Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë, përfaqësuar nga znj Mimoza Hajdarmataj në cilësinë e Sekretares së Përgjithshme të Shoqatës, mori pjesë në takimin e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal të Europës Juglindore (RCC) mbajtur në dt 19. Nëntor 2025, në Athinë.
Në këtë forum morën pjesë përfaqësues të SEECP, organizata ndërkombëtare dhe ekspertë të riskut, të cilët diskutuan mbi rëndësinë e aksesit në sigurime të përballueshme, të arritshme dhe të qëndrueshme për të gjithë qytetarët. U theksua fakti se aktualisht vetëm 12–13% e familjeve janë të siguruara ndaj fatkeqësive natyrore, ndërsa në Ballkanin Perëndimor vetëm 1 në 10 familje kanë mbulim sigurimi, çka e bën forcimin e qëndrueshmërisë financiare një prioritet strategjik.
Konferenca u hap nga drejtues të lartë ndërkombëtarë, ndër ta Umut Ergezer, Zëvendës Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Rajonal, i cili nënvizoi nevojën për veprim të koordinuar të vendeve të rajonit. Ai theksoi se ky rrjet është një mundësi për të bashkuar njohuritë dhe për të ndërtuar mekanizma të përbashkët që e bëjnë mbulimin ndaj fatkeqësive më të përballueshëm dhe më të qëndrueshëm.
Në vijim, RCC prezantoi mandatin dhe Programin e Punës së Rrjetit, ndërsa diskutimet u fokusuan në trendet globale të riskut, analizimin e të dhënave, llogaritjen e kostove ndaj rrezikut dhe potencialin e partneriteteve publik-privat për rritjen e rezistencës ndaj katastrofave.
Rrjeti do të vazhdojë punën drejt një studimi rajonal të fizibilitetit për zgjidhjet e sigurimit të fatkeqësive dhe për zbatimin e programeve të reja në këtë drejtim. Takimi i radhës i Këshillit Rajonal do të zhvillohet në vitin 2026.








