HomeOP EDKur dija bëhet busull e së ardhmes! nga Pal Nikolli

Kur dija bëhet busull e së ardhmes! nga Pal Nikolli

Advertismentspot_img


nga Prof.Dr. Pal Nikolli

Në kohët kur çdo gjë duket e matshme, nga ritmet e prodhimit deri te emocionet njerëzore të kthyer në statistikë klikimesh, mbetet një element që i shpëton çdo formule të thjeshtëzimit: dija. Ajo është e vetmja pasuri që nuk i nënshtrohet inflacionit, i vetmi kapital që nuk tkurret, i vetmi investim që nuk rrezikohet nga krizat e botës së jashtme. Dija nuk është vetëm një proces mësimi, por një formë e thellë emancipimi, një mënyrë për të zgjeruar hapësirën e lirisë njerëzore.

Një shoqëri pa dritë mendimi mund të ketë rrugë të asfaltuara, por mbetet pa rrugëdalje. Mund të ketë ndërtesa të larta, por pa horizont të brendshëm. Mund të ketë teknologji të sofistikuar, por jo domosdoshmërisht njerëz të mençur. Forca e dijes qëndron pikërisht në aftësinë e saj për t’i dhënë kuptim zhvillimit, për të orientuar ambiciet dhe për të matur drejtësinë e pretendimeve kolektive.

Dija nuk është thesari që ruhet në sirtar, por pasuria që shpërndahet duke u shumëzuar. Sa më shumë ndahet, aq më shumë rritet vlera e saj. Nëse një shoqëri e sheh dijen si barrë, ajo do të ecë gjithmonë e pafrymë pas ngjarjeve, pa mundur t’i kapërcejë ato. Nëse e sheh si privilegj të disa pakicave, ajo do të krijojë një rend të padrejtë, ku të ardhmen e vendosin jo idetë, por inercia.

Në thelb, dija nuk është vetëm ç’ka mësojmë, por mënyra si e shohim botën. Është aftësia për të dalluar thelbin nga zhurma, të vërtetat që ndërtojnë nga narrativat që devijojnë. Ajo sjell maturi në kohët e pasigurta dhe qartësi në epokat e trazuara. Një popull i pajisur me dije nuk udhëhiqet me premtime, por me argumente; nuk frikësohet nga e panjohura, por e kërkon atë; nuk kënaqet me imitimin, por krijon origjinalitetin e vet.

Nëse e ardhmja është terren i hapur, dija është busulla që e orienton. Dhe aty ku ka busull, ka edhe drejtim. Rritja e një shoqërie nuk matet vetëm me fitimet ekonomike, por me aftësinë e saj për të prodhuar mendje të lira, ide të guximshme dhe qytetarë që e kuptojnë vlerën e së vërtetës.

Në këtë sens, e ardhmja nuk ndërtohet nga rastësia, por nga ndërgjegjja. Dhe ndërgjegjja është bir i dijes. Në fund të fundit, një vend ku dija shndërrohet në themel të çdo veprimi është një vend që ka zgjedhur të shohë larg, të mendojë thellë dhe të jetojë me dinjitet. Dija është, e ka qenë dhe do të mbetet kapitali më i qëndrueshëm i një kombi që synon të hapë rrugë të reja drejt së ardhmes.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular