Nga Bujar Leskaj
PROJEKTBUXHETI
FJALA NE KUVEND-19/11/2025
Në fakt, në mendimin tim personal, duke dëgjuar shumë diskutime sot, edhe nga pozita edhe nga opozita, ne jemi shumë arkaikë dhe shumë dogmatikë në diskutimet për buxhetin. Kështu, ne të opozitës e kritikojmë, e demaskojmë projektbuxhetin dhe paketën fiskale që sjell qeveria, ndërsa ministrat dhe deputetët e shumicës vetëm e lavdërojnë.
Në Komisionin e Ekonomisë, kur kemi diskutuar, kam hedhur një ide që ndoshta ne duhet të eksperimentojmë, të ecim me moton “kur ka qenë hera e fundit që ke bërë një gjë për herë të parë”, dhe ndoshta diskutimet për projektbuxhetin t’i shikojmë nga një këndvështrim tjetër, për shembull të lidhura me 16 objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm ose të tjera.
Projektbuxheti 2026 dhe paketa fiskale e shoqëruar me të, nuk adresojnë sfidat e mëdha strukturore të ekonomisë shqiptare, përkundrazi i thellojnë ato. Dokumentet paraqesin një filozofi vazhdimesie mbështetjeje të PPP-ve, rritjen e shpenzimeve të administratës publike, orientim drejt konsumit dhe mungesë të investimeve produktive.
Elementet kryesore problematike të këtij projektbuxheti dhe pakete fiskale, në mendimin tim, janë:
- Mungesa e minimumit jetik, si instrument bazë për politikat sociale
- Forcimi i një modeli ekonomik pa vlerë të shtuar
- Prevalenca e PPP-ve dhe mungesa e transparencës në detyrimet afatgjata
- Rritja e pabarazisë dhe përkeqësimi i treguesve socialë
- Nënfinancimi kronik i bujqësisë, arsimit dhe shëndetësisë
- Dobësimi i klimës së biznesit dhe rritja e korrupsionit
- Paketë fiskale regresive që shpërblen evazionin
- Masa me natyrë elektorale pa ndikim pozitiv në zhvillim
Struktura aktuale e ekonomisë sonë në dy shtyllat kryesore, industria prodhuese dhe bujqësia, që janë sektorët kyç për një rritje të qëndrueshme, në fakt janë në rënie të vazhdueshme, dhe kjo duhet të na bëjë të gjithë të mendohemi thellë.
Ky është buxheti i 13-të i sektit Rama në qeverisje, që ekspozon një boshllëk themelor: mungesën e Minimumit Zyrtar Jetik. Shqipëria vijon të jetë i vetmi vend në rajon që nuk ka një normë të certifikuar ligjërisht për minimumin jetik. Në BE, por edhe në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Kroaci, etj., ky tregues jo vetëm që ekziston, por edhe përditësohet çdo vit.
Shqipëria mbetet një përjashtim i trishtë: (i) duke vendosur pagën minimale në mënyrë arbitrare, pa një prag që garanton jetesë minimale, (ii) duke përcaktuar ndihmën ekonomike pa marrë parasysh nevojat reale të familjeve të varfra, (iii) duke mos korrigjuar pensionet minimale me kostot faktike të jetesës dhe (iv) duke mos pasur një instrument të matshëm për të raportuar uljen e varfërisë.
I. Një projektbuxhet që mbështet PPP-të dhe një ekonomi pa vlerë të shtuar
Shqipëria po hyn në vitin 2026 me një ekonomi pa vlerë të shtuar, të mbështetur mbi ndërtimin, shërbimet dhe paratë e pista që kanalizohen në to, sikurse e shprehin qartë raportet e institucioneve ndërkombëtare.
Ky që është ngritur tek ne përfaqëson një model të paqëndrueshëm ekonomik, i cili do të sjellë pasoja tejet negative, nëse nuk ndalet. Mbi 60% e rritjes së PBB-së këtë vit vjen nga konsumi familjar dhe administrata publike, ndërsa bujqësia dhe industria prodhuese dhe për eksport janë në rënie të vazhdueshme dhe në recesion prej vitesh. Kjo tregon një model ekonomie të varur nga shteti dhe jo nga sektori prodhues.
