Përmirësimi i humbjeve dhe ngarkesës në rrjet, OSSh ndërhyrje në rrjet për zonën e Kamzës

0
9

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, pjesë e OSHEE Group, do të ndërhyjë në përmirësimin të rrjetit dhe kabinave në zonën e Kamzës.

Një procedurë prokurimi me fond limit 870 mijë euro nënvizon se kjo është pjesë e strategjisë së zhvillimit dhe përmirësimit të rrjetave elektrike, ku ndër të tjera përfshihet edhe normalizimi i ngarkesave në linja TM, kabina transformacioni dhe rrjetin TU, dhe për t’iu përgjigjur zhvillimit urbanistik dhe demografik të zonës së Kamzës.

Konkretisht projekti përmban ndërtimin e dy fiderave të rinj në tension të mesëm 20 kV. Ky projekt është i nevojshëm pasi kjo zonë aktualisht ka një rrjet shumë të ngarkuar në vlera nominale dhe me humbje të larta teknike dhe jo teknike.

Projekti përfshin një zonë gjeografike prej 20 km² dhe rreth 10 000 abonentë (familjarë dhe privatë).

“Domosdoshmëria, arsyeja e kryerjes së investimit. Ky investim është planifikuar të kryhet për arsye se: zona në të cilën zhvillohet projekti ka një trend të lartë të rritjes së kërkesës për energji; zona aktualisht ka defekte të shpeshta; zona ka ngarkesa të larta.

Për sa më sipër del e nevojshme rritja e cilësisë së shpërndarjes së energjisë elektrike; për këtë qëllim hartohet projekti i ndërtimit të rrjetit të tensionit të mesëm 20 kV nga nënstacioni i 110/20 kV Kashar.

Rrjeti elektrik në këtë zonë ka nevojë për përmirësime pasi ngarkesat në fiderat ekzistues janë në vlera nominale, zhvillimi urbanistik në këtë zonë ka sjellë rritje të kërkesës për konsum të energjisë elektrike, fuqia e instaluar në fidera është më e madhe se kapaciteti furnizues i tyre.

Ndërtimi i rrjetit të ri të tensionit të mesëm 20 kV do të rrisë cilësinë e energjisë së shpërndarë, do të ulë numrin e defekteve, do të garantojë siguri në shfrytëzimin e tij”, thuhet në raportin teknik të projektit.