Qytetet e Shqipërisë janë përgatitur të presin 28 dhe 29 Nëntorin, si dhe festat e fundvitit.
Në Korçë, në sheshin qendror të qytetit, është vendosur një flamur kuq e zi i stërmadh në përmasa, ndërsa po ashtu Bashkia ka vënë edhe Pemën e Vitit të Ri dhe dekor festiv.
Në Gjirokastër, tradita e ndezjes së dritave të fundvitit mbahet çdo vit më 6 dhjetor, ndërsa dekorimet festive vendosen zakonisht në fund të muajit nëntor, menjëherë pas përfundimit të festave të nëntorit.
Në Durrës, dekori festiv është vendosur në pjesën më të madhe të qytetit, në sheshe kryesore dhe në bulevarde. Sipas traditës, dritat festive do të ndizen më 6 dhjetor, duke hapur zyrtarisht sezonin e festave.
Në Fier e Lushnje, dritat e dekorit festiv për festat e fundvitit vendosen më datë 6 dhjetor. Momentalisht flamuj të shumtë janë vënë për 28-29 Nëntorin dhe qëndrojnë deri në fund të janarit.
Në Vlorë, flamuj të shumtë janë vendosur në bulevardet e qytetit dhe në zonën pranë bashkisë.
Atmosfera e Festave të 28 dhe 29 Nëntorit u ndje që në mbrëmjen e sotme, ku në Shkodër u mbajt Sofra e Pavarësisë.
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropali, së bashku me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, iu bashkuan festimeve për 113 vjetorin e Pavarësisë në Shkodër.
Në atmosferën kuqezi, Spiropali deklaroi se “sot shumë se kurrë më parë, Shkodra qëndron e palëkundur si një simbol i pathyeshëm i unitetit e bashkimit kombëtar”.
Kosova pushim 28 nentorin
Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se e premtja do të jetë ditë pushimi për nëpunësit e administratës publike me rastin e Festës së 28 Nëntorit.
Në komunikatën e MPB-së thuhet se dita e premte, do të jetë ditë pushimi, duke uruar 28 Nëntorin.
Festa e 28 Nëntorit shënon ditën e pavarësisë së Shqipërisë dhe në të gjithë vendin organizohen aktivitete kulturore e ceremonialet tradicionale.
Kujtojmë se 28 Nëntori për Kosovën është festë e katërfishtë, është: Dita e Flamurit që lidhet me Skënderbeun; Dita e Pavarësisë së Shqipërisë; Ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari dhe përvjetori i daljes së parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.







