HomeKryesoreMarta Kos: Mbyllja e negociatave në 2027, objekt i arritshëm sa kohë...

Marta Kos: Mbyllja e negociatave në 2027, objekt i arritshëm sa kohë sundimi i ligjit vijon me ritëm të qëndrueshëm. SPAK po tregon pavarësi

Advertismentspot_img

Në një intervistë ekskluzive për A2CNN, Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, vlerëson progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe konfirmon se objektivi për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027 mbetet i arritshëm, për sa kohë reformat në drejtësi dhe sundimi i ligjit vijojnë me ritëm të qëndrueshëm.

Marta Kos: Mbyllja e negociatave objekt i arritshëm, SPAK po tregon

Gazetari: Zonja Kos, së pari, faleminderit për këtë mundësi. Shqipëria tashmë ka hyrë në fazën përfundimtare të negociatave me grup-kapitujt. Në cilën fushë mendon Komisioni Evropian se ka progres më të madh dhe më domethënës dhe a është objektivi i parashikuar për mbylljen e negociatave në vitin 2027 realist dhe i arritshëm nga qeveria shqiptare?

Komisionerja Kos: Shqipëria ka arritur me të vërtetë sukses të jashtëzakonshëm në dy vitet e fundit dhe nëse do të doja të veçoja atë çka ishte shumë e suksesshme, është reforma e sistemit gjyqësor, ndërtimi i institucioneve të pavarura antikorrupsion si SPAK-u, dhe ajo që më pëlqen të shoh në Shqipëri është se kjo frymë pro-evropiane është vërtet shumë e lartë dhe kjo është gjë e mirë. Nuk është puna vetëm se çfarë po bën qeveria, nuk është puna vetëm çfarë po bën parlament, dhe kjo është ajo që ndiej dhe shoh sa herë që vij në Shqipëri. Pra, po, i kemi hapur gjithë grup-kapitujt, por kjo do të thotë që tani duhet t’i mbyllim gjithë kapitujt. Për t’u kthyer te pyetja juaj në lidhje me afatin, qeveria juaj ka vendosur një objektiv shumë ambicioz për ta përfunduar pjesën teknike të negociatave deri në fund të vitit 2027. Është e realizueshme, Komisioni Evropian po e mbështet këtë, por ka ende shumë punë për të bërë sepse, siç e dini, tani do të kalojmë te kapitujt teknikë si bujqësia, siguria ushqimore, ekologjia, dhe ka ende shumë e shumë reforma që vendi juaj duhet t’i bëjë në këto fusha, por sigurisht që ne do t’ju ndihmojmë.

Gazetari: Ta zëmë se kapitujt kryesorë do të mbyllen deri në vitin 2027, a do të thotë kjo se automatikisht, brenda dy vitesh, Shqipëria do të përmbushë gjithë standardet e BE-së në të gjithë sektorët e jetës, apo është vetëm një hap formal në atë proces sistemik?

Komisionerja Kos: Kjo është një pyetje shumë e mirë. Siç e dini, kur çdo vend kandidat duhet të bëjë reforma, kjo nuk do të thotë thjesht të plotësojë gjithë kutizat, por ka të bëjë me zbatimin e tyre. Pra, po, të gjitha reformat, që do të thotë se i gjithë sistemi legjislativ i Shqipërisë duhet të jetë në përputhje me acquis evropiane. Ndonjëherë, siç e dini, përputhshmëria duhet të jetë 100%, por sigurisht që çdo vend kandidat mund të kërkojë periudha kalimtare për disa fusha, por ajo që është shumë e rëndësishme për ekonominë tuaj, është që duhet të keni një ekonomi e cila do të jetë e aftë të mbijetojë në tregun evropian. Kjo ka të bëjë me gjyqësorin, me gjithë kapitujt, por gjithashtu duhet ta ndihmojmë ekonominë tuaj që të jetë shumë e fortë, që pasi të jeni pjesë e tregut të përbashkët prej 450 milionësh, ekonomia juaj të mbijetojë.

Gazetari: Lidhur me reformën ekonomike që duhet të bëjë qeveria shqiptare, anëtarësimi në tregun e përbashkët kërkon reforma në konkurrueshmëri, bujqësi, sigurinë ushqimore, siç e përmendët më parë, por a është ky një lloj kërcënimi për biznesin shqiptar, se mund të jetë në një pozitë të keqe kur Shqipëria të hyjë në Bashkimin Evropian?

