Nga Halil Teodori
Në këtë vend të shenjtë të kujtesës, ku nderojmë ata që nuk pranuan të jetojnë të përkulur, le të ngrihet emri i Isa Boletinit, si një flamur që nuk u ul kurrë, si një zë që nuk u shua as në vdekje, si vetëdija e një kombi që udhëtoi në zjarrin e luftrave për liri si një vërshim vullkani.
Burrë i maleve dhe i besës, udhëheqës i kryengritjeve, mbrojtës i pavarësisë, dëshmor i kombit. Ai nuk ishte vetëm një luftëtar, ishte vetë fjala “Shqipëri” e kthyer në qëndresë.
“Unë jam për me ndejt me djelmtë e mi në Kosovë”
Historia shqiptare, e munguar shpesh nga mbështetja shtetërore, e zhveshur nga institucionet e qëndrueshme dhe e mbajtur gjallë kryesisht nga sakrificat e njerëzve të jashtëzakonshëm, ka prodhuar pak figura që u bënë vetë tekst, vetë epikë dhe vetë flamur i kësaj përkatësie. Janë ata njerëz të rrallë që nuk presin historinë t’i thërrasë; ata që e krijojnë vetë historinë. Në këtë panteon të paktë, Isa Boletini ngrihet në kreshtën më të lartë, jo vetëm si një hero i armës, por si një përkufizim i vetë shpirtit shqiptar të qëndresës.
Ai ishte ai që bëmat e tij trimërore do ta shndërronin në legjendë të gjallë që sa ishte gjallë, aq edhe më tepër pas vdekjes. Ai ishte ai që priu përfaqësinë kosovare në shpalljen e Pavarësisë më 28 nëntor 1912, duke i dhënë asaj dite jo vetëm një firmë, por një peshë morale dhe simbolike të jashtëzakonshme. Ai ishte po ai që refuzoi postin ministror në qeverinë e Ismail Qemalit me fjalët që nuk kanë humbur asnjë grimë nga fuqia e tyre:
“Unë jam për me ndejt me djelmtë e mi në Kosovë.”
Ky refuzim nuk ishte thjesht një akt modestie; ishte një akt besnikërie ndaj Kosovës, ndaj vendit ku ai e kishte zotimin e gjakut dhe të jetës.
Ai ishte ai që s’u çarmatos në Londër, duke e bërë të qartë para diplomatëve të Evropës se një popull që po dilte nga shekujt e skllavërisë nuk mund të kërkohej të heqë dorë nga arma që i kishte garantuar ekzistencën. Dhe, mbi të gjitha, ai ishte ai që u vra i pabesë në Podgoricë, më 23 janar 1916, ashtu siç dinë të vdesin burrat: me zemrën të kthyer nga kombi dhe me armën e pastër në dorë. Vdekja e tij ishte fundi i një njeriu, por fillimi i një epoke të legjendës.
Ky ishte Isa Boletini: një figurë që nuk kërkoi kurrë lavdi, por u përjetësua nga vetë rrjedha e historisë; një burrë që nuk pranoi të thyhej, sepse e kishte kuptuar se liria nuk fitohet me nderime, por me qëndresë; një emër që sot nuk e lexojmë thjesht në libra historie, por e ndiejmë si njëmishim të vetë qëndresës shqiptare. Isa nuk ishte vetëm një dëshmor, as vetëm një hero, ai ishte vetë metafora e Shqipërisë që nuk dorëzohet.
Isa Boletini, një emër që nuk është vetëm histori
Në zemrën e maleve të Kosovës, atje ku gurët flasin gjuhën e qëndresës dhe era mban aromën e barotit të lirisë, lindi Isa Boletini, një emër që nuk është vetëm histori, por betim i përjetshëm i një kombi për të mos u nënshtruar.
Ai nuk ishte vetëm një burrë i pushkës, por një shpirt i ndezur nga zjarri i atdhedashurisë. Me plis të bardhë dhe zemër të pathyeshme, Isa nuk pranoi kurrë të përkulet para padrejtësisë. Ai e deshi Shqipërinë jo si një kufi në hartë, por si një amanet të shenjtë që duhej mbrojtur me jetë.
