Më 11 dhjetor 2025, ora 09:00, Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) do të zhvillojë intervistat me kandidatët, sipas rendit alfabetik, si dhe do të vijojë me zgjedhjen e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Katër kandidatët, Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho do të paraqesin platformat e tyre për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme.
Sipas rregullores, pas intervistimit, anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) duhet të zhvillojnë edhe procesin e votimit për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK.
Pasuesi i Altin Dumanit do të zgjidhet në 11 dhjetor 2025, ndërsa detyrën pritet ta marrë zyrtarisht më 19 dhjetor, datë kur do të bëhet edhe ceremonia e kalimit të kompetencave nga drejtuesi aktual te ai i riu, zakonisht përmes një konference për shtyp.
Kreu i ri i SPAK do të ketë kompetencën të zgjedhë dy shefat e seksioneve: atë të Korrupsionit, si dhe atë të Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit. Aktualisht, shef i seksionit të Korrupsionit është Klodian Braho, ndërsa shef i seksionit të Krimit të Organizuar dhe zv/drejtues i SPAK është Adnan Xholi. Po ashtu, drejtuesi i ri do të zgjedhë edhe koordinatorin e marrëdhënieve me jashtë, post që aktualisht mbahet nga prokurorja Dorina Bejko.
Këto pozicione emërohen drejtpërdrejt nga drejtuesi i ri i SPAK, i cili zgjedh ekipin me të cilin do të punojë dhe bashkëpunëtorët më të afërt.
Kreu i SPAK zgjidhet me shumicën e votave të anëtarëve të KLP-së.
Për zhvillimin e mbledhjes duhet të jenë të pranishëm të paktën 7 anëtarë të Këshillit. Sipas rregullores, kandidatët kanë një kohë të përcaktuar për prezantimin e platformave dhe më pas i nënshtrohen pyetjeve nga anëtarët e KLP-së.







