HomeOP EDTë bësh surf në kënetë! Nga Arian Galdini

Të bësh surf në kënetë! Nga Arian Galdini

Advertismentspot_img

Nga Arian Galdini
Media shqiptare sot i ngjan një restoranti luksi mbi ujë të ndotur. 
Brenda xhamave, dritat vezullojnë, verërat hapen me zhurmë, pjata me menu franceze serviren si dëshmi “suksesi”. 

Përtej xhamit, një popull i lodhur numëron qindarkat për bukë, ilaçe e qira. 

Brenda, i njëjti rreth prej vitesh, plaçkitës funksionesh publike, të larë e majmur me taksat tona, duke bërë sikur janë elita e një vendi që nuk e njohin më.

Në një shoqëri ku afro gjysma e familjeve rrezikojnë varfërinë dhe përjashtimin social, ku papunësia mes të rinjve është afërsisht dyfish e mesatares së vendit dhe rreth një në katër djem e vajza 18–24 vjeç mbeten jashtë tregut të punës, ku shumica e azilkërkuesve tanë në BE janë nën 35 vjeç, ku prej fillimit të viteve 2000 kanë ikur mbi 600 mijë shqiptarë dhe sot rreth 1.6 – 1.7 milion jetojnë jashtë, ku dhjetëra mijëra të rinj punojnë në call center me paga minimale dhe kontrata të brishta, ku lindjet pakësohen vit pas viti dhe shtesa natyrore zbehet, ku çdo vit regjistrohen mijëra raste të reja me kancer, ku qindra mijëra kërkojnë fatin në llotarinë amerikane, ekranet sillen rreth të njëjtit bosht, pushtetit, parasë, klientelës. 

Ky nuk është vetëm deformim lokal, është mënyra se si epoka jonë trajton shumicën, si prapaskenë që duhet të heshtë, ndërsa skena i shërben pakicës së njëjtë.

Në teori, media është sheshi ku shfaqet e vërteta dhe ku qytetari sheh veten. 

Në praktikë, në Tiranën e nëntorit 2025, ajo është më shumë skenë se shesh. 

Në vend të agorasë ku njerëzit dalin të dëgjohen si të barabartë, kemi sallon të mbyllur ku të ftuarit përzgjidhen me listë. 

Publiku trajtohet si konsumator që duhet mbajtur i zënë, jo si qenie me ndërgjegje.

Restoranti i luksit mediatik ka rregullat e veta. 

Pyet sa peshon në llogari, shikon sa mund të paguash, sakrifica nuk hyn në menu. 

Kërkon spektaklin që mbulon, jo të vërtetën që zhvesh. 

Shefat e mëdhenj të politikës dërgojnë listëporositë, kë të shfaqin, kë të fshijnë, kë të baltosin, kë të kurorëzojnë. 

Gazetaria kthehet në kamarierllëk, kush shërben më bindshëm, merr bakshish më të madh.

Kështu kemi mbërritur në pikën ku vlen jo çfarë bën, por kush të sheh. 

Jo sa ke ndërtuar, por sa të kanë ekspozuar. 

Çdo aksion qytetar që s’blen biletë te restoranti i luksit shpallet “ngjarje pa vlerë”. 

Çdo mendim që s’hyn në menunë e porositur etiketohet “i parëndësishëm”. 

Liria e fjalës nuk vritet me ndalim, vritet me shpërfillje. 

Dikur liria e fjalës matej me rrezikun “a të lënë të flasësh”. 

Sot duhet pyetur ndryshe: “A e kap dikush dot fjalën tënde?”. 

Tirania e vjetër godiste gjuhën, tirania e re, tirania e shpërfilljes, tret jehonën. 

Shekulli ynë nuk ka nevojë të mbyllë gojë, i mjafton të shuajë dëgjuesit.

Këneta nuk është aksident. Është projekt. 

Në këtë moçal, zhabat e pushteteve politikë e ekonomikë këndojnë në kor. 

Secila e di kur i takon të kuakojë, kur duhet të sulmojë, kur duhet të heshtë. 

Skandalet shpërthejnë brenda lejes. 

Protestat dramatizohen, pastaj menaxhohen, në fund tradhtohen. 

Dallgë nuk lejohen. 

Lejohen vetëm valëzime, sa për të krijuar iluzion lëvizjeje.

E majta kontrollon me rreptësi ushtrinë e zërave të saj. 