Në të njëjtën kohë, sipas EUROSTAT, rreth 1.1 milionë shqiptarë janë larguar gjatë dekadës së fundit.
Me projektbuxhetin 2026, kemi të bëjmë me rritje nominale, jo me rritje reale të mirëqenies së qytetarëve, sepse ende ne nuk kompensojmë rritjen e çmimeve në ushqime, energji dhe produkte bazë.
Buxheti 2026 ofron për të 13-in vit radhazi mungesë të transparencës në detyrimet që rrjedhin nga kontratat e PPP-ve. Ende ministritë përgjegjëse nuk botojnë regjistrin përkatës.
Ulja e deklaruar e borxhit publik në 53.6% të PBB-së, në fakt, ha diskutime (por të jem korrekt, edhe me korrektësinë e ministrit të financave, i cili një paketë të thelluar pyetjesh të përcjella prej meje u përgjigj me profesionalizëm, përgjigje të cilat unë duhet t’i studioj për të vazhduar, dhe kemi çfarë të diskutojmë). Kemi të diskutojmë për borxhet e fshehura; pra, kemi një borxh të fshehur publik që faturat e PPP-ve dhe detyrimet nga arbitrazhet po rrisin në heshtje barrën mbi taksapaguesit. Ne kemi një borxh që nuk e përcaktojmë realisht, dhe për më tepër, po të marrim raportin që përcaktohet borxhi publik në përqindje, vlera e borxhit me PBB nuk është çudi që, në këto raste, duke u rritur vlera nominale e emëruesit, nuk është çudi që këtu të jetë dhe kyci juaj (i qeverisë)—thembra e Akilit—që zvogëloni vlerën në përqindje dhe kaloni në këto shifra të borxhit publik.
II. Buxhet që thellon krizën demografike, ekonomike dhe sociale të vendit
Sipas INSTAT, 20% e shqiptarëve jetojnë në varfëri ekstreme, ndërsa 41% janë në kushtet e përjashtimit social dhe rënies në varfëri. Rreth 40% e shpenzimeve të një familjeje mesatare shkon për ushqime bazë, në krahasim me vetëm 10–12% në vendet e BE-së, ndërkohë që çmimet e ushqimeve janë rritur me 30% vetëm në 3–4 vitet e fundit.
Inflacioni i viteve të fundit, rritja e çmimeve të energjisë dhe produkteve bazë kanë konsumuar fuqinë blerëse të familjeve tona. Pensionistët dhe punonjësit me paga të ulëta do të vazhdojnë edhe me këtë buxhet të jetojnë në kufijtë e varfërisë, ndërsa shtresat e mesme shfaqin shenja të forta tkurrjeje. Një tregues për këtë është se edhe përfaqësues nga këto shtresa po largohen nga vendi.
Situata në shëndetësi dhe arsim — të dyja shumë larg financimit 5% të PBB-së të premtuar vite më parë nga sekti në pushtet — përshkruhet edhe nga EUROSTAT si alarmante. Shpenzimet në shëndetësi për frymë janë shumë më të ulëta se mesatarja rajonale dhe europiane.
Ndërkohë, kostot individuale nga xhepat e qytetarëve për shëndetësinë janë ndër më të lartat, ndërsa skandalet si Onkologjiku apo koncesionet që janë përpara drejtësisë vazhdojnë. Vdekshmëria foshnjore është pothuajse katër herë më e lartë se në BE. Një shqiptar sot jeton mesatarisht 7 vite më pak se një qytetar i Bashkimit Europian!
Arsimi rezulton me përkeqësim të vazhdueshëm në testet PISA dhe me financim minimal për kërkimin shkencor (rreth 0.08% të PBB-së), duke e lënë Shqipërinë në fund të Europës për inovacion dhe ekonomi të dijes. Politikat arsimore nuk po përshtaten me nevojat e tregut të punës.
