Të tjera detaje janë zbuluar në lidhje me tritolin tek lokali në zonën e Kamzës, ku për këtë ngjarje u kapën tre persona, Jeton Lami, Florin Domi dhe Flogert Mzhika.
Sipas burimeve, disa ditë përpara ngjarjes, Florin Domi, i cili ka një biznes në afërsi të lokalit, ka thirrur pronarin e lokalit Saimir Sina duke i thënë se po e kërkon Jeton Lami.
Sina ka shkuar dhe e ka takuar Lamin ku ky i fundit i ka thënë që ‘pse na kundërshton’. Sina i ka thënë që nuk i njihte fare. Pas kësaj Lami i ka thënë meqë nuk na njeh do na japësh 500 mijë euro, ose do shikonte se çfarë do pësonte.
Sina ka kundërshtuar duke thënë se nuk do u jepte asnjë lekë. Disa ditë pas kësaj Sina është larguar drejt Italisë ku dhe jeton. Ndërkohë, Flogert Mzhika ka shkuar dhe ka takuar dy kunetërit që e kishin marrë me qira biznesin ku u ka thënë se nuk do t’a gëzojnë dot.
Autori i tritolit dyshohet të jetë anëtar i këtij grupi, ende i paidentifikuar nga policia, por që sipas burimeve dyshohet se është i njëjti person i vendosjes së lëndës shpërthyese në banesën e Xhelal Mziut dhe në disa raste të tjera. PANORAMA







