Ndërsa Kosova përgatitet për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që mbahen më 28 dhjetor, partitë politike që duan të garojnë në këtë proces me koalicion duhet t i japin përgjigje zyrtare KQZ-së deri më 30 nëntor, ndonëse deri tani nuk ka ndonjë lëvizje në këtë drejtim. Zëdhënësi i kQZ-së, Valmir Elezi bëri të ditur për “KosovaPress” se, sipas ligjit, çdo parti politike e ka detyrim ligjor ta njoftojë KQZ-në.
“Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partitë politike të cilat janë të regjistruara në KQZ dhe të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme përmes koalicionit duhet ta njoftojnë KQZ, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollim Financiar të Subjekteve Politike se duan të marrin pjesë në këto zgjedhje në këtë mënyrë. Afati i fundit për të bërë këtë njoftim është data 30 nëntor 2025”, u shpreh ai.
Elezi theksoi se partia politike e cila vendos të bëhet pjesë e një koalicioni nuk mund të tërhiqet nga koalicioni pas certifikimit.
“Koalicioni mund të ndërtohet nga së paku dy parti politike. Partia politike nuk mund të tërhiqet nga koalicioni pasi të jetë certifikuar deri sa rezultati i zgjedhjeve të certifikohet nga ana e KQZ-së. Gjithashtu partia politike e cila është anëtare e koalicionit nuk mund të marrë pjesë si anëtare në një koalicion tjetër apo edhe si parti e veçantë në të njëjtat zgjedhje”, deklaroi Elezi.
Më 20 nëntor, Presidentja Vjosa Osmani dekretoi mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme më 28 dhjetor, pasi të dy kandidatët nga Lëvizja Vetëvendosje Alnin Kurti dhe Glauk Konjufca nuk arritën të krijojnë qeverinë 9 muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.







