Kolegji i Evropës në Tiranë ka hapur vitin e dytë akademik 2025-2026, rektorja e këtij institucioni, Federica Mogherini, theksoi rëndësinë strategjike të pranisë së këtij institucioni në Shqipëri, si një investim i drejtpërdrejtë në zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe përgatitjen e diplomatëve të rinj evropianë.
Mogherini nënvizoi se procesi i zgjerimit të BE-së kërkon përmbushjen e tre kushteve kryesore, vullnetin politik të vendeve kandidate, vullnetin politik të vendeve anëtare, si edhe kapacitetet institucionale dhe teknike për reformat madhore.
Ajo theksoi se kjo valë e re e zgjerimit të BE-së është thelbësore për sigurinë dhe stabilitetin gjeopolitik të Evropës.
“Ne jemi së bashku për ta bërë integrimin sukses dhe zgjerimin e Evropës realitet. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse plotësohen tre kushte: së pari, vullneti politik në vendet kandidate; së dyti, vullneti politik brenda vendeve anëtare të BE-së; dhe së treti, kapacitetet institucionale dhe teknike për të çuar përpara këto reforma madhore. Kolegji i Evropës kontribuon në forcimin e vullnetit politik të gjithë rajonit. Po ashtu, vullneti politik i shteteve anëtare është një nga arsyet pse ne jemi këtu, sepse kemi studentë nga këto vende. Ju do të jeni diplomatët e së ardhmes, do të njihni rajonin dhe do të kuptoni procesin e zgjerimit të BE-së. Ndërkohë, ne përqendrohemi tek fuqizimi i kapaciteteve. Këtu mbledhim profesionistë për të studiuar, për të bashkëpunuar dhe për të kuptuar nga afër se si ndodh procesi i integrimit dhe transformimit të vendeve. Kjo valë e zgjerimit do të sjellë më shumë siguri dhe stabilitet gjeopolitik. Kur yjet vijëzohen siç duhet një gjë është e veçantë, kjo është fuqia që ka dija”, tha Mogherini.
Këtë vit, tha Mogherini, programi ka pritur 41 studentë, të përzgjedhur nga 196 aplikantë, si edhe studentë nga 24 kombësi, shumica nga vendet anëtare të BE-së.
“Ky është viti i dytë që kemi në Tiranë Kolegjin e Evropës, i cili është ende në fazën e parë dhe transformuese për këtë institucion. Sivjet kemi 41 studentë të përzgjedhur pas një procesi të gjatë nga 196 aplikues. 52% janë femra dhe 48% meshkuj, çka përputhet edhe me balancën gjinore që karakterizon Shqipërinë. Studentët vijnë nga 24 kombësi. Sa herë e theksojmë se Kolegji i Evropës në Tiranë është evropian, jo vetëm shqiptar apo rajonal, kjo reflektohet në përbërjen e tij. Ideja pse erdhëm në Tiranë ishte pikërisht që të sillnim studentë jo vetëm nga rajoni, por edhe nga më larg. Dy të tretat e studentëve vijnë nga shtete anëtare të BE-së, dhe kombësia franceze këtë vit është veçanërisht i pranishëm. Ky diversitet na shërben për shumë arsye”, tha ajo.







