Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur këtë të hënë lidhur me situatën e komunave sa i përket buxhetit.
Në një prononcim për Klan Kosova, Osmani u shpreh se ka kërkuar nga partitë politike që të mblidhen në Kuvend për ta votuar buxhetin, por nuk ishin të pranishëm në seancën e javës së kaluar.
Sipas Osmanit, një gjë e tillë lejohej pasi nuk është e jashtëligjshme.
“Kam kërku nga partitë të mblidhen dhe ta votojnë buxhetin, për këto komuna ka qenë pikë e veçantë, por kanë vendosur mos të jenë të pranishëm. Një gjë e tillë është e lejueshme, nuk është e kundërligjshme, pasi një gjë të tille e kemi votu edhe në Qeverinë Hoti”, tha Osmani.
Ky reagim vjen pas bllokimit të disa shërbimeve publike, si ai i transportit urban në Prishtinë, për shkak të mos miratimit të buxhetit nga ana e komunës. Por, ndërprerjen e operimit për këtë shkak e kanë njoftuar edhe disa nga linjat private.
Lidhur me bllokimin e buxhetit, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama bashkë me punëtorët e Trafikut Urban protestuan këtë të hënë para qeverisë.







