Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha do të paraqitet nesër në SPAK për t’u pyetur për dosjen e 21 janarit.
Gjatë një konference për shtyp ai konfirmoi praninë e tij përballë prokurorëve që po hetojnë këtë çështje, ndonëse tha se hetimi është politik.
Berisha tha se “21 janari” klasifikohet si “vrasje shtetërore pa dashje”, ku efektivët e Gardës së Republikës kanë vepruar sipas ligjit të miratuar nga vetë socialistët.
“Roja i Gardës vepron mbi bazën e ligjit. Ligji thotë “po të gjuajti, breshëri në ajër, po vahdoi të të gjuajë, te këmbët, pastaj neutralizim”. Ky është ligji i bërë nga socialistët. Në qoftë se fillimisht u tha se janë plumba nga afër, çka linte për të nënkuptuar që ishin demonstrues që kishin gjuajtur njeri tjetrin, më vonë u tha se ajo ekspertizë nuk ishte e drejtë, por janë nga distanca. Atëherë, ato janë plumba të armëve të shtetit, të përdorura në përputhje me rregullat dhe ligjin, pra janë vrasje shtetërore jo me qëllim, pa dashje. Ky është vlerësimi im. Edhe këto quhen vrasje shtetërore. Të njëjtën gjë kam thënë edhe për Gërdecin se mbikqyrjen e kishte shteti”, tha Berisha.
Ai shtoi më tej se “nesër do jem në SPAK. Ndonëse e deklaroj që sot që ky është një hetim politik. Kjo çështje është hetuar me ekspertë shqiptarë dhe ndërkombëtarë, por mua nuk më kanë pyetur një herë. E dini pse? Se isha njeriu i rrethuar. Tani që më thërrasin, do shkoj. Kam qenë 5-6 orë në rrethim, në përpjekje për të pushtuar kryeministrinë”.







