Gjatë takimit, ministrja Spiropali falenderoi presidentin kroat për mbështetjen politike dhe teknike që Kroacia vijon t’i japë Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit.
Eksperienca e Kroacisë përgjatë anëtarësimit në BE, sipas Spiropalit, “tregon se reformat serioze dhe diplomacia proaktive japin rezultate konkrete dhe Shqipëria është e vendosur të ndjekë të njejtën rrugë”.
Ndërsa presidenti kroat nga ana tjetër “vlerësoi angazhimin e Shqipërisë dhe kontributin e saj për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal, duke veçuar partneritetin mes dy vendeve për sigurinë e përbashkët“.
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi të hënën, më 24 nëntor, një vizitë zyrtare në Zagreb, ku do të pritet nga presidenti i Republikës së Kroacisë, Zoran Milanović.
Spiropali ka ndarë një moment në rrjetet sociale, ku shihet duke vënë një kurorë dhe duke bërë nderimet e saj në Monumentin e Atdheut, në nisje të vizitës së saj zyrtare
Sipas një njoftimi nga Ministria e Jashtme, Spiropali do të zhvillojë një takim bilateral dhe një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e saj kroat, Gordan Grlić-Radman. Më pas, do të zhvillojë një takim me Komitetin për Çështjet e Jashtme të Parlamentit Kroat.
Gjatë takimeve pritet të diskutohen marrëdhëniet tradicionale miqësore mes dy vendeve, si dhe hapat e mëtejshëm të partneritetit strategjik, përfshirë organizimin e takimit të parë ndërqeveritar (G2G).
Në fokus do të jenë gjithashtu bashkëpunimi ekonomik, me theks te energjia, turizmi dhe infrastruktura, projektet rajonale si Korridori Blu, Korridori VIII, Nisma e Tri Deteve, si dhe rëndësia e zhvillimit të degës së gazsjellësit Adriatiko–Jonian për forcimin e lidhjes energjetike Kroaci–TAP.
Gjatë vizitës, Spiropali do të mbajë edhe një ligjëratë me temë “Shqipëria, një vlerë e shtuar në BE” për studentët e Fakultetit të Shkencave Politike në Universitetin e Zagrebit.







