Pas vizitës së Ministrit të Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, në Tiranë, Ambasada Gjermane ka rikonfirmuar mbështetjen e plotë për integrimin europian të Shqipërisë. Në një deklaratë të publikuar këtë të mërkurë, 19 nëntor, thuhet se dinamika e reformave është e jashtëzakonshme, duke e veçuar Shqipërinë si një nga shembujt më pozitivë në rajon për progresin e arritur kohët e fundit.
“Qëllimi është anëtarësimi në BE: Më 17 nëntor, Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, vizitoi Shqipërinë si pjesë e një udhëtimi në 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ai diskutoi rrugën drejt BE-së me Ministren e Jashtme të Shqipërisë, Spiropali, dhe kreun e SPAK-ut, Dumani. Ballkani Perëndimor ka prioritet për Gjermaninë dhe ne e mbështesim fuqimisht rrugën e saj drejt BE-së. Dinamika në Shqipëri është e jashtëzakonshme; kohët e fundit, ndoshta asnjë vend tjetër në rajon nuk ka bërë përparime të tilla. Gjermania vlerëson angazhimin e madh që shumë shqiptare dhe shqiptarë po bëjnë, si në politikë, administratë dhe shoqëri civile, për të realizuar reforma të vërteta.
Duke theksuar se nuk mund të ketë rrugë të shkurtra për reformat, në reagimin e ambasadës thuhet se, nëse Shqipëria vijon kështu, mundësitë për të arritur sukses së shpejti janë të mëdha. Një vlerësim të veçantë, Gjermania ka edhe për SPAK.
“Është e qartë që nuk mund të ketë rrugë të shkurtra për këto reforma. Por, nëse Shqipëria e ndjek vazhdimisht këtë rrugë dhe intensifikon përpjekjet e saj, mundësitë për të arritur sukses së shpejti janë të mëdha. Reformat e mëtejshme duhet të miratohen dhe të zbatohen në mënyrë të vazhdueshme, sidomos në fushën e sundimit të ligjit, lirisë së mediave dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Një drejtësi e pavarur dhe efektive është thelbi i çdo shoqërie demokratike dhe të lirë. Me SPAK, Shqipëria ka një institucion të fortë që po bën përparime konkrete në hetimin dhe luftimin e korrupsionit. Shoqëria dhe ekonomia mund të lulëzojnë vetëm kur mundësitë shpërndahen në mënyrë të drejtë dhe ka besim në institucionet e pavarura”.
Ambasadori suedez në Tiranë: Shqipëria, progres fantastik në procesin e negociatave
Niklas Ström, ambasadori i Suedisë në Shqipëri, ishte sot, 19 nëntor, në Pogradec. Ai takoi Ilir Xhakollin, kreun e bashkisë, dhe bëri me dije për mediat se diskutuan për fazën ku ndodhet Shqipëria në procesin e integrimit europian, kryesisht sa i përket qeverisjes vendore.
“Shqipëria tani i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave të BE-së dhe për veprimet e rëndësishme që duhet të ndërmerren në nivel lokal, edhe nga bashkitë, në atë proces. Dhe ne kemi folur gjithashtu për partneritetin që Shqipëria ka me Suedinë dhe se si Suedia po e mbështet Shqipërinë si në nivel lokal me qeverisjen vendore dhe demokracinë vendore ashtu edhe në nivel kombëtar, me mjedisin, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik”, tha ai.
Ström u pyet edhe për planin e Shqipërisë për të përmbyllur negociatat në vitin 2027 ku tha se progresi deri më tani ka qenë fantastik. Ambasadori theksoi mbështetjen e Suedisë në këtë proces dhe tha se i takon Tiranës zyrtare të bëjë të gjitha reformat që nevojiten.
“Progresi ka qenë fantastik deri tani. Ata i kanë hapur të gjithë kapitujt brenda një viti. Suedia është shumë e interesuar që Shqipëria t’i bashkohet Bashkimit Evropian dhe Shqipëria ka një kalendar shumë ambicioz. BE-ja, Komisioni Evropian dhe Suedia e mbështesin këtë. Por i takon Shqipërisë të bëjë të gjitha reformat që nevojiten. Ne jemi këtu për të mbështetur, dhe BE është këtu për të mbështetur”, tha ai.
Një pyetje shkoi edhe për ligjin për barazinë gjinore.
“Parlamenti ka miratuar ligjin për barazinë gjinore dhe mendoj se ajo që është e rëndësishme këtu është që çdo person që beson në të drejtat e grave dhe burrave duhet të ngrihet në mbrojtje të barazisë gjinore, dhe këtë bëjmë ne në Suedi”, tha ambasadori suedez.