Komisionerja Kos: Unë nuk do të quaja kërcënim, do ta quaja një sfidë. Pse? Siç e dini, ne kemi instrumente financiare me të cilat mund t’i ndihmojmë kandidatët tanë, si Shqipëria. Ne e quajmë Plani i Rritjes, për të ndihmuar ekonominë tuaj dhe, siç e dini, investimet po shkojnë edhe për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Ju jeni shumë mirë në fushën e inteligjencës artificiale dhe TI-së, kështu që nuk është thjesht ajo që duhet të bëni, por edhe çfarë do të sillni në Bashkimin Evropian, dhe kjo është ajo për çka vërtet duhet të flasim më shumë. Një nga mesazhet e mia të rëndësishme për popullin tuaj është gjithashtu se duhet të flasim vërtet. Sa herë që vij në Shqipëri shoh zhvillim dhe është vërtet koha e duhur që t’u themi qytetarëve të shteteve anëtare se çfarë po sillni pozitivisht në Bashkimin Evropian. Dhe ka shumë e shumë gjëra, për shembull, turizmi është një nga gjërat e rëndësishme, përmenda TI-në, inteligjencën artificiale dhe shumë fusha të tjera.

Gazetari: Përmendët më parë reformën në drejtësi. Kanë kaluar rreth dhjetë vjet qëkur u bë reforma në drejtësi nga parlamenti shqiptar dhe reforma gjyqësore është përshkruar si shtylla kurrizore për pranimin e Shqipërisë në BE. Si e vlerësoni funksionimin aktual të institucioneve të reja të drejtësisë, SPAK-ut dhe Gjykatës Speciale, dhe a shihni ndonjë rezultat të prekshëm, duke përfshirë nivelin e lartë të anëtarëve të qeverisë së Shqipërisë që janë nën ndjekje penale nga SPAK-u? Besoj se jeni informuar mbi zhvillimet e fundit këtu në Tiranë.

Komisionerja Kos: Sigurisht, ajo që është e rëndësishme për ne është që Shqipëria të ketë institucione të pavarura kundër korrupsionit që mund ta luftojnë korrupsionin dhe kur them të pavarura, do të thotë nga ndikimi i politikanëve dhe mendoj se ky është një rast i qartë se si po funksionon kjo dhe kjo është gjë e mirë. Rastet e korrupsionit ndodhin në gjithë Evropën. Ajo që është e rëndësishme për ne, teksa shoqërojmë Shqipërinë drejt BE-së, është se si do të reagojnë gjykatat apo sistemi gjyqësor dhe politikanët tuaj dhe unë jam e kënaqur të dëgjoja sot se qeveria do të ndjekë vendimet që vijnë nga gjyqësori.

Gazetari: Ka gjithashtu fusha të ndryshme ku Shqipëria duhet të bëjë disa reforma. Raporti i fundit i progresit përmendte sfidat me lirinë e medias, dezinformimin dhe trysninë politike në media. A përfaqëson kjo një pengesë të konsiderueshme në rrugën për t’u bërë anëtare e BE-së?

Komisionerja Kos: Media e lirë është një temë shumë e rëndësishme dhe ne po merremi me këtë në çdo vend kandidat, dhe themi se pa këtë nuk mund të bëheni anëtarë të BE-së. Pse është kaq e rëndësishme kjo? Roli që luan media juaj është shumë i rëndësishëm, sepse ju u jepni informacion njerëzve për atë që ndodh në vend, në mënyrë që ata të mund të marrin vendimet e tyre, veçanërisht kur keni zgjedhje parlamentare ose zgjedhje të tjera. Pra, në këtë drejtim, kohët e fundit shohim se ka gjithnjë e më shumë presion politik, por ndonjëherë edhe ekonomik mbi median në gjithë Evropën, jo vetëm në vendet kandidate. Për shembull, zgjedhjet parlamentare në Moldavi kanë treguar se media e lirë është e domosdoshme për sigurinë kombëtare të vendit. Ne po punojmë tashmë në Komisionin Evropian për planin special, të cilin e quajmë Plani për Qëndrueshmërinë e Medias, ku do të përfshihet edhe Shqipëria, që do të thotë se si mund ta ndihmojmë median e pavarur apo si të ndërtojmë një media të pavarur që të luajë rolin e saj dhe ky rol është shumë i rëndësishëm, bërja e politikanëve përgjegjës, siç e kam thënë, raportimi i asaj që po ndodh në vend. Dhe një rol tjetër i rëndësishëm që shoh në media në Shqipëria, është tashmë që jemi, le të themi, dy vite larg përfundimit të pjesës teknike të negociatave. Ju do t’i informoni njerëzit se për çfarë bëhet fjalë, njerëzit nuk e kuptojnë anën teknike, ne themi, kapitujt e grup-kapituj e kështu me radhë. Kjo është ajo që njerëzit nuk kuptojnë, por nëse them sundimi i ligjit, kjo do të thotë të kesh një sistem të drejtë në shoqëri, ku kushdo, nëse mendon se, për shembull, të drejtat e tij ose të saj janë shkelur, mund të shkojnë në gjykatë, këto janë implikimet tona praktike. Ose siguria ushqimore, do të thotë që nuk do të keni kimikate në ushqim që mund t’ju dëmtojnë, ose sistemi i kujdesit shëndetësor e kështu me radhë, prandaj na duheni ju, një media e lirë dhe e pavarur.

