NGA PROF. DR. PETRAQ MILO
Mbivlerësimi i Lekut në raport me USD dhe Euro (apo zhvlerësimi i USD dhe Euro në raport me Lekun), përveç efekteve negative që ka shkaktuar në ekonomi dhe në aktivitetin e biznesit, ka shërbyer dhe për “mrekullinë” e ndodhur me dy nga treguesit kryesorë atë të “rritjes” të të ardhurave për frymë dhe “uljes” së nivelit të borxhit publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB). PBB për frymë përdoret si një tregues i mirëqenies së përgjithshme dhe standardit të jetesës së një popullsie, për të matur prosperitetin ekonomik të një vendi dhe standardin mesatar të jetesës së qytetarëve të tij. Për të llogaritur PBB-në për frymë, pjesëtohet Produkti i Brendshëm Bruto (PBB), i shprehur në lekë, me numrin total të popullsisë. Për ta bërë të krahasueshëm ndërmjet vendeve PBB për frymë shprehet kryesisht në USD, e llogaritur duke e pjesëtuar jo vetëm me popullsinë, por edhe me kursin e këmbimit të monedhës vendase në USD.
PBB për frymë në Shqipëri, e shprehur në USD, është llogaritur për periudhën 2015-2024, si dhe është krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor. Zgjedhja e vitit 2015 si fillim i analizës është bërë për arsyen e vetme që deri në këtë vit nuk ka pasur relativisht një luhatje të kursit të këmbimit. Vetëm pas këtij viti dhe në vazhdim vërejmë një mbivlerësim të lekut apo një nënvlerësim të USD apo Euro në raport me lekun.
Sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, në vitin 2015, PBB për frymë në Shqipëri është në nivelin e 3 953 USD, në Kosovë 3627 USD, në Bosnjë Hercegovinë 4 665 USD, Maqedoninë e Veriut 5 605 USD, Serbi 5 820 USD dhe në Malin e Zi 6 421 USD. Shqipëria në vitin 2015 renditet e parafundit në PBB për frymë, duke lënë pas vetëm Kosovën. Ajo që po propagandohet si “mrekullia” shqiptare është që PBB për frymë në fund të vitit 2024 ka arritur nivelin e 11 328 USD, duke e renditur Shqipërinë në vendin e dytë në rajon në nivelin e PBB për frymë. Ndërkohë që Kosova vlerësohet të ketë PBB për frymë në vitin 2024, në 7057 USD; Bosnja Hercegovina në 8 571 USD; Maqedonia e Veriut 9 169 USD; Mali i Zi 13 259 USD; dhe Serbia 13 545 USD. Shqipëria sipas këtyre statistikave ka arritur të rrisë në rreth 2.9 herë PBB për frymë për periudhën 2015-2024 dhe të renditet në vendin e dytë në rajon me një diferencë shumë të vogël krahasuar me Serbinë, e cila është në krye të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Pyetja mbetet se si është e mundur që Shqipëria ka bërë një progres kaq të lartë? Në këtë “hop kaq të lartë” Shqipërisë i kanë ardhur në “ndihmë” dy faktorë, e para rënia e popullsisë dhe e dyta mbivlerësimi i kursit të këmbimit. Në kushte të njëjta, dmth të të njëjtit numër të popullsisë dhe të një kursi këmbimi të pandryshuar, rritja e PBB për frymë do të duhej të ishte e barabartë me rritjen nominale të PBB. Për këtë kemi krahasuar rritjen e PBB për frymë dhe rritjen nominale të PBB me vendet e rajonit për periudhën 2015-2025.
