Deputetja e Partisë Demokratike dhe njëherësh kryetare e Komisionit të Kulturës, Ina Zhupa, ka lëshuar akuza ndaj qeverisë për projektbuxhetin e vitit 2026, duke denoncuar një ulje faktike të fondeve për artin dhe trashëgiminë.
Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Zhupa analizoi shifrat, duke vënë në dukje se shpenzimet korrente për kulturën – ato që mbajnë gjallë aktivitetin artistik – kanë pësuar një tkurrje prej -3.4%.
“Një ministri që ul korrentin nuk mund të rrisë aksesin kulturor apo turizmin gjithëvjetor. Shpenzimet korrente janë baza e sektorit; ato financojnë programet, eventet, muzetë dhe promovimin,” u shpreh deputetja demokrate.
“Gropat” kulturore të Tiranës
Pika tjetër e kritikës së Zhupës ishte gjendja e institucioneve kryesore kombëtare në Tiranë. Ajo ironizoi mburrjen e qeverisë me shifrat e turizmit, ndërkohë që turistët në kryeqytet gjejnë dyer të mbyllura.
“Sado që mburreni me numrin e turistëve, po ju kujtoj që në Tiranë është gropë Teatri Kombëtar, është i mbyllur Muzeu Kombëtar dhe nuk funksionon Galeria e Arteve. Cirku i vetëm është ai që bëjnë këta pas shpinës sime,” deklaroi Zhupa.
Sipas saj, Tirana mban një rekord negativ unik: “Është i vetmi kryeqytet në Europë që nuk i ka funksionale institucionet bazë të kulturës.”
Trashëgimia dhe rasti i Butrintit
Zhupa u ndal edhe te fondet për Trashëgiminë Kulturore, të cilat i cilësoi si minimale dhe të paorientuara. Sipas saj, financimi i brendshëm për këtë zë është vetëm 175 milionë lekë, një shumë që nuk jep asnjë efekt real për zhvillim.
Ajo denoncoi gjithashtu ndërhyrjet në Parkun e Butrintit: “Sot peizazhi i mbrojtur i Butrintit do të ketë një godinë japoneze. Se çfarë lidhje ka kjo, këtë e di vetëm AADF-ja.”
Në përfundim, Zhupa theksoi se mungesa e infrastrukturës minimale dhe e një kalendari artistik dëshmon se prioritetet e qeverisë për vitin 2026 janë larg nevojave të qytetarëve dhe vizitorëve







