, por njëkohësisht edhe një shpirt i shqetësuar, që nuk mund të gjente paqe në botën e rregullt të salloneve londineze.
Shëndeti i saj u përkeqësua rreth moshës së 30-vjeçare. Mjekët i rekomanduan udhëtime të gjata për t’u qetësuar, për të rigjetur ekuilibrin dhe për të dalë nga streset e jetës urbane. Një udhëtim i tillë e çoi në vitin 1900 drejt Dalmacisë dhe mandej në brendësi të Ballkanit, fillimisht një aventurë, pastaj një zbulim, më pas një mision.
Dhe këtu nisi transformimi
Ballkani i asaj kohe ishte një vatër konfliktetesh, nacionalizmash në përplasje, troshash perandorake dhe varfërie të thellë. Pikërisht kjo dëshirë për të kuptuar, për të depërtuar përtej sipërfaqes, e shtyu Edith Durham-in të zbresë në zona që pak europianë kishin guxim t’i vizitonin. Udhëtoi e vetme me kuaj, hipi mbi shtigje malore të rrezikshme, u miqësua me fiset, hyri në kullat e malësorëve dhe dëgjoi histori të jetuara mes trimërisë, dhimbjes dhe dinjitetit.
Durham u bë një kroniste e pasionuar e jetës së popujve të Ballkanit, veçanërisht e shqiptarëve. Në çdo fshat ku shkonte, vizatonte fytyra, mblidhte objekte etnografike, shënonte ritin e martesave, kodet e gjakmarrjes, këngët, doket e mot-motit, mënyrën si gratë punonin, si burrat vendosnin fatet e fisit. Ajo ishte syri dhe veshi i një bote që Europa e qetë nuk e njihte dhe nuk kishte vullnet ta njihte.
Në Londër, shkrimet e saj u pritën me habi dhe admiracion. Ajo zotëronte një stil narrativ të gjallë, plot humor, vëmendje ndaj detajeve dhe një thellësi analitike që i bënte raportet e saj të pamohueshme si dokument historik e antropologjik. Me kohë, Edith Durham u shndërrua në një nga autoritetet më të besuara të politikës ballkanike, duke u thirrur në debate diplomatike dhe në qarqe akademike.
Si lindi lidhja e saj me shqiptarët?
Në vitin 1900, Durham shkel për herë të parë në Dalmaci, më pas në Mal të Zi, dhe gradualisht zbret në trojet shqiptare. Këtu gjeti diçka që e tronditi dhe e magjepsi njëkohësisht: një popull krenar, të varfër, të lënë pas dore nga politika europiane, por me një dinjitet të pathyeshëm dhe një kulturë të egër në bukurinë e saj.
Ajo hyri në zemrën e Alpeve, në kullat e malësorëve, në kuvendet e burrave, në odat ku mikpritja ishte ligj. U ul krah grave, dëgjoi tregimet e tyre, veshi kostumin tonë, mori emrin “Krajlica e Malësorëve”, dhe në shumë fshatra e pritnin si njerën e shtëpisë.
Por, mbi të gjitha, ajo u bë një zë i palodhur në mbrojtje të shqiptarëve, një popull që ajo e pa të pambrojtur, të shpërfillur dhe të keqkuptuar nga Europa.
Ajo nuk ishte thjesht antropologe. Nu ishte thjesht shkrimtare. Ishte një ndërgjegje morale. Një grua që udhëtoi në zona lufte, që sfidoi paragjykimet e epokës, që shkroi të vërtetën edhe kur ajo i bënte armiq. Dhe e bëri sepse ndër shqiptarë gjeti një fisnikëri të rrallë, një besë që e la pa fjalë, një mikpritje që nuk e kishte njohur kurrë në Londër.
Edith Durham mbetet sot një emër që ngjall respekt, mirënjohje dhe mall. Ajo ishte arti që u bë histori. Ishte kronistja që u bë mbrojtëse. Ishte e huaja që u bë shqiptare me zemër.
Ç’bëri ajo për shqiptarët?
Ndihma e saj ishte e pakrahasueshme për kohën, ishin, dokumentoi jetën shqiptare me një saktësi të rrallë: zakone, këngë, besime, rrugëtime, kodin e nderit, marrëdhëniet fisnore.
Gjithashtu mbrojti çështjen shqiptare në Londër, në shtypin britanik, në qarqet diplomatike. Zëri i saj ishte i fortë, këmbëngulës, i argumentuar. Denoncoi padrejtësitë që u bënin shqiptarëve nga fqinjët dhe nga Fuqitë e Mëdha.
Ajo që e bën kontributin e saj edhe më të rëndësishëm është se ajo shfrytëzoi njohjet, lidhjet dhe miqtë për të siguruar ndihma humanitare. U kujdes për të sëmurët dhe të plagosurit në kohët e luftërave.
Shkroi libra themelorë mbi etnografinë dhe historinë tonë, ku më i njohuri është High Albania (1913), një thesar i antropologjisë shqiptare.
Pse shqiptarët e donin aq shumë?
Sepse ajo nuk na pa si “material studiues”, por si njerëz.
Durham e ndjeu padrejtësinë që rëndonte mbi këtë popull dhe e përqafoi si të ishte e saj. Në një letër shkruante: “Shqiptarët janë njerëzit më besnikë që kam njohur ndonjëherë.”
Mikpritja jonë e preku thellë. Krenaria jonë e frymëzoi. Tragjeditë tona e zemëruan dhe e shtynë të luftonte me penë. Ajo vendosi t’i përkushtohej Shqipërisë me devotshmëri, si një mision i brendshëm moral.
Si e shihte Shqipërinë?
E shihte si një vend me plagë të mëdha, por me një shpirt të pamposhtur.
E shihte si një popull në kufirin mes Evropës dhe barbarisë, që meritonte më shumë nga bota.
E shihte si një vend të bukur e të egër, ku njerëzit jetonin në kufirin mes traditës dhe mbijetesës.
Dhe për një grua që kërkonte kuptim, kjo ishte një thirrje.
Lidhja që mbeti e përjetshme
Edhe pse u largua nga Ballkani pas Luftës së Parë Botërore, zemra e saj mbeti gjithmonë tek shqiptarët. Ajo vdiq në Londër më 1944, por shqiptarët e kujtojnë ende si një ikonë të besës, të miqësisë dhe të mirënjohjes.
Në Shkodër dhe në Tropojë, në Malësinë e Madhe e në Mirditë, emri i Edith Durham-it nuk është thjesht histori, është nder. Në kujtesën tonë ajo mbetet një figurë e bardhë, një dëshmi se miqësia ndërmjet popujve lind aty ku gjuha nuk mjafton dhe ku hyhet vetëm me zemër.
Edith Durham ishte më shumë se mikesha e shqiptarëve. Ajo ishte ndër zërat që na bëri komb para se Europa të na njihte si të tillë.