Gazetari: Lidhur me raportin e fundit të progresit, Komisioni Evropian ka përmendur disa herë se partitë politike duhet të bashkëpunojnë në parlament për të votuar të gjitha reformat e nevojshme, por unë kam një pyetje. A është Bashkimi Evropian gjithëpërfshirës për të dyja partitë politike këtu në Shqipëri, sepse kemi parë vizita të nivelit të lartë këtu në Tiranë që nuk e kanë pasur opozitën në rendin e ditës?

Komisionerja Kos: Për mua, kjo është shumë e rëndësishme dhe dje u takova edhe me përfaqësues të opozitës dhe, e dini, pse është e rëndësishme kjo? I gjithë procesi i anëtarësimit ose rruga e Shqipërisë drejt BE-së është shumë e rëndësishme për t’ia lënë vetëm qeverisë apo parlamentit, prandaj më pëlqen të them se ky është projekt i gjithë shoqërisë dhe opozita është një pjesë shumë e rëndësishme e çdo demokracie. Ajo që më habit këtu është se mbështetja për anëtarësimin në BE është shumë e lartë, rreth 90% e qytetarëve, por edhe të gjitha partitë politike. Por kjo prapëseprapë do të thotë se roli i opozitës është që të diskutojë me qeverinë se çfarë po bën dhe ta ndihmojë në rrugën evropiane, ose të diskutojë nëse diçka shkon keq. Pra, nuk mund ta imagjinoj, edhe unë jam rritur në sistemin komunist, nuk mund ta imagjinoj të kemi vetëm një parti që vendos për gjithçka, kështu që një opozitë vërtet e mirë, që bën më të mirën në interes të vendit, që është gjithashtu edhe roli i qeverisë, është pjesë e domosdoshme e çdo demokracie, edhe këtu në Shqipëri.

Gazetari: Komisionere, më lejoni t’ju bëj një pyetje, që besoj se është thelbësore, është teknike dhe morale në të njëjtën kohë. E përmendët saktë, 90% e Shqipërisë janë pro integrimit në Bashkimin Evropian, por, në të njëjtën kohë, pavarësisht një mbështetjeje kaq të madhe, shumica e qytetarëve shqiptarë nuk janë të vetëdijshëm për përmbajtjen teknike të procesit. Kjo nuk është bërë publike nga qeveria shqiptare. Unë, si gazetar, mund të marr informacion vetëm nga faqja e internetit e Bashkimit Evropian, jo nga faqja e internetit e qeverisë shqiptare. Sa shqetësues është ky hendek komunikimi mes procesit të integrimit të qeverisë shqiptare dhe ëndrrës së Shqipërisë për t’u bërë anëtare e BE-së?