Buxheti fsheh një realitet të ashpër: thellimin e pabarazive sociale dhe ekonomike në vend. Pas shifrave optimiste për rritje ekonomike dhe premtimeve për rritje pagash e pensionesh, fshihet një ndarje gjithnjë e më e qartë midis një pakice që përfiton nga politikat publike të këtij buxheti dhe shumicës që mbetet jashtë rritjes reale të mirëqenies.
Sektorët që prekin drejtpërdrejt shtresat e ulëta, si bujqësia, arsimi dhe shëndetësia, mbeten edhe në këtë buxhet të nënfinancuar dhe pa reforma të thella.
Edhe në buxhetin 2026, familjet në nevojë do të përballen me procedura burokratike dhe përjashtime të pashpjegueshme. Mungon një strategji kombëtare për integrimin social të grupeve vulnerabël: grave pa punë, të rinjve të papunë, personave me aftësi të kufizuara dhe komuniteteve të margjinalizuara.
III. Nënfinancimi i bujqësisë në buxhet — politikë e heshtur e shpopullimit rural!
Pavarësisht se bujqësia mbetet burimi kryesor i jetesës për mbi 35% të popullsisë dhe kontribuon me rreth 15.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, financimi i saj në dokumentin kryesor ekonomik të Shtetit për vitin 2026 mbetet minimal dhe simbolik. Ky është një realitet që tregon se sektorit që mban mbi supe pjesën më të madhe të ekonomisë rurale po i jepet gjithnjë e më pak rëndësi në politikat publike të sektit Rama.
Në draftin e projektbuxhetit 2026, fondet e dedikuara për bujqësinë mbeten pothuajse të pandryshuara, krahasuar me vitin 2025. Ndërkohë që shpenzimet publike të përgjithshme parashikohen të rriten, alokimi për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural mbetet nën 2% të buxhetit total — shumë më poshtë se mesatarja e vendeve të rajonit, të cilat e kanë 4–6%. Projektbuxheti braktis kështu një nga sektorët më strategjikë për zhvillimin e vendit: bujqësinë.
Edhe pse në letër buxheti përfshin fonde për “skema kombëtare subvencionesh”, realiteti në terren tregon se ato nuk arrijnë te fermerët që kanë më shumë nevojë. Procedurat e komplikuara, vonesat në disbursim dhe përqendrimi i fondeve në disa zona të privilegjuara e bëjnë sistemin e mbështetjes joefikas dhe të padrejtë. Mungesa e transparencës në përzgjedhjen e përfituesve e minon besimin e fermerëve te institucionet shtetërore.
Problem madhor që nuk adresohet në buxhet është pezullimi i fondeve IPARD III dhe ngadalësimi i bashkëpunimit me BE-në në fushën e zhvillimit rural. Këto programe ishin burimi kryesor i investimeve moderne në fermat shqiptare. Mungesa e tyre do të thotë më pak mekanizim, më pak teknologji dhe më pak prodhimtari. Pezullimi i IPARD III pengon modernizimin e sektorit.
Kjo situatë po detyron shumë familje rurale të braktisin tokën dhe të emigrojnë, duke përshpejtuar zbrazjen demografike të zonave bujqësore. Nënfinancimi i bujqësisë po shndërrohet në politikë të heshtur të shpopullimit rural.
Shqipëria, me këtë politikë buxhetore, mbetet një vend konsumator dhe jo prodhues, duke humbur një nga potencialet e saj më të mëdha ekonomike: tokën dhe punën e fermerit shqiptar.
IV. Paketa fiskale 2026 shpërblen evazionin dhe abuzimin!
Projektligji “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore dhe doganore”, apo “paqja fiskale”, penalizon ndershmërinë në aktivitetin ekonomik; praktikisht është amnisti fiskale dhe shpërblen ata që nuk kanë qenë korrektë dhe të ndershëm me shtetin. Ky ligj nxit dhe shpërblen mosbindjen fiskale të subjekteve, si dhe krijon pabarazi të theksuara fiskale.