Në vitet e errëta të sundimit osman, kur fjala “shqiptar” përpiqej të fshihej nga historia, Isa Boletini u ngrit si një flamur i gjallë. Ai nuk luftoi për lavdi personale, por për të drejtën e një populli për të qenë zot në shtëpinë e vet. Në kryengritjet e 1910 dhe 1912, ai nuk udhëhoqi vetëm trima, ai udhëhoqi shpresën.
Kur Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë, Isa ishte aty, jo si spektator, por si dëshmitar dhe mbrojtës i një lindjeje të re. “Jam mirë kur është mirë Shqipëria”, tha ai, dhe në këtë fjali u ngërthye gjithë filozofia e tij e jetës: vetja e tij ishte Shqipëria.
Vdekja e tij në Podgoricë nuk ishte fund, por fillim i një legjende. Ai nuk u vra, ai u shndërrua në këngë, në rrëfim, në frymë që endet në çdo cep të trojeve shqiptare. Isa Boletini nuk është vetëm një hero i së kaluarës, ai është kujtesa jonë e gjallë, ndërgjegjja jonë kombëtare, dhe zëri që na thërret të mos harrojmë kurrë se liria nuk dhurohet, por fitohet.
Isa Boletini mbetet emblemë e kryengritjes dhe e qëndresës
Në kujtesën e shqiptarëve, Isa Boletini mbetet emblemë e kryengritjes dhe e qëndresës, një shtyllë e pathyeshme e kauzës së lirisë. Ai ishte më shumë se një luftëtar: ishte një udhëheqës me vizion, një strateg popullor që e ndërtoi autoritetin jo mbi frikën, por mbi besimin e pakushtëzuar që njerëzit kishin tek ai. Në figurën e tij përthyhet e gjithë tradita e besës, e burrërisë dhe e krenarisë shqiptare. Bashkë me Idriz Seferin krijuan dyshen mitike të bjeshkëve të Kosovës, një aleancë e lindur nga nevoja dhe e bërë legjendë nga shpata, urtia dhe vendosmëria e tyre. Ata nuk ishin vetëm emra të një epoke, ishin përfytyrimi i vetë Kosovës në kulmet e saj të qëndresës.
Isa Boletini ia nisi prej rinisë rrugëtimit të tij të atdhedashurisë, me pjesëmarrjen në Lidhjen e Prizrenit dhe me betejën e Slivovës më 22 prill 1881, ku provoi se rruga e tij ishte ajo e mbrojtjes së trojeve dhe dinjitetit shqiptar. Qëndresa e Manastirit të Sokolicës, e bërë bashkë me të vëllanë Ahmetin, tregon se ai nuk ishte thjesht një kapedan armësh, por një mbrojtës i vlerave shpirtërore dhe kulturës së Kosovës. Te Boletini gërshetohej luftëtari me atë që mbante gjallë kujtesën, besimin dhe trashëgiminë.
Baza e pushtetit të tij, e ngritur herë në betejë të hapur, herë në aleanca të maturuara, herë në kompromise të nevojshme, e herë në sfidë të drejtpërdrejtë ndaj perandorive, i jep figurës së tij një kompleksitet që pak heronj kanë. Ai ishte një burrë në nyjen ndërmjet dy perandorive, njëherësh i përdorur prej tyre dhe përdorues i tyre, por kurrë i nënshtruar, kurrë i thyer. Kjo aftësi për t’u përplasur me fuqitë e kohës, pa humbur asnjëherë vetëdijen e misionit të tij, është ajo që e ngriti Boletinin në përmasën e mitit.
Në historinë tonë, Isa Boletini nuk është vetëm protagonist i kryengritjeve dhe i luftërave për liri; ai është vetë metafora e pathyeshmërisë kombëtare. Fryma e tij është e pranishme në çdo akt të qëndresës shqiptare, si kujtesë se nderi, liria dhe toka nuk mbrohen me fjalë, por me vendim, sakrificë dhe besë.
Në Podgoricë ai nuk vdiq, u kthye në legjendë
Pikërisht sepse ishte i fuqishëm, sepse kishte ndikim dhe sepse nuk njihte frikë, Isa Boletini u bë kërcënim për çdo kundërshtar të çështjes shqiptare. Ai ishte figura që nuk mund ta korruptoje, nuk mund ta trembje, nuk mund ta blije. Ishte ai lloj njeriu që i detyronte armikun të marrë masa të jashtëzakonshme, atentate, pabesi, kurthe, sepse përballë tij forca e armatosur nuk mjaftonte. E gjithë kjo arriti kulmin në Podgoricë, më 23 janar 1916, kur ai u vra së bashku me 17 shokët e tij. Vdekja e tij nuk ishte thjesht një akt armiqësor; ishte përpjekja e fundit për t’i prerë kokën një rezistence që nuk thyhej dot ndryshe, për të heshtur një zë që nuk pranonte të zbutej dhe për të shuar një vullnet që nuk e njihte dorëzimin.
Mbi Isa Boletinin është shkruar shumë, janë thurur këngë dhe janë ngritur monumente, por asnjë fjalë nuk ia tejkalon dot thënies së tij më të famshme: “Kur të vijë dita, jam i gatshëm me vdekë për Kosovë.”
Kjo nuk ishte retorikë. Kjo ishte fjala e një burri që e njihte peshën e fjalës së dhënë, e një njeriu që jetën e kishte bërë peng të kombit, jo peng të fatit personal. Në këtë pohim qëndron e gjithë filozofia e tij: liria nuk fitohet duke pritur, por duke qenë gati të sakrifikosh gjithçka.
Isa nuk luftoi për lavdi; lavdia e gjeti vetë. Ai nuk kërkoi kurorë, por kërkoi një flamur që të valëvitej i lirë mbi tokën shqiptare. Nuk kërkoi as pasuri, as tituj, as fron; kërkoi vetëm të drejtën e një populli për të qenë vetvetja. Dhe kur ai ra, nuk ra vetëm një njeri, ra një epokë, u mbyll një kapitull i historisë sonë, por u hap një tjetër: ai i pavdekësisë së tij.
Sepse, siç ndodh me të përjetshmit, Isa Boletini në Podgoricë nuk vdiq. Ai u kthye në legjendë. Në një symbol të ngulitur përjetësisht në ndërgjegjen shqiptare, ku heronjtë nuk maten me datën kur u ndal fryma, por me ditën kur nis përjetësia e tyre.
Isa Boletini, emri që u shndërrua në flakadan krenarie
Vepra e Isa Boletinit nderohet kudo në hapësirën shqiptare, jo vetëm si një kapitull i lavdishëm i historisë, por si një ndërgjegje e gjallë kombëtare. Emrin e tij e mbajnë shkolla, rrugë, lagje, sheshe, godina publike; ai valon në ndërgjegjen tonë si një simbol që nuk shuhet. Madje edhe një batalion i ushtrisë shqiptare, i dërguar në Irak, mbajti krenarisht emrin e tij, sikur të donte të kujtonte se guximi dhe besa nuk kufizohen në kohë dhe në hapësirë. Sepse Isa nuk ishte thjesht një figurë e Kosovës; ai ishte shëmbëlltyra e shqiptarit të pandarë, e atij trimi që përtej dallimeve ruan të pacënuar bashkimin rreth lirisë, nderit dhe tokës së vet.
Figura e Boletinit përmbledh një të vërtetë të thjeshtë, por të përjetshme: liria nuk lind nga rastësia, nuk është dhuratë, as favor i historisë. Liria është vepër e njerëzve që vendosin veten peng të saj, që ngrihen mbi frikën dhe mbi interesin personal, që zgjedhin sakrificën para lehtësisë. Në këtë kuptim, Isa Boletini nuk është vetëm një emër arkivash apo kronikash, por një frymë e skalitur në karakterin e shqiptarëve, një kujtesë që nuk lejon harrim dhe nuk pranon nënshtrim.
Ai është më shumë se histori. Isa Boletini është kujtesë aktive, është flakë që nuk shuhet, është simbol i krenarisë dhe i pathyeshmërisë kombëtare. Ai mishëron vetë idenë e qëndresës: një burrë që i dha gjak tokës për të cilën lindi, i dha emër kombit që e deshi dhe i dha shembull brezave që do të vijnë. Në çdo përvjetor, në çdo përmendje, në çdo kujtim të tij, ngrihet një mesazh i qartë: se liria është e shtrenjtë, por sa kohë ka burra si Isa Boletini, ajo nuk rrezikon të humbasë.