Referuar tabelës së të dhënave, duket se në rastin e tre vendeve si: Mali i Zi, Bosnja, Hercegovina, Maqedonia e Veriut, kanë një përputhje të plotë ndërmjet rritjes nominale të PBB dhe rritjes të PBB për frymë. Në rastin e Serbisë dhe Kosovës ka një diferencë të vogël, në 0.18 herë. Në rastin e Kosovës kjo mund të shpjegohet nga një rënie relative e numrit të popullsisë. Ndërsa në rastin e Shqipërisë diferenca është e lartë në 1.13 herë, për sa kohë që rritja nominale e PBB është 1.74 herë, ndërsa rritja e PBB për frymë është 2.87 herë. Në kushte të pandryshueshme të kursit të këmbimit dhe të numrit të popullsisë, si dhe vendet e rajonit, PBB për frymë do të duhet të ishte e barabartë me një rritje 1.74 herë në vitin 2024 krahasuar me vitin 2015. E llogaritur me këtë indeks rritje PBB për frymë në fund të vitit 2024 do të duhej të ishte vetëm 6878 USD për frymë, duke e renditur Shqipërinë në vendin e fundit të rajonit. PBB në vlerën 11328 USD për frymë në vitin 2024, nuk është se e bëri qytetarin e Shqipërisë më të pasur, apo vendin më të zhvilluar dhe më të begatë. Përkundrazi, rritja kaq e lartë e PBB për frymë nuk është rezultat i rritjes së shëndetshme ekonomike për sa kohë që statistikat tregojnë se rritja ekonomike është e varur kryesisht nga “bumi” i ndërtimit dhe sektorët vital të ekonomisë si industria e bujqësia janë në recesion, por është rezultat i rënies së popullsisë dhe mbivlerësimit të lekut. Ky model zhvillimi ekonomik e ka polarizuar shumë e më shumë shoqërinë, dhe të varfrit janë bërë më të varfër. Ndërsa, “mrekullia” e dytë është “ulja” e nivelit të borxhit në përqindje ndaj PBB. Në ekonomi, raporti borxh-PBB është raporti i akumulimit të borxhit qeveritar të një vendi, i matur në njësi monedhe vendore me produktin e tij të brendshëm bruto po në monedhën vendore. Dmth., borxhi publik i shprehur në lekë në raport me PBB e shprehur po në lekë. Në të njëjtën periudhë 2015-2024, borxhi publik në raport me PBB është ulur nga 72.1% të PBB në vitin 2015, në 54.2% të PBB në vitin 2024. Borxhi publik përbëhet nga borxhi i brendshëm dhe borxhi i jashtëm. Në vitin 2015, borxhi është 7 599 miliard Euro, në 3 576 miliardë Euro në borxh i brendshëm dhe 4 023 miliardë Euro borxhi i jashtëm. Konvertimi i borxhit të jashtëm në vitin 2015 është bërë me një kurs këmbimi 137.29 Lekë/Euro. Në vitin 2024 borxhi publik përbëhet nga 5 875 miliardë Euro borxh i brendshëm dhe 8 032 miliardë Euro borxh i jashtëm. Por konvertimi i borxhit të jashtëm në lekë është llogaritur me kursin e këmbimit mesatar për vitin 2024 në 98.16 Lekë/Euro. Kjo bën që vlerësimi i borxhit të jashtëm në lekë të jetë më i “ulët”. Në kushte të barabarta nqs., do të konvertonim borxhin publik të jashtëm në vitin 2024 me të njëjtin kurs këmbimi të barabartë me 137.29 Lekë/Euro, niveli i borxhit publik në vitin 2024 do të ishte 66.6% të PBB. Pra “ulja” në 12.4% e PPB e borxhit publik, apo 70% e uljes së borxhit në periudhën 2015-2024, i kushtohet dhe është rezultat i mbivlerësimit të kursit të këmbimit, pra nuk është rezultat i prodhimit të më shumë mallrave apo shërbimeve.
Të dyja “mrekullitë” e treguesve kryesorë ekonomikë dhe financiarë të vendit, nuk janë rezultat i rritjes së shëndetshme të ekonomisë, apo reformave strukturore të ndërmarra. Përkundrazi, mbivlerësimi i kursit të këmbimit dhe ulja e popullsisë i kanë ardhur në “ndihmë” qeverisë për të bërë propagandën e saj dhe për të dhënë iluzionin e rritjes së mirëqenies së përgjithshme dhe standardit të jetesës së një popullsie.