Amnistia fiskale, së bashku me paketën fiskale, krijon pabarazi të thellë duke shpërblyer subjekte me borxhe të pambledhura, ndërkohë që nuk publikohen listat e përfituesve — as 500 a 1000 përfituesve kryesorë. Ka një mungesë transparence të llahtarshme, duke ndaluar proceset gjyqësore dhe njëkohësisht duke vendosur stimuj negativë për paguesit korrektë.
Në këtë ligj, relacioni nuk deklaron se sa është masa dhe vjetërsia e borxhit që vetë organet tatimore dhe doganore janë të bindura se nuk e mbledhin dot. Me këtë të ashtuquajtur “pakt të paqes fiskale”, paaftësia e administratës për të mbledhur borxhet — një nga detyrat e saj parësore — amnistohet me ligj!
“Sektit Rama” nuk përcakton se sa është masa dhe vjetërsia e borxhit që ka natyrë të ekonomisë gri apo kriminale. Nuk publikohet paraprakisht lista e plotë e të gjithë debitorëve tatimorë e doganorë, identiteti dhe vlerat e detyrimit. Pse mbahet e fshehtë kjo listë? Për të shantazhuar bizneset? Për çfarë?
Në këtë ligj duhet të vendoset që, periodikisht (të paktën çdo muaj), Ministria e Financave të publikojë listën e përfituesve dhe masën e përfitimit, subjekt për subjekt, nga kjo amnisti masive. Vendosja e një afati për amnisti të plotë për detyrimet e krijuara deri në vitin 2014, dhe amnisti të pjesshme për vitin 2015 e në vazhdim, ngre hije të forta dyshimi për vendosjen e kësaj date për arsye dhe përfitime okulte politike, pasi efektet e këtij ligji ekzaltohen pak muaj para zgjedhjeve të ardhshme lokale.
Përse duhen ndërprerë menjëherë ankimimet dhe proceset gjyqësore të iniciuara nga bizneset? A nuk po përdoret kjo “paqje fiskale” për të mbyllur potencialisht qindra vendime të cilat do të binin në kurriz të administratës tatimore dhe doganore? A nuk është kërkesa detyruese për t’u tërhequr nga ankimimet dhe proceset gjyqësore një formë presioni ndaj subjekteve?
V. Projektligji “Për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme”: thellësisht politik dhe elektoral
Praktikisht risillet me hipokrizi e njëjta iniciativë — rivlerësimi i pasurive çdo 3–4 vite — pa u shqetësuar se edhe iniciativat e mëparshme nuk kanë qenë realisht në kuadër të një reforme që synon uljen e informalitetit dhe regjistrimin e vlerave sa më afër realitetit të tregut imobiliar.
“Sektit Rama” nuk jep asnjë vlerësim për të ardhurat shtesë që pritet të arkëtohen gjatë periudhës së rivlerësimit, duke treguar mungesë transparence dhe profesionalizmi. Rivlerësimi me normë 5% do të shihet si një mundësi përfitimi kryesisht nga individët (familjet) që kanë të ardhura jo të ulëta dhe nga ata që zotërojnë më shumë se një pasuri të paluajtshme. Në të vërtetë, edhe historiku ka treguar se familjet me të ardhura të ulëta, të cilat kanë në pronësi vetëm një pasuri të paluajtshme (shtëpi) dhe nuk kanë në plan shit-blerje pasurie, rrallë e përdorin këtë instrument. Për më tepër, në të kaluarën normat e rivlerësimit kanë qenë 1–2–3%, pra dukshëm më të ulëta se propozimi aktual.
Në të vërtetë, do të duhej një normë disa herë më e ulët se 5%, për të incentivuar edhe shtresat me të ardhura të ulëta të përfshihen në procesin e rivlerësimit. Duke mos përfshirë një pjesë të konsiderueshme të pasurive, në të ardhmen do të krijohen pabarazi fiskale dhe deformime të sistemit — ashtu siç ka ndodhur me rivlerësimet pararendëse.
