Elton Zefi, një 32-vjeçar që jeton e punon në sektorin e energjisë fotovoltaike në Padova, është bërë protagonisti i një akti të jashtëzakonshëm guximi dhe humanizmi.
Pikërisht në ditën e ditëlindjes së tij, më 20 nëntor, Eltoni ishte duke shkuar në një takim pune me një koleg, kur panë një grup njerëzish të mbledhur në brigjet e kanalit Battaglia, në Padova.
Një burrë kishte përfunduar me makinën e tij në kanal dhe kishte mbetur i bllokuar brenda, duke rrezikuar të mbytej.
Eltoni bëri atë që askush nga të pranishmit nuk pati guximin ta bënte. Ai hoqi pantallonat dhe xhaketën dhe hyri në ujërat e akullta të kanalit.
Me ndihmën e një personi tjetër, fillimisht u përpoqën të thyenin xhamin e përparmë të makinës, pastaj tentuan të hapnin çatinë, por pa rezultat.
Pjesën tjetër e ka treguar vetë ai: “Kisha krampa në këmbë dhe të ftohtit po më mpinte. Po mendoja të dorëzohesha. Provova edhe një herë, me të gjitha forcat që më kishin mbetur, dhe arrita ta nxjerr nga makina. Pastaj e çova në breg, të sigurt e të gjallë.
Vetëm atëherë Eltoni e kuptoi se njeriu që sapo kishte shpëtuar ishte sipërmarrësi Giuseppe Salvalajo, ish-punëdhënësi i tij. Ai, i prekur nga ajo që ndodhi, e njohu menjëherë dhe e falënderoi — shpresojmë jo vetëm me fjalë.
Burri, i moshuar dhe i tronditur, është gjallë vetëm falë këtij gjesti të jashtëzakonshëm guximi dhe altruizmi nga ana e këtij të riu dhe personit që e ndihmoi.







