Me përfundimin e dëshmitarëve të mbrojtjes, gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi në Dhomat e Specializuara në Hagë ka hyrë tashmë në fazën përfundimtare.
Ekspertët thonë se emra si Uesli Klark, Xhejms Rubin, Kristofer Hill, Pol Uilliams, Xhejms Kovej dhe Majkell Dërki, të cilët u paraqitën para gjykatës, ishin jashtëzakonisht të besueshëm.
“Kanë qenë jashtëzakonisht të besueshëm, kredibilë dhe protagonistë të ngjarjeve, që i bëjnë dëshmitar okular të ngjarjeve“
Ajo që ka rëndësi të nënvizohet është se dëshmitë e mbrojtjes, sipas ekspertëve, tregojnë se UÇK nuk kishte një zinxhir komandues.”
“Do të konfirmohet se UÇK nuk ka pasur qëllim të kryejë krime, nuk ka pasur një strukturë edhe hierarki të mirëfilltë komanduese, dhe se synimi dhe qëllimi i vetëm ka qenë çlirimi i vendit”
Bajraktari shprehet se dëshmitë e mbrojtjes nuk ishin thjesht deklarata të individëve, por ishin të mbështetura nga dokumente, materiale dhe raporte të ndryshme, që përforcojnë bindjen e mbrojtjes mbi mungesën e një hierarkie të qartë dhe të mundësisë për kontroll efektiv.
Në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po gjykohen në Hagë, janë mbajtur 4 protesta në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe Strasburg.