Vlerësimi i pasurisë nga ekspertë të licencuar (të cilët shpesh e vlerësojnë pasurinë më lart se referencat) mund të hapë shtegun për pastrim parash, duke rritur fiktivisht vlerën e pasurisë, e cila është deklaruar e blerë me çmim shumë më të ulët sesa vlera e ardhshme e rivlerësuar.
Kuvendi lihet në hije, pasi nuk ka asnjë instrument kontrolli mbi zbatimin e kësaj iniciative, sidomos ndaj ASHK-së, një institucion i denoncuar shpesh për abuzim me detyrën dhe afera korruptive.
Paketa fiskale nuk sjell asnjë lehtësim për familjet me të ardhura të ulëta, nuk ul TVSH-në e produkteve bazë dhe nuk ndryshon asgjë për indeksimin e pragjeve të tatimit mbi të ardhurat. Në kohë inflacioni, kjo përkthehet në rënie reale të fuqisë blerëse.
Shumë sektorë — bujqësia, prodhimi, turizmi i vogël, artizanati dhe agropërpunimi — kanë nevojë për frymëmarrje fiskale. Por paketa vazhdon me taksa standarde që nuk reflektojnë specifikat e tregut dhe kostot e tyre të larta.
Vazhdon politika e përjashtimeve arbitrare, shpesh klienteliste, që krijon pabarazi mes bizneseve dhe konkurrencë të padrejtë. Nuk ka standarde të qarta për përjashtimet nga TVSH, akcizat apo taksat lokale.
Në praktikë, rritja e disa taksave lokale shton barrën fiskale të bizneseve dhe familjeve, ndërsa qeveria qendrore mban të njëjtin nivel të tatimeve të veta. Kjo sjell një rritje të dyfishtë të kostove.
Ndërsa kërkohet më shumë kontribut nga tatimpaguesit, administrata tatimore mbetet me probleme të theksuara: burokraci, mungesë transparence, interpretim selektiv të ligjeve dhe trajtim të pabarabartë të bizneseve.
Nuk ka masa që ulin kostot e formalitetit, si taksat e ulëta, procedurat e thjeshta, ulja e kostos së punës apo mbështetja për faturimin elektronik. Vazhdohet me të njëjtin model: gjoba, kontrolle dhe penalitete.
Paketa nuk shoqërohet me një studim të detajuar për ndikimin në biznese, në konsumatorë apo në sektorët ekonomikë. Thjesht imponohen taksa të reja pa pasur një vlerësim real të pasojave.
PERFUNDIM:
Si përfundim, projektbuxheti dhe paketa fiskale 2026 përfshijnë masa me ndikim të ndjeshëm regresiv, rrisin pabarazinë sociale, rëndojnë familjet me të ardhura të ulëta, frenojnë prodhimin, dekurajojnë investimet dhe dobësojnë potencialin zhvillimor afatgjatë të vendit.
Vlerësimi strategjik
Mangësitë kryesore:
- Model i gabuar ekonomik, i bazuar në konsum dhe jo në prodhim.
- Mungesë vizioni zhvillimor për sektorët strategjikë; nënfinancim sistematik i bujqësisë, arsimit dhe shëndetësisë.
- Paketë fiskale regresive dhe jo incentivuuese.
- Mungesë transparence në borxhin publik dhe në projektet PPP.
- Politika sociale të pamjaftueshme dhe jo të targetuara.
Projektbuxheti dhe paketa fiskale 2026 paraqesin një qasje të vazhdimësisë politike dhe jo të reformës strategjike. Ato nuk arrijnë të adresojnë sfidat thelbësore të ekonomisë shqiptare dhe kontribuojnë në rritjen e varfërisë, pabarazisë dhe pasigurisë ekonomike.
Në këtë formë, dokumentet fiskale të vitit 2026:
- Nuk përbëjnë një strategji kombëtare zhvillimi.
- Nuk ofrojnë mbrojtje sociale të qëndrueshme.
- Nuk nxisin prodhimin, inovacionin dhe investimet.
- Nuk forcojnë institucionet ekonomike të vendit.







