Qyteti i Vlorës është mbushur me atmosferën e Festës së Pavarësisë, ku çdo cep i qytetit rrezaton muzikë, gjallëri dhe energji.
Vlora, qyteti ku u ngrit flamuri për herë të parë, sot është epiqendra e krenarisë shqiptare.
Ngjyrat e flamurit kuq e zi kanë pushtuar bulevardin “Ismail Qemali” dhe sheshet kryesore, duke e veshur qytetin me simbolet kombëtare.
Me gjallëri, dashuri për traditën dhe respekt për historinë, qyteti i Pavarësisë po dëshmon se kujtesa kombëtare nuk shuhet, por përcillet brez pas brezi, duke e bërë festën një përjetim të përbashkët për të gjithë shqiptarët.
Flamuj të mëdhenj valëviten në ndërtesa, rrugët janë stolisur me dekorime kuq e zi, ndërsa dy flamuj gjigand janë vendosur në godinën shumëkatëshe të qendrës së re multifunksionale, duke i dhënë qytetit një pamje madhështore.
Atmosfera është tepër festive ku valltarë me kostume popullore, këngë folklorike dhe gëzimi i qytetarëve e kanë kthyer Vlorën në një skenë të hapur të festës së Pavarësisë.
Kostumet popullore shumëngjyrëshe, hapat e valleve dhe këngët folklorike u ndërthurën me gëzimin e qytetarëve dhe vizitorëve nga e gjithë Shqipëria, duke krijuar një atmosferë të gjallë përgjatë bulevardit ku të rinj e të moshuar festuan së bashku, dhe Vlora sot u shndërrua në epiqendrën e krenarisë kombëtare.
Me këngë, valle dhe recitime që bashkojnë breza të ndryshëm, Qyteti i Pavarësisë është gati të festojë 113-vjetorin e Pavarësisë.
Gazetarët e RTSH-së, raportojnë se në çdo hap ndihen tingujt e muzikës folklorike dhe recitimet patriotike, duke e kthyer këtë përvjetor në një rikthim tek rrënjët e identitetit kombëtar.
Sheshi i Flamurit është gati për ceremoninë zyrtare që do të zhvillohet nesër, ku pritet të mblidhen mijëra qytetarë dhe vizitorë nga të gjitha trevat shqiptare.
Atmosfera e festës do të kulmojë me aktivitetin kryesor, ku krahas qytetarëve do të jenë të pranishëm edhe krerët e shtetit dhe përfaqësues të institucioneve më të larta, duke i dhënë ceremonisë një rëndësi të veçantë dhe solemne në nderim të 113-vjetorit të Pavarësisë.







