Një robot humanoid i pajisur me inteligjencë artificiale ka performuar një kërcim përpara presidentit rus Vladimir Putin, gjatë një ekspozite të organizuar nga Sberbank, banka më e madhe në Rusi, e cila kishte për qëllim të prezantonte risitë teknologjike të institucionit. Pamjet, të transmetuara në televizionin shtetëror, e shfaqnin Putinin përballë robotit, i cili fillimisht iu prezantua dhe më pas kërceu këngën e tij të preferuar.
“Emri im është Green. Jam roboti i parë humanoid rus me inteligjencë artificiale të integruar. Kjo do të thotë se nuk jam thjesht një program në ekran, por një formë fizike e teknologjisë,” i tha roboti Putinit.
Sipas Sberbank, roboti do të marrë përditësime të vazhdueshme software-i, ka aftësi të kryejë detyra fizike dhe pritet të përfshihet në disa sektorë të bankës si pjesë e një projekti pilot
Ngjarja u ndoq me kujdes nga truprojat e Putinit, ku njëri prej tyre u pozicionua mes robotit dhe presidentit për t’u siguruar që pajisja nuk i afrohej shumë atij. Putin e përshkroi performancën si “shumë të bukur” dhe e falënderoi robotin.
Demonstrimi vjen vetëm pak ditë pasi një robot tjetër me inteligjencë artificiale, i quajtur Aidol, u rrëzua nga skena gjatë një paraqitjeje publike.
Gjatë vizitës, Putin inspektoi edhe një nga banomat e reja inteligjente të Sberbank, i cili, falë kamerave të integruara, mund t’u ofrojë klientëve të dhëna bazë shëndetësore duke analizuar 10 tregues, përfshirë pulsin dhe tensionin e gjakut.