Çdo dalje, çdo panel, çdo “debat” kalon nga sita e shtabit propagandistik. 

E djathta zyrtare i shan këto metoda, pastaj bën kopjen e njëjtë, pasi edhe aty lista e heronjve të studios vjen nga zyra e kryetarit, nga kalkulimet e brendshme, nga llogaritë bankare. 

Me një sy të shpejtë dallon paradoksin, mediat që shpallen kundër Qeverisë promovojnë çdo ish-figurë të Qeverisë, mjafton të shajë një klan tjetër të së njëjtës kënetë.

Në ekrane, “politikanët” e rinj janë fytyra të vjetra. 

Ish-lojtarë me mëditje të përdorur si zaptues të hapësirave civile, protestave civile, ish-veprimtarë të një rendi bëhen heronj të tjetrit sapo ndërrojnë tavolinë apo rol. 

Mjafton të godasin me leje dhe vetëm me leje e sipas nevojave të lojës, kreun a krerët radhës me ton të lartë, dhe restoranti hap derën. 

Ndërkohë, ata që nuk vijnë nga skenari i vjetër, por nga ndërgjegjja e lirë, mbeten jashtë kornize.

Aktivistët e vërtetë, qytetarët që nuk shiten, ata që bëjnë aksione të pastra pa porosi, thjesht mungojnë. As në kronikë, as në studio, as në portale. 

Për këtë sistem, ata që vijnë nga burimi e prishin recetën. 

Uji i freskët i prish llogaritë e ujërave të ndenjura. Këneta e urren burimin. 

E urren shiun. 

E urren çdo lëvizje që nuk vjen nga komandat e saj.

Por këtu hyn edhe pjesa jonë, e neve qytetarëve të thjeshtë shqiptarë. 

Kemi pranuar ta shohim veten më shumë si tifozë se si qytetarë. 

Kemi ndërruar fjalën me batutën, mendimin me memen, gjykimin me komentin e shpejtë. 

Në vend të agoras kemi galerinë e komenteve të mllefosura, në vend të argumentit kemi brohoritjen. 

Sa herë qeshim me baltën, pa e dalluar nga analiza, kemi bërë një votë të heshtur pro këtij sistemi. 

Duke i dhënë klikime llumit, duke shpërndarë spektaklin dhe duke lënë në heshtje seriozitetin, i kemi dhuruar kënetës atë që kërkon më shumë, indiferencë ndaj të vërtetës.

Këneta nuk mbahet vetëm nga ata që paguajnë faturën, por edhe nga ne që paguajmë vëmendjen, indiferenca jonë ndaj të mirëve, është oksigjeni i saj.

Në ekranet tona, trollitantët dhe botsat janë kthyer në legjionë digjitalë, më të pamëshirshëm se centaurët e antikitetit, trup pa ndërgjegje, fuqi pa mëshirë. 

Algoritmet shpërblejnë zhurmën, mbytin mendimin e kthjellët, e minimizojnë çdo zë që nuk hyn në skenar. 

Shekulli ynë nuk djeg libra, i bën të padukshëm, nuk mbyll gazeta, u shuan rrezet te pazari i algoritmit, tirani i ri nuk të mbyll gojën, të heq dëgjuesin. 

Algoritmi nuk është thjesht teknologji, është censurë e automatizuar që maskohet si liri zgjedhjeje. 

Nuk të thotë “mos fol”, të thotë “thuaj sa të duash, se nuk të sheh njeri”. 

Qëndron duke folur para një muri dhe e quan atë tribunë.

Kush guxon të flasë ndryshe, trajtohet si Ifigjeni në Aulidë, dikush duhet flijuar në altar që flota e vjetër të lëvizë edhe një herë. 

Kush nuk pranon të luajë sipas skenarit, përjashtohet nga drama. 

Shfaqja duhet të vazhdojë, edhe nëse personazhet e ndershëm mbeten jashtë skene.

E kam parë nga afër këtë mekanizëm. 

Mjafton të refuzosh “kompromiset”, apo edhe me thjeshtë fare ndonjëherë, mjafton të refuzosh një panel me listëporosi, ku të kanë caktuar rolin e “të zemëruarit dekorativ”, dhe papritur telefonatat pakësojen, ftesat hollohen, dhe emri yt zhvendoset nga lista e të ftuarve te lista e të padukshmëve. 

Aty kupton se pjesa më e rrezikshme e kënetës nuk është balta, por heshtja selektive, ajo që të le të flasësh, por të heq çdo pasqyrë.

Ikja mbetet tundimi më i lehtë. 

Ta lësh vendin, ta braktisësh moçalin, t’i kthesh shpinën çdo kutërbimi. 

Mijëra shqiptarë e bëjnë çdo vit, statistikat e emigracionit dhe llotarisë e dëshmojnë. 

Ikja e të mirëve e bën kënetën edhe më të thellë, edhe më të qetë, edhe më të rrezikshme. 

Moçali humbet kundërshtimin, por jo fuqinë. 

Ikja të shpëton trupin nga kënetja, qëndrimi e mbron kuptimin tënd nga kalbëzimi i saj.

Qëndresa është rruga e vështirë. 

Dhe këtu hyn thelbi, nëse kërkon ta ndryshosh kënetën, s’e bën dot nga bregu. 

Nuk e ndryshon duke e soditur nga larg, duke e komentuar nga telefoni, duke e sharë nga divani. Moçali nuk thahet me status.

Këneta ndryshohet vetëm duke hyrë brenda. Të bësh surf në kënetë. Kjo është formula.

Të futesh mes baltës pa u bërë baltë. 

Të kalosh nëpër studio të komanduara pa u komanduar. 

Të shfaqesh në debate të kurdisura pa pranuar rolin që të kanë shkruar. 

Të hysh në lojën e tyre, por me rregullat e tua. 

Të mos e shesësh veten për një minutë famë, as për një karrige më afër panelit. 

Të pranosh se do të injorohesh, do të keqinterpretohesh, do të goditesh, dhe prapë të vazhdosh.

Surf në kënetë do të thotë të mos kthehesh në gur që fundoset, por në plankë që lëviz lart e poshtë, duke sjellë frymëmarrje dhe shikim. 

Të mos humbasësh mes korit të kuakuakeve, por as të zhdukesh në heshtje. 

Të qëndrosh në sipërfaqe, me vetëdije, ndërsa poshtë vazhdon loja e vjetër.

Reforma në drejtësi mund të bëjë pjesën e vet. 

Perëndimi mund të ushtrojë presionin e vet. 

Një ditë kapuçat dhe prangat mund të vijnë për të korruptuarit dhe zuzarët e Qeverisjeve dhe Sistemit të Pakicave Plaçkitëse. Mundet. Mundet jo, mundet po.

Por asgjë nga këto nuk zëvendëson detyrën tonë si qytetarë. 

Nëse mendjet e lira dorëzohen, nëse zemrat e ndershme heshtin, nëse njerëzit me ndërgjegje ikin, asnjë reformë nuk mban gjatë. 

Rrymat e jashtme mund të pastrojnë sipërfaqen, nëse moçali brenda nesh mbetet i njëjtë, çdo valë kthehet në pellg.

Të bësh surf në kënetë do të thotë të rrish këtu, të mos bësh pakt me kutërbimin, të mos blesh biletë për restorantin e luksit, të mos futesh në listëporosi. 

Do të thotë të lëvizësh në ujë të ndotur me gjeste të pastra. 

Të mos pranosh rolin e viktimës, as maskën e bashkëfajtorit. 

Shekulli ynë nuk djeg në turrë, provon të djegë brenda. 

Në një botë ku gjithçka mund të blihet, i vetmi luks i vërtetë mbetet të mos shitesh.

Nuk është i lehtë ky vendim. 

Nuk sjell famë, nuk sjell promovim, nuk sjell tituj. 

Sjell diçka tjetër, mund të mbetesh jashtë kornizës, algoritmi mund të të fshehë, por, ndërkohë, ke ruajtur veten. 

Në fund, çështja nuk është kush fitoi pushtetin, por kush ruajti veten.

Dhe ndoshta, në një ditë që sot s’e shohim ende qartë, kur balta të lëvizë, kur zërat e lirë të shumëfishohen, kur burimet të fillojnë sërish të ushqejnë lumin, do të kujtohet se dikush ka bërë surf në kënetë pa u kthyer në zhabë. 

Në atë ditë, restoranti i luksit mund të vazhdojë të bëjë bankete, por ujërave të ndenjura u është kthyer burimi. 

Dhe atëherë nuk ka rëndësi kush u pa më shpesh në ekrane, ka rëndësi kush mbeti i pastër brenda moçalit, sepse në fund, as historia, as ndërgjegjja nuk e matin dot sa u pe, por sa rezistove pa u shitur.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular