HomeOP EDPërgjegjësia penale dhe ajo publike/nga Pëllumb Nako

Përgjegjësia penale dhe ajo publike/nga Pëllumb Nako

Advertismentspot_img

PËLLUMB NAKO

Masa shtrënguese e marrë nga SPAK ndaj zv.kryeministres ka mbjellë debate të panumërta. Në thelb ato janë përqendruar te parimi i shenjtë i drejtësisë së një vendi demokratik, siç është “prezumimi i pafajësisë” nga njëra anë dhe nga ana tjetër te përgjegjësia politike apo publike e individit që ushtron funksione të larta shtetërore. E gjitha kjo gjatë një procedimi penal. Komentet fokusohen te individi rast pas rasti. Kanalizimi i diskutimeve me një fokus kaq të ngushtë në fakt duhet dhe natyrshëm të mbetet në kufijtë e një beteje ligjore ndërmjet avokatëve dhe organit të akuzës, të mbështetura mbi ligjet dhe parimet të shtetit të së drejtës.

Ajo që duket sikur nuk shkon, janë komentet për publikun të cilat mbeten në të njëjtën gjerësi mendimi si debati ligjor në sallat e drejtësisë. Ndaj, edhe në komente të tilla janë përdorur shpesh termat “grusht shteti”, apo “ndërhyrje e dhunshme e drejtësisë në punët e një pushteti tjetër”. Në fakt, nëse shihet pak më gjerë, në total, sot e kësaj dite kemi tre dinjitarë të lartë politikë, të cilët hetohen për vepra penale të lidhura me ushtrimin e detyrës së tyre dhe jo me vepra penale të kryera para se të zgjidhen në këto funksione apo të kryera jashtë funksionit të tyre publik, si individë të zakonshëm.

Pra, ata po hetohen për vepra penale të shkaktuara gjatë ushtrimit të detyrave të tyre me interes publik. Ky fakt mbetet mjaft i rëndësishëm për t’u vënë në dukje. Pavarësisht statuseve të ndryshëm ku ndodhen aktualisht, sot kemi një ish-zv.kryeministër që ka marrë arratinë, një tjetër që është pezulluar nga detyra e nuk lejohet të dalë jashtë vendit dhe një kryebashkiak i bashkisë më të rëndësishme të vendit që ndodhet në burg, por e drejton institucionin nga burgu. Përveç ndjekjes së tyre penale dhe masave të ndryshme të shtrëngimit, pika e cila i bashkon dukshëm të tre ata është se asnjëri prej tyre nuk ka dhënë dorëheqjen. Duke u nisur edhe nga mosha thuajse e njëjtë e të treve jemi përballë një brezi politikanësh relativisht të rinj në moshë, që janë kapur fort pas karriges dhe nuk e ndjejnë veten moralisht të gatshëm të japin dorëheqjen. Kjo do të thotë se po përballemi me një model politikanësh të rinj që në raport me moralin politik janë të pandjeshëm.

Këto qëndrime në fakt përbëjnë një kambanë alarmi për probleme madhore në mirëqeverisjen e vendit. Nëse në emër të moralit politik, dy politikanët e nivelit të lartë, (sepse i treti i arratisur është jashtë çdo skrupulli përgjegjësie individuale) do të kishin dhënë dorëheqjen, aktualisht nuk do të ishim përballë situatave të shumë komentuara që kryebashkiaku drejton bashkinë nga burgu dhe zv.kryeministrja pezullohet nga detyra dhe nuk lejohet të largohet jashtë vendit. Por, kjo nuk do të thotë se mungesa e dorëheqjes përbën arsye për masa shtrënguese të dyshimta ligjërisht. Pikërisht ky arsyetim, nuk është temë debati publik, sepse i takon shkallëve të drejtësisë ta zgjidhin. Publiku nuk ka interes të dijë nëse SPAK veproi mirë apo keq, duke marrë masa shtrënguese, sepse janë organet kompetente të akuzës që kanë shqyrtuar gjithë dokumentacionin që kanë në dorë dhe vlerësimi i tyre kryhet nga një organ tjetër i pavarur. Askush, përveç tyre, nuk e njeh më mirë çështjen për të cilën kanë kompetenca të vendosin. Komentet në këtë drejtim vetëm ngrenë tymnaja.

Megjithatë, akti ligjor i marrjes së pandehur së një qeveritari dhe dorëheqja automatikisht e tij nuk janë asgjëkund të parashikuara të lidhura me njëra-tjetrën në asnjë nga ligjet e vendeve demokratik. Ndërkohë, ajo që po shohim të ndodh në rastin e të treve, është fakti se të gjithë fshihen pas parimit të “prezumimit të pafajësisë”. Ky është një parim themelor në lidhje me ndjekjen penale për një individ të zakonshëm, por jo i vetëm në raport me marrjen si të pandehur të një funksionari publik. Në raport me këtë të fundit, janë dy parime të cilat konkurrojnë.

Përveç parimit të “prezumimit të pafajësisë” në ndjekjen penale, është edhe parimi themelor i qeverisjes siç është “transparenca” në ushtrimin e funksioneve publike. Kjo e fundit nënvleftësohet dramatikisht. Në një plan të parë, të dyja parimet e cituara duken sikur nuk kanë lidhje me njëri tjetrin, por në fakt, procedimi penal në fund të fundit garanton pikërisht transparencën e akteve të kryera nga funksionari publik, para se të vendosë nëse është apo jo fajtor. Ndaj dhe transparenca mbetet e pandarë në një proces të kësaj natyre. Kjo, sepse nëse në një procedimin penal ndaj një individi të zakonshëm, hetimi synon dokumentimin e veprës penale, e cila i atribuohet atij, në procedimin ndaj një funksionari të lartë publik përveç kësaj, hetimi në fjalë, siç u citua pak më sipër, bën edhe një transparencë gjithë akteve të kryera nga qeveritari gjatë ushtrimit të funksioneve të tij publike.

Për këtë arsye u theksua edhe fakti se ka shumë rëndësi që të dallohet procedimi penal i një qeveritari gjatë ushtrimit të detyrës në raport me atë jashtë detyrës së tij. Nëse ai ndiqet penalisht për një vepër penale jashtë funksionit publik, ai mund ta japë dorëheqjen në përputhje me moralin e tij personal apo për përgjegjësi politike pasi në këtë mënyrë dëmton reputacionin e forcës politike të cilës i përket. Por nëse ndjekja kryhet për një vepër penale të lidhur me ushtrimin e detyrave publike, ai përveç aspektit moral, ka detyrimin të garantojë parimin më themelor të një qeverisjeje demokratike, atë “transparencës” nëpërmjet aktit për të dhënë dorëheqjen. Akti i dorëheqjes krijon më lirshmëri në raport me dëshmitë e punonjësve të administratës ku kryhet hetimi apo në shqyrtimin e dokumentacionit dhe e nxjerr të tepërt aktin ligjor të masës shtrëngese që ndërmerr organi i akuzës, siç ka ndodhur me të tre personazhet.

Për më tepër, në rastet për të cilat po flasim, nuk bëhet fjalë për të dhënë dorëheqjen kur fillon procedimi penale, por kur individi pushtetar merret i pandehur. Marrja si i pandehur, sipas jurisprudencës evropiane, bëhet në momentin kur ndaj individit të hetuar ka “indicie të rënda që përputhen me njëra-tjetrën”. Në këtë nivel të hetimit, pavarësisht se jemi para prezumimit të pafajësisë, pavarësisht se jemi ende disa hapa larg vetë fajësisë, në aspektin e përgjegjësisë civile, është momenti që duhet garantuar më shumë se kurrë transparenca e institucionit. Këtë transparencë, funksionari i lartë nuk e garanton duke u kapur pas “prezumimit të pafajësisë” dhe injorimi tërësor i dorëheqjes që lehtëson transparencën.

Një qëndrim i tillë i jep politikanit të lartë dimensione larg, shumë larg parimeve, të cilat ai vetë i afishon si shërbëtor i popullit. Në këtë mënyrë, dorëheqja bën që transparenca gjatë procesit hetimor të kryhet më e plotë. Për publikun është shumë më e rëndësishme transparenca e institucionit publik se sa fajësia e atij që e drejton dhe ndiqet penalisht. Kjo do të thotë se debati në rastet e ndjekjes penale të politikanëve, të cilët ushtrojnë funksione të larta publike duhet të përqendrohet jo vetëm te parimet të cilat mbrojnë të drejtat e individit, por edhe te parimet, të cilat mbrojnë interesin publik. Të dy parimet janë në të njëjtën vlerë.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular