Italia po ndërmerr një reformë të rëndësishme në kodin penal, me synimin për të përforcuar mbrojtjen ligjore të viktimave të dhunës seksuale dhe për të lehtësuar ndjekjen penale të autorëve.
Si rrallë herë, mazhoranca e kryeministres Giorgia Meloni dhe opozita kanë gjetur gjuhë të përbashkët në një temë sociale me rëndësi të madhe.
Dhoma Parlamentare votoi unanimisht për të zgjeruar përkufizimin e dhunës seksuale, duke e lidhur drejtpërdrejt me mungesën e pëlqimit.
Nën ligjin aktual, përdhunimi njihet vetëm nëse është kryer me dhunë fizike, kërcënim ose abuzim autoriteti, kritere që, sipas aktivistëve dhe juristëve, i dekurajojnë viktimat të denoncojnë rastet për shkak të frikës se nuk do të besohen.
Një ndryshim i vonuar, por i domosdoshëm
Laura Boldrini, deputete e Partisë Demokratike dhe mbështetëse kryesore e reformës, theksoi se mungesa e konceptit të pëlqimit në sistemin ligjor italian ka çuar në vendime tronditëse gjyqësore. Ajo kujtoi rastin e vitit 2022, ku një gjykatë vendosi të shpallte të pafajshëm një burrë të akuzuar për përdhunim, duke argumentuar se dera pak e mbyllur e tualetit ishte “ftesë”. Vendimi u përmbys një vit më vonë nga Gjykata e Lartë, e cila urdhëroi rigjykim.
Sipas Boldrinit, shumë viktima që paralizohen nga frika gjatë sulmit apo nuk kanë mundësi të rezistojnë fizikisht, shpesh nuk besohen në gjykatë. Reforma synon të zhvendosë fokusin tek sjellja e autorit, jo e viktimës.
Mbështetje e gjerë politike për një hap historik
Carolina Varchi, deputete e Brothers of Italy, e cila drejtoi punën mbi projektligjin në komisionin e drejtësisë, e quajti reformën “një hap historik”, duke nënvizuar se çdo akt seksual pa pëlqim të lirë dhe të qartë duhet të konsiderohet krim.
Teksti i miratuar në Dhomën Parlamentare duhet ende të kalojë në Senat përpara se të hyjë në fuqi. Kryeministrja Meloni nuk ka bërë komente publike mbi reformën.
Një shoqëri që përballet me mizori dhe tabu të vjetra
Rritja e rasteve të dhunës së grave, vrasjeve nga ish-partnerë xhelozë dhe skandaleve të profilit të lartë ka shtyrë opinionin publik drejt kërkesës për ndëshkime më të ashpra dhe reforma më të qarta ligjore.
Në vitet e fundit, Italia është tronditur nga raste të rënda, përfshirë dënimin e Ciro Grillo dhe miqve të tij për përdhunim në grup ndaj një modeleje të re, si dhe arrestimin e biznesmenit Alberto Genovese, i cili u shpall fajtor për abuzim seksual dhe trafik droge, histori që u dokumentuan edhe në një dokumentar të Netflix.
Statistikat zyrtare tregojnë se raportimi i rasteve të dhunës seksuale ka qenë në rritje, nga 4 mijë e 257 raste të regjistruara në vitin 2014, në mbi 6 mijë e200 në vitin 2023. Ekspertët besojnë se shifrat reale janë edhe më të larta, pasi shumë viktima ende hezitojnë të denoncojnë.
Nga kultura te ligji, një transformim i nevojshëm
Ekonomistja feministe Azzurra Rinaldi e krahasoi ndryshimin ligjor me një “revolucion”, por paralajmëroi se transformimi kulturor është po aq i rëndësishëm sa ai ligjor.
“Hapi i parë është futja e konceptit të pëlqimit në ligj. Hapi tjetër është ta sjellësh atë në jetën e përditshme”, tha ajo.
Megjithatë, jo të gjithë janë dakord. Disa kritikë argumentojnë se theksimi i fortë te pëlqimi mund të “zbehë romantizmin”, një pikëpamje që aktivistët e barazisë gjinore e konsiderojnë të vjetruar.
Italia, e cila dikur kishte ligje që u lejonin të akuzuarve të shmangnin dënimin duke u martuar me viktimën (deri në vitin 1981), ka bërë përparime graduale në dekadat e fundit.
Në vitin 1996, përdhunimi u shpall krim kundër individit, e jo më kundër “rendit shoqëror”.
Reforma e re mund të shënojë kapitullin tjetër të këtij evolucioni.