Komisionerja Kos: Do të kthehem pak prapa kur Sllovenia po negocionte, kishte nisur negociatat me Bashkimin Evropian. Në atë kohë isha drejtore e zyrës së komunikimit të qeverisë dhe drejtoja fushatën me publikun në Slloveni për ta përgatitur për hyrjen në BE. Është ende një nga fushatat më të mira ku kam marrë pjesë apo që kam udhëhequr dhe detyra kryesore ishte të informonim njerëzit se për çfarë bëhej fjalë. Kishte palë të ndryshme interesi, mund të ishte biznesi, mund të kishte lidhje me atë se çfarë do të thoshte për fëmijët, çfarë do të thoshte për të papunët, e kështu me radhë. Pra, sipas mendimit tim, çdo proces i anëtarësimit në BE duhet të shoqërohet me një komunikim të mirë me gjithë njerëzit. Dhe, për fat të mirë, jeni afërsisht 3 milionë banorë, Sllovenia është gjithashtu një vend i vogël, dhe është më e lehtë për t’u bërë sesa në vende të mëdha, p.sh., me 80 milionë banorë ose edhe më shumë. Pra, unë pres që në këto dy vite… dhe unë do të ndihmoj dhe do të vij më shpesh këtu … ne do të mund të komunikojmë. Ndonjëherë është pjesa teknike, dhe pjesa teknike mund të jetë e mërzitshme, por, çfarë do të thotë kjo? Çfarë do të thotë, për shembull, nëse Shqipërisë do t’i duhet të ndryshojë, le të themi, ligjin për konkurrencën? Pse është gjë e mirë? Ose pse është gjë e mirë, siç po thosha, që kemi sundimin e ligjit apo gjyqësorin? Sepse, atëherë gjithë njerëzit mund të kërkojnë mbrojtje në sistemin gjyqësor. Ose mbështetje sociale. Pse është e rëndësishme që vendi të zhvillojë të drejta për punëtorët? Si mbrohen punëtorët? Pra, unë mendoj se ky do të jetë një rol shumë, shumë i rëndësishëm edhe për qeverinë e Shqipërisë.

Gazetari: Vizita juaj është në Tiranë, por nuk mund ta përfundoj këtë intervistë pa pyetje në lidhje me Kosovën. Si e sheh Komisioni Evropian krizën aktuale politike në Kosovë? Dhe a po ndikon ajo në rrugën drejt BE-së, përfshirë çështjen e kufirit dhe normalizimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit?

Komisionerja Kos: Për çështjen e Kosovës, nuk jam e kënaqur që tani do të kenë përsëri zgjedhje, por demokracia e tyre po funksionon dhe jam e kënaqur për këtë. Pse nuk jam e kënaqur? Sepse po presim ratifikimin e dy marrëveshjeve për Planin e Rritjes. Pra, për momentin, Kosova po i bën reformat, por ne nuk mund t’i paguajmë paratë sepse nuk i kemi këto dy marrëveshje. Nga ana tjetër, siç e dini, Kosova, edhe duke mos qenë ende kandidate zyrtarisht, është plotësisht e përafruar me politikën e jashtme dhe të sigurisë evropiane, ashtu si dhe vendi tuaj, Shqipëria. Ju keni marrëdhënie shumë të mira me këtë vend, që do të thotë se nuk mund ta përfytyroj përfundimin e bashkimit të Evropës pa integruar edhe Kosovën në Bashkimin Evropian. Pra, do të punojmë për këtë. Unë shpresoj se së shpejti, pas zgjedhjeve, do të kemi një qeveri të re dhe pastaj, qeveria është ajo që mund të shtyjë përpara reformat. Dhe jam e sigurt se janë të gatshëm ta bëjnë këtë në aspektin ekonomik. Po ecin shumë mirë. Ata kanë kryer tashmë disa nga reformat, kështu që mezi pres që të kenë një qeveri funksionale dhe efikase dhe, pastaj, do të mund të përshpejtojmë, ndoshta në një moment tjetër, edhe procesin e anëtarësimit.

Gazetari: A është viti 2030 një datë për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor?

Komisionerja Kos: Këtë nuk mund ta them, varet se sa shpejt do t’i bëjnë vendet reformat dhe sa do të përafrohen me legjislacionin evropian. Për momentin, ne e dimë, edhe ju e di, se kem dy vende më të avancuara. Njëri prej tyre është vendi juaj. Pra, për Malin e Zi, për Shqipërinë, mund të them këtë. Por, për shembull, për Beogradin, për Serbinë, ka pasur disa hapa prapa. Pra, shpresoj se do të jemi në gjendje të ecim në rrugën evropiane. Për Bosnjën, nuk kemi filluar ende. Për Maqedoninë e Veriut, nuk kemi filluar ende. Pra, me siguri që po, dhe kemi edhe mbështetjen e shteteve anëtare, dhe nëse gjithçka shkon mirë, realisht disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor do të mund të na bashkohen. Dhe nuk mund t’ju them sa e lumtur do të jem kur kjo të ndodhë. Duke qenë se vij nga kjo zonë, nga Ballkani, vetëm vendi im dhe Kroacia mundën të bashkohen me BE-në. Prandaj duhet t’i fusim të gjitha vendet në BE. Ky është edhe vizioni im.

Gazetari: Faleminderit, Komisionere, për këtë intervistë!

Komisionerja Kos: Jeni i mirëpritur. (A2 Televizion)

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular