Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka mbyllur çdo dilemë, duke zyrtarizuar kryetarin e saj, Albin Kurtin, si kandidat për Kryeministër në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor.
Vendimi u mor gjatë mbledhjes së 61-të të Këshillit të Përgjithshëm të partisë, ku Kurti mori besimin e delegatëve për të prirë listën zgjedhore dhe për të kërkuar një mandat të ri qeverisës.
Në fjalën e tij para strukturave, Kurti shpalosi një nga pikat më ambicioze të programit të ri: krijimin e një valute shtetërore digjitale.
“Këtë mandat do ta nisim me valutën digjitale të Kosovës, e cila e bazuar në ‘block chain’, e krijuar nga shteti do të përdoret për pagesa. Krijimi i saj hap mundësi të reja për inovacion dhe krijon ekosistem të inovatorëve. Me këtë e vendosim Kosovën në qendër të zhvillimeve më të fundit teknologjike,”, deklaroi Kurti.
Kreu i LVV-së bëri një rezyme të qeverisjes së deritanishme, duke e cilësuar si një periudhë të jashtëzakonshme për shkak të krizave globale dhe rajonale. Ai përmendi menaxhimin e pandemisë, ndikimin ekonomik të luftës në Ukrainë, si dhe përballjen me agresionin e vazhdueshëm diplomatik dhe të sigurisë nga Serbia.
“Po fillojmë një kapitull të ri që nis me fushatën e tanishme, vuloset me zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe zbatohet në katër vitet e ardhshme,” tha ai.
Propozimi zyrtar për nominimin e Kurtit erdhi nga nënkryetari i partisë, Glauk Konjufca. Me tone të larta vlerësimi, Konjufca e cilësoi atë si liderin e transformimit social.
“Unë do ta nominoj më të votuarin nga populli ynë në historinë e demokracisë sonë parlamentare. Më meritorin në udhëheqjen e Lëvizjes Vetëvendosje, liderin e vërtetë të transformimit social dhe demokratik, kryeministrin më të suksesshëm të Republikës sonë, Albin Kurtin,”, u shpreh Konjufca gjatë nominimit.







