Komentet e pasakta të një mjeku në rrjetet sociale mbi një studim mjekësor në Korenë e Jugut u kthyen në një fushatë online keqinformimi dhe paniku.
Më 9 nëntor, kardiokirurgu Edvin Prifti shpërndau katër foto nga një studim i kryer në Korenë e Jugut, me titull: “Rreziqet 1-vjeçare të kancerit të lidhura me vaksinimin COVID-19: një studim kohorte i bazuar në popullsi në Korenë e Jugut”.
Prifti e shoqëroi postimin me një interpretim personal, duke pretenduar se materiali vërtetonte një lidhje direkte mes vaksinave dhe kancerit.
“Nuk ka asnjë shpjegim tjetër përveçse urrejtjes ndaj njeriut! Një holokaust pa asnjë diskriminim!”, shkroi ai.
Mbi 15 faqe online në gjuhën shqipe, përfshirë të përditshmen Gazeta Dita dhe portale të tjera, e shpërndanë postimin e Priftit me tituj alarmues. Postimi u rishpërnda nga 129 ndjekës të kardiokirurgut shqiptar dhe gjeneroi video virale në rrjetet sociale.
Studimi që i referohet Dr.Prifti, i publikuar nga revista “Biomarker Research”, ka si autorë katër shkencëtarë koreano jugor.
Megjithatë, ndryshe nga pretendimi i doktorit shqiptar, ai nuk shkruan se ka një lidhje shkakësorë midis vaksinimit kundër COVID-19 dhe rritjes së rrezikut të sëmundjes së kancerit.
Vetë autorët e studimit theksojnë në mënyrë specifike në konkluzionet e publikuara se gjetjet e tyre nuk provojnë lidhje shkak-pasojë mes kancerit dhe vaksinës.
“Nevojiten studime të mëtejshme për të sqaruar marrëdhëniet e mundshme shkakësore,” shkruajnë ata në konkluzionet e studimit.
I pyetur nga BIRN mbi deklaratën e tij për studimin, kardiokirurgu Prifti këmbënguli në qëndrimin e tij për lidhjen e vaksinë me kancerin.
“Në konkluzion, mendoj që të dhënat janë të shumta dhe kokëforta,” tha ai, duke pranuar gjithsesi se “duhen studime të tjera”.
Një lajm i vjetër dhe i përgënjeshtruar
Zhurma e krijuar së fundmi në Shqipëri mbi këtë studim, bazohet në një lajm që është përgënjeshtruar prej kohësh në arenën ndërkombëtare. Studimi, i publikuar fillimisht në “Biomarker Research” si letër për redaktorin, u bë viral në botën anglisht folëse pas një artikulli sensacionalist në gazetën britanike ‘Daily Mail‘ më 29 shtator.
Ekspertët dhe faqe të verifikimit të fakteve, si Full Fact, reaguan menjëherë, duke detyruar Daily Mail të korrigjonte artikullin. Në versionin e rishikuar, gazeta sqaroi se studimi nuk provonte lidhje mes vaksinës dhe tumoreve. Patologët shpjeguan se “është e pamundur mjekësisht që një kancer solid të zhvillohet deri në atë pikë sa të diagnostikohet brenda një viti”.







