Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, pranoi Letrat Kredenciale nga dy ambasadorë të rinj jo rezidentë në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve diplomatike dhe mbështetjes për Kosovën.
Në një ceremoni zyrtare, Kreu i Shtetit uroi Ambasadorin e ri të Republikës së Panamasë, Winston Spadafore F., me të cilin u zhvillua një bisedë mbi marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve dhe mundësitë për konkretizimin e tyre në fusha me interes të përbashkët. Presidenti Begaj falënderoi ambasadorin për njohjen e Republikës së Kosovës dhe për mbështetjen e saj në procesin e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.
Gjithashtu, Presidenti Begaj pranoi Letrat Kredenciale të Ambasadores së re të Indonezisë, Znj. Listiana Operananta.
Në takim u diskutua për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Indonezisë, si në aspektin dypalësh, ashtu edhe në atë shumëpalësh.
Pas hapjes së Ambasadës shqiptare në Xhakarta, Shqipëria mirëpret hapjen e ambasadës indoneziane në Tiranë.
Kreu i Shtetit kërkoi gjithashtu rishikimin e qëndrimit të Indonezisë lidhur me njohjen e Republikës së Kosovës dhe mbështetjen e saj për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.







