Ministrja e Jashtme e Austrisë Beate Meinl-Reisinger ka deklaruar se vendi i saj mbështet dhe jep garanci për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Duke folur në konferencën e përbashkët për shtyp me ministren për Punët e Jashtme dhe Europën, Elisa Spiropali, kryediplomatja austriake theksoi se shumë “nuk besonin te Shqipëria, nuk besonin te procesi i reformave por ato kanë pasur një progres të jashtëzakonshëm”.
“Jam e gëzuar që Shqipëria me ambicie të mëdha dhe me shumë angazhim është duke përmbushur kushtet që janë vënë në rrugën e anëtarësimit në BE dhe Austria ju garanton mbështetjen. Gjithsesi kam ardhur edhe t’ju përgëzoj. Është diçka e jashtëzakonshme kur shohim se çfarë ka arritur Shqipëria kohët e fundit. Shumë veta nuk besonin te Shqipëria, nuk besonin te procesi i reformave por ato kanë pasur një progres të jashtëzakonshëm dhe Komisioni Evropian ka thënë që ka qenë një proces i praprecendetë më parë”, tha Beate Meinl-Reisinger.
Ajo vuri në dukje se shpreson që Shqipëria të jetë anëtare e BE-së në vitin 2030. Ndërsa theksoi se Austria ka mbështetur gjithnjë vendet e Ballkanit Perëndimor në proceset e tyre me BE-në.
“Shpresojmë që së shumti Shqipëria në vitin 2030 do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe procesi do të jetë i përmbyllur. E them shpeshherë, goxha e ndërgjegjshme, ne si Austri festojmë 30 vjetorin e Austrisë në BE por ka pasur një histori të gjatë bashkëpunimi dhe mbështetje austriake të vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE. Nuk ka qenë një punë bamirësie, por është në interes të BE-së dhe Austrisë”, tha kryediplomatja austriake.
Midis të tjerave ajo theksoi edhe aspektin gjeopolitik, sipas së cilës zgjerimi i BE-së e bën atë më të fortë. Ndërsa shpjegoi se Evropa do të përfitojë nga anëtarësimi i Shqipërisë po aq sa vetë Shqipëria.
“Në situatën e sotme gjeopolitike në të cilën ndodhemi ne na duhet një Evropë shumë e fortë, një Evropë e fortë që bazohet në një mirëkuptim të vlerave të përbashkëta. Do të duhet të kemi një rend botëror që bazohet te të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Ne duhet ta kuptojmë që Europa duhet të jetë një hapësirë e stabilitetit dhe sigurisë. Nuk duhet të ketë boshllëqe dhe duhet të kuptohet që në Evropën e sotme forca ekonomike arrihet vetëm kur ne jemi të bashkuar dhe kur ne shpalosim të gjithë potencialint tonë. Pra, Evropa përfiton po aq shumë sa Shqipëria në anëtarësimin e Shqipërisë. Natyrisht që edhe Shqipëria përfiton shumë”, deklaroi më tej Beate Meinl-Reisinger.







